Zelensky: Lufta duhet të përfundojë para dimrit
Foto: AFP

Zelensky: Lufta duhet të përfundojë para dimrit

Bota June 27, 2022 - 13:39

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë në Samitin e shtatë vendeve më të industrializuara (G7) se ai dëshiron që lufta e Rusisë në Ukrainë të përfundojë para se të nisë dimri.

Zelensky ka thënë se moti në atë periudhë do ta bënte më të vështirë luftën në fushëbetejë, si dhe u ka bërë thirrje liderëve të G7-ës që të bëjnë maksimumin për t’i dhënë fund luftës para fundit të vitit, ka thënë një burim për agjencinë e lajmeve AFP.

Zelensky u është drejtuar liderëve të G7-ës përmes videolinkut, të cilët janë takuar në Bavari të Gjermanisë.

Ky grup përbëhet nga: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja dhe Japonia.

Zelensky ka kërkuar ndihmë për rindërtim të shtetit, sisteme për mbrojtje, ndihmë për të nxjerrë grurin jashtë shtetit, si dhe garanci për sigurinë.

Mes të tjerash, Zelensky ka kërkuar që Perëndimi “të mos ulë presionin” dhe të vazhdojë të ndëshkojë ashpër Rusinë, raporton agjencia e lajmeve AFP.

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë se G7 do të “vazhdojë të rrisë presionin mbi Putinin”.

Adresimi i Zelenskyt vjen pas një morie sulmesh ruse me raketa në Kiev dhe zona të tjera përgjatë fundjavës, nga të cilat ka mbetur i vdekur të paktën një person.

Në lindje të Ukrainës Rusia ka fituar kontroll të plotë të Severodonjeckut dhe është duke shënjestruar Lisiçanskun.

Të dielën Zelensky ka thënë se vonesat në dërgim të armëve janë “ftesë për Rusinë që të sulmojë sërish”.

Në adresimin e tij ditor, ai ka bërë thirrje për sisteme ajrore për mbrojtje dhe sanksione të reja ndaj Rusisë.

“Partnerët duhet të veprojnë më shpejt, nëse janë vërtet partnerë, jo vëzhgues”, ka thënë ai.

Lufta në Ukrainë është në krye të agjendës së G7-ës dhe vendet pjesëmarrëse pritet të zotohen për më shumë mbështetje ushtarake për Kievin, si dhe më shumë sanksione për Moskën.

Liderët perëndimorë janë duke tentuar të shpërfaqin një front të bashkuar, pasi kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se sulmet ruse me raketa tregojnë se “ka qenë vendim i drejtë që të bashkohemi dhe t'i mbështesim ukrainasit”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, ka menduar se NATO-ja dhe G7-ta do të ndaheshin, “mirëpo kjo gjë nuk ka ndodhur dhe as nuk do të ndodhë”.

Pas Samitit të G7-ës, që këtë herë mbahet në Bavari, liderët e NATO-s do të takohen më pas në Spanjë.

Edhe aty Zelensky pritet të mbajë një fjalim. /rel