Rusia me masa të reja ndaj një grupi që mbulon luftën në Ukrainë

Rusia me masa të reja ndaj një grupi që mbulon luftën në Ukrainë

Bota August 12, 2022 - 14:48

Autoritetet ruse kanë bllokuar llogarinë kryesore në rrjetet sociale të grupit që mbikëqyrë punën e policisë, OVD-Info, pasi ky grup ka mbuluar edhe luftën e Moskës kundër Ukrainës.

OVD-Info tha se llogaria në VK, që është rrjeti më i madh social në Rusi, i është bllokuar me urdhër të prokurorëve.

OVD-Info, që është një organizatë joqeveritare dhe mbledh të dhënat për arrestimet dhe ndalimet në mbarë vendin, tha se Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka deklaruar se raportimet e grupit lidhur me numrin e viktimave të civilëve ukrainas dhe trupave ruse, janë “të rreme”.

Ueb-faqja kryesore e organizatës u bllokua në dhjetor, pasi një gjykatë ruse akuzoi grupin OVD-Info për promovim të terrorizmit dhe ekstremizmit.

Më pas gjykata e apelit hodhi poshtë vendimin, por ueb-faqja e grupit mbeti e bllokuar dhe OVD-Info u detyrua të krijonte një ueb-faqe të re.

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, autoritetet ruse kanë shtypur mediat e pavarura dhe grupet e shoqërisë civile që kanë mbuluar luftën në Ukrainë. /REL