Gazetarët në Kolumbi punojnë mes frikës dhe kërcënimeve

Gazetarët në Kolumbi punojnë mes frikës dhe kërcënimeve

Bota December 05, 2022 - 19:53

Në Kolumbi, mbulimi i grupeve guerile, politikës, apo aktivitetit kriminal është i rrezikshëm për gazetarët dhe shpesh bëhet shkas për kërcënime dhe dhunë ndaj tyre, sipas Fondacionit për Lirinë e Shtypit. Analistët thonë se shtimi i kërcënimeve dhe dhunës po krijon një ndjenjë frike mes gazetarëve.

177 gazetarë janë kërcënuar në Kolumbi gjatë vitit 2022, sipas Fondacionit për Lirinë e Shtypit, një grup jofitimprurës për të drejtat e medias.

Sipas policisë lokale, më 28 nëntor, dy persona të armatosur në një motoçikletë vranë në qytetin La Union gazetarin e njohur kolumbian Wilder Alfredo Cordoba. Vrasja e tij dhe shtimi i kërcënimeve kanë krijuar një mjedis pasigurie për gazetarët në Kolumbi. Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Daniel Chaparro Díaz, këshilltar i Fondacionit për Lirinë e Shtypit.

“Çdo ditë gazetarët punojnë mes frikës. Ngjarjet që lidhen me dhunën, politikën, kontrabandën dhe çdo tematikë që ka të bëjë me shkeljen e ligjit, përbëjnë rrezik për gazetarët. Shpesh herë mungon mbulimi mediatik për këto tema si rezultat i frikës”.

Sandra Buitrago, gazetare e radios 'Arauca Stereo' u kërcënua për mbulimin e ngjarjeve në lidhje me grupet e ndara nga Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, ‘FARC’, një grup rebel që nënshkroi një marrëveshje paqeje me qeverinë në vitin 2016.

Kjo nuk është hera e parë që disidentët e grupit FARC kërcënojnë mediat. Në marsin e vitit 2021, një prej drejtuesve të FARC-ut, Seuxis Pausias Hernández – me nofkën "Jesús Santrich" – u dërgoi një kërcënim me video gazetareve të njohura Claudia Gurisatti dhe Vicky Dávila.

“Publikova një artikull në lidhje me riarmatosjen e kundërshtarëve mes grupit FARC. Kjo është arsyeja kryesore që tani po kërcënohem”, thotë për Zërin e Amerikës gazetarja Sandra Buitrago.

Tani, gazetarja Buitrago duhet të udhëtojë me një automjet të blinduar, sipas një plani sigurie nga Njësia e Mbrojtjes Kombëtare të Kolumbisë. Arauca është një nga rajonet më të rrezikshme për gazetarët. Sipas Fondacionit për Lirinë e Shtypit, 22 gazetarë atje janë kërcënuar gjatë vitit të kaluar

“Arauca dhe Bogota janë zonat me shifrat më të larta, le të themi nga dimensioni, madhësia, numri i gazetarëve dhe medias. Por në nivel kombëtar, kushtet për gazetarët janë për të ardhur keq”, thotë për Zërin e Amerikës Daniel Chaparro Diaz, këshilltar i Fondacionit për Lirinë e Shtypit.

Për shkak se shumica e kërcënimeve janë anonime, thotë fondacioni, është i vështirë identifikimi nëse ato vijnë nga një organizatë guerile, kartel droge, bandë kriminale, një aktor politik, apo individ i veçantë.

Sipas fondacionit, shumë pak nga autorët e më shumë se 164 gazetarëve të vrarë në Kolumbi nga viti 1977 deri në 2022, janë kapur dhe mbajtur përgjegjës për krimet.

Vetëm në një rast të gjithë ata që janë gjetur fajtorë janë dënuar, në 18% të rasteve është dhënë një lloj dënimi, ndërsa për pjesën tjetër të vrasjeve nuk ka patur asnjë veprim ligjor, sipas fondacionit./VOA