BE-ja skeptike ndaj politikës joshëse të Kinës

BE-ja skeptike ndaj politikës joshëse të Kinës

Bota January 28, 2023 - 16:11

Kina po synon t’i përmirësojë marrëdhëniet me Perëndimin, e veçanërisht lidhjet e saj me Evropën, të cilat janë dëmtuar për shkak të mbështetjes që i ka dhënë Rusisë gjatë pushtimit të Ukrainës.

Por, ofensiva joshëse e saj është duke u përballur me skepticizëm në Bruksel, thonë zyrtarë të BE-së.

Ajo ka nisur në fund të vitit të kaluar, kur kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka udhëtuar në Pekin dhe, më pas, kur udhëheqësi kinez, Xi Jinping, ka ofruar një mesazh bashkëpunimi në samitin e grupit të vendeve më të industrializuara, G20, në Bali.

Që atëherë, diplomatët kinezë kanë intensifikuar punën e tyre, duke kontaktuar investitorë dhe qeveri. Ata, po ashtu, kanë paralajmëruar një vizitë të mundshme në Bruksel të ish-ministrit të Jashtëm kinez, Wang Yi, i cili së voni është emëruar mbikëqyrës i çështjeve të jashtme të Byrosë Politike - organ qeverisës i Partisë Komuniste.

Zyrtarët kinezë kanë dhënë sinjale edhe për mosbesim ndaj Moskës, ndërsa, kohëve të fundit, kanë shprehur kritika të fshehta edhe për pushtimin rus të Ukrainës. Një zyrtar i lartë kinez i tha gazetës Financial Times në fillim të këtij muaji se presidenti rus, Vladimir Putin, është “i çmendur”.

Ndryshimi i qasjes do ta ndikojë të ardhmen e një prej marrëdhënieve më të mëdha tregtare në botë, që mund të ketë pasoja të gjera për Evropën dhe Azinë.

Duke marrë parasysh se rreziku është i madh, zyrtarë të BE-së thonë se janë duke vëzhguar nga afër qasjen e Kinës.

“Unë nuk shoh ndonjë ndryshim revolucionar”, thotë për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i BE-së, i cili kërkon të mbetet anonim.

Qasjes së Kinës, sipas tij, i mungon thelbi dhe mund të jetë më shumë retorike.

“Unë mendoj se Kina duhet ta rehabilitojë veten së pari”, thotë një tjetër zyrtar i BE-së, duke komentuar iniciativat kineze në vitet e fundit, që kanë çuar në përkeqësimin e marrëdhënieve të saj me bllokun.

Një ofensivë joshëse

Pekini përballet me një betejë të vështirë në përmirësimin e imazhit të tij në Bruksel.

Kina dhe BE-ja janë grindur për shumë gjëra, të tilla si: pozicionimi ushtarak i Pekinit në Tajvan, spiunazhi ekonomik dhe abuzimet me të drejtat e ujgurëve dhe pakicave të tjera kryesisht myslimane në provincën kineze, Ksinjiang.

Në shkurt të vitit 2022, vetëm pak javë para se Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, presidenti kinez, Xi Jinping, dhe ai rus, Vladimir Putin, kanë shpallur partneritet “pa limite” mes vendeve të tyre.

Gjatë luftës, Pekini ka bërë përpjekje ta portretizojë veten si neutral, por ka vazhduar t’i japë mbështetje diplomatike Moskës. Po ashtu ka bërë përpjekje t’i japë shtytje tregtisë me partneren e tij, por duke respektuar sanksionet perëndimore kundër Rusisë. /REL

Shkrimin e plotë mund ta gjeni KETU: