
Masakër në Gazë, Netanyahu: Luftë deri në shkatërrimin e Hamasit
Izraeli është i vendosur që të shkatërrojë Hamasin në mënyrë që të mos përbëjë më kërcënim për shtetin e Izraelit. Këtë fakt e ka bërë të ditur Kryeministri i shtetit hebre, Benjamin Netnayahu. I pranishëm në një ceremoni shtetërore në përkujtim të ushtarëve të rënë në luftë, Netanyahu bëri të ditur se, Izraeli nuk ka ndërmend të humbasë në këtë konflikt. Po ashtu, Netanyahu dha edhe një paralajmërim të fortë për Iranin në mënyrë që të mos tentojë të sulmojë tokën hebraike.
Sakaq, 57 civilë kanë mbetur të vdekur si pasojë e bombardimeve izraelite në Rripin e Gazës. Zyrtarët shëndetësorë në Gaza kanë konfirmuar një shifër të tillë. Grupi militant islamik palestinez Hamas ka akuzuar Izraelin për shtimin e sulmeve në Gaza në përpjekje për të penguar përpjekjet e ndërmjetësve arabë dhe të Shteteve të Bashkuara për të arritur një marrëveshje armëpushimi. Por Izraeli thotë se po përpiqet të çrrënjosë luftëtarët e Hamasit. Ushtria e Izraelit konfirmoi se kishte goditur një shkollë në pjesën qendrore të Rripit të Gazës me një sulm ajror sepse një grup agjentësh të Hamasit po vepronin atje. Kështu raporton “Times of Israel”. Sipas ushtrisë, “terroristët po përdornin shkollën për të planifikuar dhe kryer sulme kundër trupave izraelite që vepronin në Gaza”.
Në përpjekje për të forcuar radhët e ushtrisë, Izraeli do të fillojë rekrutimin për të rinjtë ortodoksë të dielën. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi ushtarak, sipas të cilit kjo “është pjesë e programit të ushtrisë për të promovuar integrimin e anëtarëve të komunitetit ortodoks në radhët e saj”. Së fundmi, një vendim historik i Gjykatës së Lartë vendosi shërbimin ushtarak edhe për të rinjtë fetarë, një veprim që komuniteti fetar po e kundërshton.
Çështja ka nxitur protesta nga hebrenjtë ultra-ortodoksë, të cilët përbëjnë 13% të popullsisë 10 milionëshe të Izraelit – një shifër që pritet të arrijë në 19% deri në vitin 2035. Refuzimi i tyre për të shërbyer në luftërat që ata përgjithësisht mbështesin është një përçarje e gjatë në shoqërinë izraelite.