A do të kërkojë negociata me Izraelin lideri i ri i Hezbollahut?
Grupi i armatosur libanez, Hezbollah, e emëroi më 28 tetor Naim Qassemin si sekretar të përgjithshëm, duke e zgjedhur atë nga një grup i vogël kandidatësh.
Qassemi, i cili kishte shërbyer si zëvendëssekretar i përgjithshëm i Hezbollahut prej vitit 1991, e pason liderin e kamotshëm Hassan Nasrallah, i cili u vra nga një sulm i madh ajror izraelit më 27 shtator.
Edhe pasuesi i pritur i Nasrallahut, Hashem Safieddine, u vra nga Izraeli një javë më vonë, duke mos i lënë grupit zgjidhje tjetër pos ta emërojë Qassemin.
Hezbollahu – i cili e ka edhe një parti politike që përfaqësohet në parlamentin e Libanit – cilësohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, megjithëse Bashkimi Evropian e ka në listën e zezë vetëm krahun e tij të armatosur.
Qassemi shpesh vlerësohet se i ka udhëhequr përpjekjet e Hezbollahut për t’u shndërruar nga thjesht një grup i armatosur militant në një forcë politike mbizotëruese në Liban, pasi ai i ka përqendruar shkrimet e tij kryesisht në themelet ideologjike dhe fetare të grupit e jo në strategjinë ushtarake.
Emërimi i një figure politike me përvojë mund të sugjerojë se Hezbollahu po përgatitet për bisedime me Izraelin për t'i dhënë fund konfliktit të tanishëm, edhe pse Izraeli nuk ka treguar ndonjë shenjë se dëshiron të takohet.
I lindur më 1953 në qytetin Kfar Fila në jug të Libanit, Qassemi iu bashkua Hezbollahut në vitet e para të themelimit të grupit në vitet ’80. Megjithëse nuk është anëtar themelues, ai u ngrit shpejt në radhët e grupit dhe u emërua zëvendës i sekretarit Abbas al-Musawi, i cili ishte shef i atëhershëm i Hezbollahut dhe njëri nga themeluesit.
Pas vdekjes së Musawit në një operacion izraelit një vit pas emërimit të tij, Nasrallahu u zgjodh udhëheqës i ri i Hezbollahut dhe Qassem e ruajti pozitën e tij.
Sikurse Nasrallahu, edhe Qassemi ka lidhje shumë të ngushta me Teheranin. Për dallim nga paraardhësi i tij, megjithatë, udhëtimet e tij në Iran nuk kanë qenë të fshehta. Ai është fotografuar shpesh me zyrtarë iranianë dhe udhëtoi për në Teheran në korrik për të marrë pjesë në përurimin e presidentit Masud Pezeshkian.
Shtetet e Bashkuara e shpallën Qassemin “terrorist të veçantë global” në vitin 2018 dhe më pas vendosën sanksione ndaj tij si pjesë e një lufte më të gjerë ndaj rrjetit financiar të Hezbollahut.
Duke udhëhequr përpjekjet politike të grupit, Qassem ka qenë i angazhuar në organizimin e fushatave politike të Hezbollahut prej kur grupi filloi të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në vitin 1992.
Qassem ka qenë i rëndësishëm në formësimin e qëndrimit ideologjik dhe fetar të Hezbollahut, shpesh duke shkruar për themelet politike dhe fetare të grupit. Ai botoi një libër në vitin 2005 me titullin “Hezbollahu: Historia nga brenda”, i cili synonte të ofronte një vështrim të brendshëm mbi themelimin e grupit dhe qëllimet e tij, duke përfshirë luftën kundër Izraelit.
Hezbollahu ka pësuar goditje të rënda në muajt e fundit, pasi Izraeli po vazhdon t’i rrënojë kapacitetet e tij ushtarake dhe t’i eliminojë udhëheqësit e tij. Qassem është praktikisht figura e vetme e njohur e Hezbollahut përtej kufijve të Libanit.
Derisa Këshilli Vendimmarrës Shuras i Hezbollahut nuk kishte shumë zgjedhje për ta emëruar pasuesin e Nasrallahut, emërimi i Qassemit mund të sinjalizojë gjithashtu gatishmërinë e grupit për t'i dhënë fund konfliktit me Izraelin.
“Duke mos zgjedhur një figurë ushtarake, por duke përzgjedhur Naim Qassemin, Irani dhe Hezbollahu po përgatiten për përfundimin e luftës së tanishme me Izraelin”, shkroi në X Lina Khatib, drejtoreshë e Institutit të Lindjes së Mesme në Shkollën për Studime Orientale dhe Afrikane të Londrës.
“Hezbollahut i duhet një ndërmjetës politik me përvojë në krye për ta përgatitur terrenin për negociata politike me kundërshtarët e tij”, shtoi ajo.
Por, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, e përjashtoi shpejt mundësinë e diplomacisë me grupin e mbështetur nga Irani, duke shkruar në X për emërimin e Qassemit: “Emërim i përkohshëm. S’do të zgjasë”. /REL