
Dyqanet janë bosh sot në gjithë Kroacinë, nis bojkoti i qytetarëve shkaku i çmimeve të larta
Të premten në Kroaci filloi bojkoti i parë i përgjithshëm i dyqaneve ushqimore, zinxhirëve të shitjes me pakicë dhe pikave të karburanteve në një përgjigje ndaj rritjes së çmimeve.
Nisma është iniciuar nga një grup në Facebook me emrin “Përshëndetje, inspektorë” dhe e njëjta është përkrahur nga sindikatat e disa subjekte politike.

Siç raportojnë mediat kroate, dyqanet gjatë ditës së sotme ishin pothuajse krejtësisht të boshatisura. Edhe parkingjet e zinxhirëve me pakicë të shitjes, janë të braktisura nga veturat.
Sindikatat vlerësojnë se ky është një hap kyç në luftën kundër inflacionit, i cili ndikon në standardin e qytetarëve.
Opozita dhe partia në pushtet mbështetën qytetarët në mënyrë të papritur, derisa sindikatat propozuan masa konkrete, duke përfshirë uljen e TVSH-së dhe stimulues për prodhuesit vendorë.

Ekonomistët mbeten skeptikë, duke argumentuar se bojkoti njëditor nuk do të ndikojë ndjeshëm në inflacion. Të dhënat për llogaritë e fiskalizuara të premten do të tregojnë efektin real të këtij veprimi.
Kroacia është vendi me një nga normat më të larta të inflacionit në BE.
