Disa të lënduar rëndë pasi një automjet u përplas me turmën e njerëzve në Los Angeles

Disa të lënduar rëndë pasi një automjet u përplas me turmën e njerëzve në Los Angeles

Bota July 19, 2025 - 13:49

Të paktën pesë persona janë në gjendje kritike pasi një automjet raportohet se ka hyrë në një turmë njerëzish në Los Angeles, duke shkaktuar panik dhe një numër të madh të lënduarish.

Incidenti ndodhi në bulevardin Santa Monica, një zonë shumë e frekuentuar dhe e njohur për turistët dhe banorët lokalë, vetëm pak hapa larg nga Hollywoodi.

Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi në orët e pasdites dhe ka përfshirë një numër të konsiderueshëm kalimtarësh që ndodheshin në trotuar në momentin e përplasjes, shkruan SkyNews.

Departamenti i Zjarrfikësve të Los Angelesit (LAFD) ka bërë të ditur se të paktën 20 persona janë lënduar. Nga ta, katër deri në pesë persona ndodhen në gjendje kritike dhe po trajtohen në spital nën kujdes intensiv. Tetë deri në dhjetë persona janë në gjendje të rëndë por stabile, ndërsa rreth 10 deri në 15 të tjerë kanë marrë lëndime të lehta dhe janë në gjendje të qëndrueshme.

“Departamenti i Zjarrfikësve të Los Angeles-it (LAFD) po koordinon transportimin e pacientëve drejt spitaleve më të afërta,” thuhet në një deklaratë zyrtare të lëshuar nga autoritetet.

Ekipet e emergjencës kanë reaguar me shpejtësi, ndërkohë që policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e incidentit dhe nëse bëhet fjalë për një akt të qëllimshëm apo një aksident tragjik.

Ngjarja ka tronditur banorët e zonës, ndërsa dëshmitarët kanë treguar për skena kaotike dhe përpjekje për t’i dhënë ndihmën e parë të lënduarve para mbërritjes së ekipeve të shpëtimit. Më shumë detaje pritet të publikohen në orët në vijim. /Telegrafi