U vranë brutalisht në Dubai, zbulohen detaje nga ngjarja e çiftit rus
Një ngjarje makabre ka tronditur Emiratet e Bashkuara Arabe, ku një çift rus u rrëmbye dhe u vra brutalisht pasi u josh me premtimin për një takim me “investitorë”.
Viktimat janë Roman Novak, 38 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Anna, të cilët prej vitesh jetonin në Dubai dhe shfaqnin në rrjete sociale një jetë luksoze me makina sportive e udhëtime me avionë privatë.
Çifti u zhduk një muaj më parë pasi udhëtuan drejt resortit malor Hatta. Sipas hetimeve, shoferi i tyre personal i kishte dërguar deri në një parking pranë liqenit, ku më pas ata u transferuan në një tjetër automjet.
Pak çaste më vonë, Novak kishte dërguar një mesazh të dëshpëruar, “kam ngecur në male, pranë kufirit me Omanin, më duhen urgjentisht 152 mijë paund.” Pas kësaj, kontakti u ndërpre dhe nuk u dëgjua asgjë për ta.
Trupat e tyre të copëtuar u gjetën më pas të varrosur në një zonë shkretëtire. Autoritetet ruse dhe ato të Dubait identifikuan tre të dyshuar rusë, një ish-hetues vrasjesh dhe dy ish-luftëtarë nga lufta në Ukrainë, si autorë të krimit. Ata dyshohet se rrëmbyen çiftin, për t’i marrë fjalëkalimin e portofolit të kriptomonedhës së Novakut, por ky rezultoi bosh.
Mediet ruse raportojnë se Novak ishte nën hetim për mashtrime me kripto që kapnin shifrën e 38 milionë paundëve, ndërsa pas vdekjes së tij, fëmijët e çiftit janë marrë në kujdestari nga prindërit e Annës.