Pas shfaqjes së arinjve në fshat, shkolla në Bellobrad kërkon masa sigurie nga Policia
Shkolla “Sezai Surroi” në Bellobrad të Dragashit ka dërguar një kërkesë zyrtare drejt Policisë së Kosovës për ndërmarrjen e masave të menjëhershme të sigurisë pas paraqitjes së arinjve në këtë fshat.
Në kërkesën e publikuar në faqen zyrtare në Facebook, thuhet se prania e këtyre kafshëve të egra po paraqet rrezik serioz për nxënësit e kësaj shkolle, stafin arsimor, por edhe për të gjithë banorët e fshatit.
“Kërkesë për ndërmarrjen e masave të sigurisë lidhur me paraqitjen e arinjve në fshat. Në emër të SHFMU ‘Sezai Surroi’ Bellobrad, ju drejtohemi me këtë kërkesë që të ndërmerrni masa të menjëhershme sigurie për eliminimin ose largimin e arinjve që janë shfaqur në territorin e fshatit tonë. Prania e këtyre kafshëve të egra po paraqet rrezik serioz për nxënësit e shkollës sonë, për stafin arsimor, si dhe për të gjithë banorët e fshatit, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit dhe pasdites, kur nxënësit udhëtojnë drejt dhe nga shkolla”, thuhet në kërkesën drejtuar Policisë.
