Australia kërkon ligje më të rrepta për armët, pas sulmit në Bondi Beach
Australia është tronditur nga një sulm i përgjakshëm me armë në Bondi Beach të Sidneit, ku dy persona hapën zjarr ndaj qindra njerëzve që ishin mbledhur për të festuar natën e parë të Hanukës. Sulmi, i cilësuar nga autoritetet si akt terrori dhe antisemitizmi, la 15 persona të vdekur dhe 38 të plagosur, shumë prej të cilëve ndodhen ende në spital.
Viktima më e re ishte Matilda, një vajzë 10-vjeçare, e cila po festonte me familjen e saj. Ajo u plagos rëndë dhe humbi jetën në spital, duke u bërë simbol i tragjedisë dhe dhimbjes që ka shkaktuar ky sulm në mbarë vendin.
Policia konfirmoi se autorët e dyshuar ishin babë e bir. Babai 50-vjeçar, i cili kishte një licencë ligjore për armë gjuetie dhe ishte anëtar i një klubi armësh, u qëllua për vdekje nga policia në vendngjarje.
Djali i tij 24-vjeçar, i lindur në Australi, ndodhet në spital në gjendje të qëndrueshme dhe pritet të përballet me akuza penale. Autoritetet zbuluan se ai kishte qenë më parë në vëmendjen e shërbimeve të sigurisë, por nuk ishte konsideruar kërcënim për dhunë.
Gjatë sulmit, një qytetar i zakonshëm, Ahmed al Ahmed, tregoi guxim të jashtëzakonshëm duke u përleshur me njërin nga sulmuesit dhe duke i marrë armën, veprim që besohet se shpëtoi shumë jetë. Ai u plagos dhe ndodhet në spital, ndërsa është vlerësuar gjerësisht si hero.
Pas ngjarjes, policia bastisi një shtëpi në një periferi të Sidneit në lidhje me hetimet, ndërsa fqinjët përshkruan skena kaosi dhe frike.
Kryeministri australian Anthony Albanese e quajti sulmin “një akt të pastër të së keqes” dhe u zotua për ashpërsimin e mëtejshëm të ligjeve për armët, edhe pse Australia tashmë ka disa nga më të rreptat në botë.
Edhe kryeministri i Uellsit të Ri Jugor, Chris Minns, premtoi një përgjigje të fortë dhe ndryshime ligjore të shpejta.
Ngjarja ka ngjallur reagime të forta brenda dhe jashtë Australisë. Udhëheqës botërorë dënuan sulmin dhe shprehën solidaritet me komunitetin hebre, i cili ka paralajmëruar për rritje të antisemitizmit dhe frikës për sigurinë e tij. /rtklive