Spanja shpall tri ditë zie, teksa rritet numri i viktimave nga përplasja e trenave
Nga e marta, për tri ditë rresht në Spanjë është shpallur ditë zie, në nderim të 40 personave që u vranë pasi dy trena të shpejtë u përplasën gjatë fundjavës.
Përplasja e trenave, që ndodhi të dielën mbrëma, është aksidenti më vdekjeprurës në Spanjë që nga viti 2013, kur 80 persona vdiqën pasi një tren doli nga shinat në qytetin Santiago de Kompostela.
Aksidenti i fundit ndodhi kur një tren që po operohej nga kompania Iryo, që po udhëtonte nga Malaga për në Madrid, doli nga shinat afër Adamuzit në rajonin jugor të Andaluzisë. Treni doli në anën tjetër të shinave dhe u përplas me një tren që po vinte nga drejtimi i kundërt.
“Kjo është një ditë e dhimbjes për gjithë Spanjën, për gjithë kombin”, tha kryeministri Petro Sanchez, gjatë një adresimi për gazetarë kur qëndroi në Adamuz të hënën dhe njoftoi për shpalljen e tri ditëve të zisë.
“Ne do të marrim përgjigje dhe sapo të kuptohet shkaku i tragjedisë dhe ne do të njoftojmë për të me transparencë absolute”.
Dyzet persona janë konfirmuar se kanë vdekur si pasojë e përplasjes, tha kreu i qeverisë rajonale në Andaluzi, Juan Manuel Moreno. Shifrat paraprake të paraqitura nga autoritetet spanjolle thoshin se 39 persona kishin humbur jetën në aksident.
Moreno shtoi se do të duhen 24-48 orë “për të ditur me siguri se sa vdekje u shkaktuan nga ky aksident i tmerrshëm”.
Makineri të rënda u dislokuan në vendngjarje të hënë për të larguar vagonët e dëmtuar të trenave dhe për t’iu mundësuar qasje ekipeve të shpëtimit.
Më shumë se 120 persona janë plagosur si pasojë e aksidentit dhe 41 janë ende në spitalet në qytetin Kordoba, tha Moreno.
Familjarët dhe miqtë e pasagjerëve të zhdukur kanë përdorur rrjetet sociale për të publikuar fotografitë e më të dashurve të tyre në përpjekje për t’i gjetur.
Përplasja e trenave ndodhi në një segment të drejtë të hekurudhës, kur të dy trenat po udhëtonin brenda limitit të shpejtësisë, thanë zyrtarët spanjollë.
Ministri i Transportit, Oscar Puente, tha se treni i parë që devijoi rrugën ishte “praktikisht i ri” dhe segmenti hekurudhor ku ndodhi fatkeqësia ishte renovuar së voni, duke e bërë aksidentin “shumë të çuditshëm”.
Operatori i trenit, Iryo tha se lokomotiva u ndërtua më 2022 dhe inspektimin e fundit e pati vetëm tri ditë para aksidentit. Sipas kompanisë, është e paqartë pse treni doli nga shinat.
Iryo tha se afër 300 persona po udhëtonin me këtë tren kur ndodhi aksidenti.
Renfe, operatori i trenit të dytë që u përfshi në aksident tha se po transportonte 184 pasagjerë.
“Gabimi njerëzor praktikisht është përjashtuar”, tha presidenti i Renfesë, Alvaro Fernandez Heredia, për radion publike spanjolle RNE.
Heredia po ashtu përjashtoi mundësinë që aksidenti të jetë shkaktuar për shkak të shpejtësisë. Sipas tij, të dy trenat po udhëtonin me një shpejtësi që ishte pak mbi 200 kilometra në orë, pra nën 250 kilometra në orë sa ishte limiti për atë segment të hekurudhës.
Spanja ka rrjetin më të madh në Evropë për trenat e shpejtë me mbi 3 mijë kilometra hekurudhë që lidhin qytetet e mëdha përfshirë Madridin, Barcelonën, Seviljan, Valencian dhe Malagën. /Rel