Për dy javë nga Serbia hyjnë 38 kamionë me mallra
Foto: Laura Hasani

Për dy javë nga Serbia hyjnë 38 kamionë me mallra

Ekonomia dhjetor 05, 2018 - 07:54
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës 100 për qind ndaj produkteve që importohen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina i ka dhënë menjëherë efektet e saj. Prej ditës së vendosjes së kësaj mase në kufirin kosovar kanë arritur të depërtojnë vetëm 38 kamionë me mallra nga Serbia dhe 11 nga Bosnja në vlerë të 140 mijë eurove, sa kanë paguar edhe masën mbrojtëse për të hyrë në shtetin tonë, shkruan sot Gazeta Zëri.

Nga 100 kamionë me targa serbe, sa hynin në Kosovë brenda një dite të vetme, vetëm 38 të tillë kanë hyrë për gati dy javë prej ditës kur u vendos masa prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve që origjinë kanë shtetin serb e Bosnjë e Hercegovinën.

LEXO EDHE: S’ka viza, s’ka as dorëheqje!

Zyrtari për Informim në Doganën e Kosovës (DK), Adriatik Stavileci, në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri” ka treguar se nga terreni deri më tani kanë pasur 38 importe nga Serbia dhe 11 nga Bosnja.

“Deri tani sipas informatave nga terreni kemi pasur rreth 38 importe nga Serbia dhe 11 nga Bosnja, kryesisht kanë qenë me lëndë të parë për prodhim me vlera të ulëta, pra vlera e tyre ka qenë rreth 140 mijë euro, deri po aq sa kanë paguar edhe masë mbrojtëse”, ka thënë Stavileci.

Por vendosja e kësaj takse nuk u mirëprit nga ndërkombëtarët. Komisionari evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe të Zgjerimit, Johanes Hahn, të hënën qëndroi me një vizitë zyrtare në Kosovë pikërisht për këtë çështje. Hahn kërkoi urgjentisht tërheqjen e kësaj takse. Të njëjtën tërheqje janë duke e kritikuar përfaqësuesit e shoqërisë civile në Kosovë, derisa ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, shprehet i palëkundur karshi vendimit.

Në një prononcim për gazetën “Zëri” Shala thotë se kjo masë i ndihmon ekonomisë së Kosovës që ta mbrojë nga dy vende që qe 20 vjet kanë punuar për ta dëmtuar shtetin e Kosovës.

“Arsyet pse Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës janë tashmë të ditura. Taksa do të vazhdojë të mbetet në fuqi. Kjo masë nuk e dëmton assesi Kosovën, veç i ndihmon në ekonominë e Kosovës, e mbron nga dy vende që permanentë çdo ditë qe 20 vjet kanë punuar ta dëmtojnë shtetin e Kosovës dhe ekonominë e Kosovës”, deklaroi Shala.

Më tutje ai u shpreh i bindur se kjo masë do të vazhdojë të mbetet në fuqi. “Masa e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës 100 për qind dhe të mos lejohet të hyjë mall që në deklaracion nuk i referohet Kosovës si shtet vazhdon të mbetet në fuqi”, ka theksuar në mes të tjerash.

Presioni i padrejtë i ndërkombëtarëve:

Presonin e ndërkombëtarëve lidhur me vendosjen e kësaj mase po e cilësojnë si të padrejtë ekspertët e çështjeve ekonomike, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Ata po kërkojnë që ndërkombëtarët të veprojnë njësoj me barrierat për shtetin serb njësoj si për Kosovën.

Diana Metushi-Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka përmendur një varg mosnjohjesh që shteti serb i bën karshi Kosovës duke shkelur marrëveshjet ndërkombëtare.

“Presioni i ndërkombëtarëve lidhur me taksën është shumë i padrejtë duke pasur parasysh që BE-ja asnjëherë nuk ka reaguar kundrejt Serbisë për mosnjohjen e vulës, të banderolave e të certifikatave të inspektimit. Këtu kemi një drejtësi të njëanshme ose padrejtësi, meqenëse Serbisë asnjëherë nuk i është vendosur një kusht që vendos Kosovën në nivel të barabartë si dy shtete të rajonit”, është shprehur Metushi-Krasniqi.

Sipas saj, kushtet dhe kritikat gjithmonë vendosen kundër Kosovës, ndërsa shteti nuk merr diçka konstruktive në përgjigje të veprimeve ose presioneve ndërkombëtare.

“Gjithmonë kushtet vendosen kundër Kosovës, kritikat kundër Kosovës. Ne si shtet nuk po marrim diçka konstruktive në përgjigje të veprimeve ose presioneve të ndërkombëtarëve. Presioni për heqjen e taksës si kushtëzim për liberalizimin e vizave ishte një zhgënjim i madh, sidomos kur kemi të bëjmë me BE-në, që nuk është pronare e CEFTA-s, por thirret në Marrëveshje të CEFTA-s, edhe një presion i tillë për sa vite nuk është bërë kundrejt Serbisë që produktet e Kosovës të mundë të eksportohen në Serbi”, ka shtuar ajo.

Në anën tjetër, presionin si të padrejtë e ka cilësuar edhe njohësi i ekonomisë, Naim Gashi. Gashi për gazetën “Zëri” ka thënë se ky presion është i padrejtë për faktin se BE-ja nuk ka reaguar asnjëherë ndaj Beogradit që nuk i ka respektuar 33 marrëveshje të nënshkruara nga ana e Kosovës.

“Presioni i BE-së vetëm ndaj Kosovës është i padrejtë për faktin se BE-ja asnjëherë nuk ka reaguar ndaj Beogradit zyrtar, i cili 33 marrëveshje të nënshkruara nga ana e Kosovës nuk i ka respektuar”, ka treguar Gashi.

Gashi ka thënë se BE-ja nuk ka reaguar asnjëherë për bllokadën që Serbia ia ka bërë Kosovës me humbjen e miliona eurove.

“BE-ja nuk ka reaguar asnjëherë për bllokadën që Serbia ia ka bërë Kosovës për vënien në funksion të transmisionit të energjisë me Shqipërinë, ku deri në 40 milionë euro janë humbjet në vit për Kosovën, as për bllokadën në urën e Ibrit, të funksionimit të përbashkët doganor në Merdarë dhe në pikat tjera, kanë përfunduar punimet dhe janë joaktive se Serbia po refuzon t’i zbatojë, nuk po i njeh diplomat tona, certifikatat dhe origjinat e mallit dhe asnjëherë BE-ja nuk ka reaguar në raport me Kosovën. Presioni ndërkombëtar është i madh dhe nuk e di se sa Qeveria do të jetë në gjendje të përballojë presionin”, ka potencuar ai.

Qeveria e Kosovës para dy javësh mori vendim që t’ia vendosë masën nga 10 për qind në 100 për qind të gjitha produkteve që importohen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Haradinaj u dërgon letër të gjitha shteteve të BE-së për taksën ndaj Serbisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ua ka nisur një letër të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian, e cila ndërlidhet me vendimin e Qeverisë së tij për taksën prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, shkruan gazeta “Express”.

Në këtë letër kryeministri Haradinaj ka treguar se Republika e Kosovës në vazhdimësi ka respektuar në plotësi të gjitha marrëveshjet (CEFTA-n) dhe të gjitha obligimet, mirëpo të njëjtën gjë nuk e kanë bërë Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Haradinaj në këtë letër ka thënë se Serbia e Bosnja së bashku kanë shkelur detyrimet e CEFTA-s, kanë ndërhyrë në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe kanë kërcënuar sigurinë dhe politikat publike të Kosovës.

“Përderisa Kosova i zbatonte plotësisht obligimet e saj, ajo vazhdimisht përballej dhe raportonte për mosrespektimin nga Republika e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës të obligimeve që dilnin nga CEFTA dhe ligjet e tjera të zbatueshme ndërkombëtare. Të dyja këto shtete kanë bërë veprime të cilat shkelin detyrimet e CEFTA-së, ndërhyjnë në rendin e brendshëm kushtetues dhe kërcënojnë sovranitetin, sigurinë dhe politikat publike të Kosovës. Në rastin e Republikës së Serbisë këto veprime janë në kundërshtim edhe me marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu Republika e Serbisë ka shkelur Kapitullin 35 të BE-së për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e cila kërkon “angazhimin e vazhdueshëm të Serbisë drejt një përmirësimi të dukshëm dhe të qëndrueshëm në marrëdhëniet me Kosovën”, thuhet në këtë letër.

Përveç të tjerash, Haradinaj ka treguar edhe për pengesat që kanë bizneset kosovare për eksportimin e mallrave në këto dy shtete. Në këtë letër gjithashtu janë renditur edhe shkeljet që Serbia dhe Bosnja kanë bërë sa i përket marrëveshjes së CEFTA-s.

“Neni 1 [Objektivat] – shih paragrafin 15 (xi) më poshtë, Neni 3 [Kufizimet sasiore] – shih paragrafin 15 (xii) më poshtë, Neni 12 [Masat sanitare dhe fitosanitare] – shih paragrafin 15 (xa) më poshtë, Neni 13 [Barrierat teknike në tregti] – shih paragrafin 15 (x) më poshtë, Neni 21 [Ndihma shtetërore] shih paragrafin 13 më poshtë, Neni 25 [Vështirësitë në bilancin e pagesave] – shih paragrafin 14 më poshtë, Neni 30-32 [Nenet që ndërlidhen me investimet] – shih paragrafin 15 (xiii) më poshtë”, shkruhet në këtë letër.

Si përgjigje ndaj këtyre shkeljeve dhe në mbrojtje të rendit kushtetues Haradinaj thotë se Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendimin për taksë prej 100 për qind.  

Vendosjen e taksës e ka kundërshtuar edhe Bashkimi Evropian, megjithatë Qeveria e Kosovës mbetet e vendosur për vendimin e marrë para pak kohësh.

Për këtë taksë serbët në veri janë duke organizuar protesta prej ditësh, ndërsa dje për të njëjtën çështje në Kosovë ka qëndruar komisionari Johanes Hahn, i cili ka kërkuar vazhdimisht zhbërjen e vendimit për taksën.