Ish-punëtorët e ndërmarrjes 'Ramiz Sadiku' protestuan për 20-përqindëshin

Ish-punëtorët e ndërmarrjes 'Ramiz Sadiku' protestuan për 20-përqindëshin

Ekonomia dhjetor 05, 2018 - 13:29
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Një grup i punëtorëve të ndërmarrjes ndërtimore “Ramiz Sadiku” në Prishtinë kanë protestuar sot në kërkim të përfshirjes së tyre në listën e përfituesve të fondit 20 përqindësh të privatizimit.

Sot, rreth orës 11:00, para objektit të Prokurorit të Shtetit, në Prishtinë, kanë protestuar ish punëtorët e ndërmarrjes ndërtimore ‘’Ramiz Sadiku’’, me përfaqësuesin e saj Idriz Zhinipotoku, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre për shkak të mos pagesës prej 20%, nga shitja e aseteve të kësaj ndërmarrjeje.

Gjithashtu, përfaqësuesit e saj, u pritën në takim nga zëvendëskryeprokurorja e shtetit, Sevdije Morina dhe prokurori Idain Smailji, të cilët diskutuan për këtë rast.

Gjatë këtij takimi, përfaqësuesit shprehën pakënaqësitë e tyre sa i përket manipulimit mbi ndërmarrjen e tyre dhe kërkuan që Prokuroria e Shtetit të merret me hetimin e listës së kësaj ndërmarrje, duke theksuar se aty janë futur persona në mënyrë të pamerituar, të cilët edhe kanë marrë këtë përqindje, duke mos qenë asnjëherë pjesë e kësaj organizate.

Prokuroria e Shtetit, me qëllim të ndriçimit të kësaj çështje, me përkushtim do të merret me hetimin e këtyre listave, të cilat dyshohet se janë manipuluar.