15 milionë euro 'plaçkë' në emër të sigurisë
Foto: Laura Hasani

15 milionë euro 'plaçkë' në emër të sigurisë

Ekonomia dhjetor 07, 2018 - 07:55
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Në emër të tarifës së sigurisë prej 2 eurosh nga viti 2009 e deri më tash Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) ka marrë nga qytetarët që kanë udhëtuar me avion nga Prishtina drejt shteteve të ndryshme të botës hiç më pak se 15 milionë euro. Drejtori i deritanishëm i AAC-së, Driton Gjonbalaj, ka marrë pagën vjetore edhe një herë më të lartë se të kryeministrit aktual Ramush Haradinaj, shkruan sot Gazeta Zëri. 

Hiç më pak se 15 milionë euro ua ka marrë qytetarëve të Kosovës Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) në emër të taksës së sigurisë nga viti 2009 e deri më tash. Sipas vendimit në AAC-së, çdo qytetar që fluturon nga aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” për në shtete të ndryshme të botës në emër të kësaj takse duhet të paguajë 2 euro.

LEXO EDHE: Shpendi 'tradhton' Prishtinën

Një pjesë e këtyre mjeteve shpenzohen për paga të larta, shkollim dhe edukim të stafit të AAC-së, derisa pjesa e mbetur derdhet në buxhetin e shtetit. Mirëpo një praktikë e tillë e “plaçkitjes” së udhëtarëve nuk aplikohet edhe në vende të rajonit, por edhe më larg.

Në Shqipëri çdo qytetar që ka fluturuar nga aeroporti i “Rinasit” në emër të taksës së sigurisë paguan vetëm 1 euro, ose 50% më pak sesa taksa që e aplikon në vendin tonë Autoriteti i Aviacionit Civil, derisa në shtete të BE-së, por edhe më larg taksa e sigurisë rregullohet në atë formë që mjetet e grumbulluara të jenë të nevojshme për funksionimin normal të Autoritetit.

Bujar Ejupi, njohës i mirë i fushës së Aviacionit në vend, thotë se AAC-ja çdo fundvit duhet të kalkulojë taksën e sigurisë e jo sipas tij të mbetet e njëjtë prej më shumë se një dekade.

“Nuk ka asnjë fije logjike që mjetet që paguajnë qytetarët në emër të sigurisë prej 2 eurosh të derdhen në buxhetin e shtetit. Autoriteti i Aviacionit Civil brenda një viti ka shpenzime rreth 800 mijë euro dhe ajo duhet ta kalkulojë taksën në madhësi që mbulon vetëm këto shpenzime e jo për shpenzime tjera enorme siç janë edhe pagat shumë të larta në këtë institucion”, ka thënë për gazetën “Zëri” Ejupi.

Sipas tij, është momenti i fundit kur duhet të ndryshohet kjo praktikë, ku edhe vendi ynë duhet të aplikojë standarde dhe taksa sikurse çdo vend tjetër i botës.

Në anën tjetër, zyrtarë nga AAC-ja thonë se tarifa e sigurisë së udhëtarëve në vlerë prej 2.67 eurosh ka filluar të mblidhet që nga viti 2003 në bazë të Udhëzimit Administrativ nr. 2003/14 të UNMIK-ut për të mbuluar kostot operative të Zyrës Rregullative të Aviacionit Civil. Sipas tyre, që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Aviacionin Civil më 2008-n dhe themelimi i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) më 1 janar 2009 mbledhja e kësaj tarife ka bazën ligjore në Rregulloren nr. 2008/7 të MTPT-së, e cila e ka zvogëluar këtë tarifë në 2 euro.

“Këtë tarifë sigurie e paguan secili person që udhëton me fluturime komerciale nga Kosova përveç nëse personi i tillë është nën moshën dyvjeçare, është anëtar i ekuipazhit të linjës ajrore ose ka ndërruar itinerarin e fluturimit pa dëshirën e tij. Të hyrat nga kjo tarifë derdhen në buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e AAC-së.

Sipas tyre, në pajtim me Ligjin për Aviacionin Civil një pjesë nga fondet e mbledhura nga kjo tarifë sigurie i ndahen Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për mbulimin e shpenzimeve të tij operative, që do të thotë kryerjen e përgjegjësive të tyre në rregullimin e sigurisë së aviacionit civil dhe rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe ofruesve të shërbimeve të navigacionit ajror në Republikën e Kosovës.

“AAC-së i ndahen rreth 50% të të hyrave të dedikuara, ndërsa pjesa tjetër alokohet sipas nevojave të shtetit përmes Ligjit të Buxhetit”, thuhet më tutje në përgjigjen e AAC-së.

Gjonbalaj kishte pagën dyfish më të lartë se të kryeministrit

Por, duke u bazuar në dokumentet zyrtare, shihet se gjatë vitit 2017 të hyrat totale të AAC-së kanë qenë 1.865.064 euro e ku nga kjo shumë 639.919 janë shpenzuar për paga të punëtorëve të këtij institucioni.

Në raportin vjetor të vitit 2017 thuhet se në fund të vitit që kemi lënë pas AAC-ja kishte 29 punëtorë, ku 27 prej tyre ishin pozita të karrierës me akt-emërime, ndërsa 2 pozita janë të emëruara. Duke bërë një përllogaritje të thjeshtë del se paga mesatare në këtë institucion është hiç më pak se 1975 euro, ose 5 herë më e lartë sesa është paga mesatare e punëtorëve në Republikën e Kosovës.

Por, në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit shihet se drejtori i deritanishëm i këtij institucioni, Driton Gjonbalaj, ka vetëdeklaruar se për punën që bën brenda një viti merr një pagë vjetore prej 29.892.15 eurosh, pa ia llogaritur këtu edhe të hyrat tjera që merr Gjonbalaj, siç është pensioni i invalidit të UÇK-së në vlerë prej 3.816 eurosh, por edhe të hyra tjera nga angazhimet.

E në anën tjetër kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në formularët që ky vetë i ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit shihet se merr një pagë përgjysmë më të vogël sesa kjo e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës. Paga vjetore që Haradinaj e ka deklaruar shihet se është 13.568.40 euro.

45 mijë euro për udhëtime jashtë shtetit

Duke u bazuar në dokumentet zyrtare shihet se vetëm gjatë vitit që lamë pas për udhëtime zyrtare jashtë vendit janë shpenzuar hiç më pak se 45 mijë e 623 euro, ku nga kjo shumë 13.500 euro janë shpenzime për udhëtime zyrtare jashtë vendit, 15 mijë euro mëditje për udhëtime zyrtare jashtë vendit, 13.800 euro akomodim për udhëtime zyrtare jashtë vendit, si dhe 3.323 euro për shpenzime tjera për udhëtime zyrtare jashtë vendit.

Po ashtu gjatë vitit që lamë pas një shumë e konsiderueshme e mjeteve prej 18.220 eurosh janë shpenzuar për shërbime arsimi dhe trajnime.

Gjithnjë duke u bazuar në dokumente zyrtare shihet se një shumë tjetër e mjeteve prej 20.860 eurosh gjatë vitit që lamë pas janë shpenzuar për shërbime të ndryshme intelektuale dhe këshillëdhënëse, gjatë vitit 2017 po ashtu institucioni që drejton Gjonbalaj ka shpenzuar edhe një shumë të mjeteve prej 11.071 eurosh për furnizim me ushqim dhe pije, dreka jozyrtare e derisa për këtë të fundit brenda një viti i kanë shpenzuar 2.100 euro.

Subvencionimi rriti numrin e udhëtarëve në Maqedoni

Në anën tjetër, burime të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se Kosova është anëtare e Marrëveshjes ECAA me shtetet e BE-së dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, e nënshkruar nga UNMIK-u në vitin 2006, sipas së cilës ndalohet ndihma shtetërore për kompanitë ajrore, por dihet se Maqedonia ka subvencionuar për vite me radhë kompani ajrore të cilat operojnë nga aeroporti i Shkupit.

“Këtë gjë e kanë ditur mirë autoritetet maqedonase, prandaj edhe kanë vepruar asisoj, por pse Kosova ka heshtur ose të paktën nuk është përgjigjur në të njëjtën mënyrë. ANP “Adem Jashari” ka pritur 10 vjet që të arrijë numrin 2 milionë të udhëtarëve të saj, ndërsa aeroporti i Shkupit ka trefishuar numrin e udhëtarëve vetëm për pak vite, duke përfituar nga heshtja dhe abstinenca e autoriteteve kosovare. Më një politikë proaktive numri prej 2 milionësh i udhëtarëve do të mundë të arrihej shumë më shpejt”, bën të ditur burimi i gazetës.

Sipas tij, fajin për izolim ndërkombëtar të Kosovës në aviacionin civil nuk e kanë autoritetet vendore, por fajin kryesor për mosreagim dhe mossensibilizim të opinionit dhe politikëbërësve vendorë për shkeljet e rregullave ndërkombëtare nga Serbia dhe mosafirmim të aviacionit në nivel bilateral e ka Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës.

Të hyrat nga tarifa e sigurisë

  • 2018    1.901.032
  • 2017    1.847.534                   
  • 2016    1.684.774
  • 2015    1.512.842
  • 2014    1.359.146
  • 2013    1.634.706
  • 2012    1.489.450
  • 2011    1.286.414
  • 2010    1.262.600
  • 2009    1.140.584

Totali 15.119.082

Grafika 2:

29.892.15 € ka qenë paga e drejtorit të deritanishëm të Autoritetit të Aviacionit Civil, Driton Gjonbalaj

Grafika 3:

13.568.40 € është paga vjetore e Ramush Haradinajt, kryeministër i Republikës së Kosovës