MTI: Kosova nuk rrezikon të suspendohet nga CEFTA

Ekonomia December 11, 2018 - 16:56
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Ministri i Tregtisë së Jashtme të Bosnjës, Mirko Sharoviq ka thënë sot se mund të kërkojnë përjashtimin e Kosovës nga CEFTA. Por, nga MTI insistojnë se Kosova nuk është në rrezik.

Ministri i Tregtisë së Jashtme të Bosnjës, Mirko Sharoviq  kishte thënë sot se mund të kërkohet pas vendimit të Kosovës për taksë prej 100 për qind ndaj mallrave që importohen nga Bosnja e Hercegovina.

Sharoviq ka theksuar se nuk kanë nevojë t’i kundërvihen Kosovës me masa të njëjta por mund të kërkojnë ndëshkimin nga marrëveshja që parasheh tregti të lirë.

Mirëpo, në Ministrinë e Tregtisë thonë se Kosova nuk rrezikohet nga suspendimi i CEFTA-së.

“Republika e Kosovës de jure nuk rrezikohet nga suspendimi pasi që palë juridike e CEFTA-së është UNMIK-u”, thuhet në përgjigjen e MTI-së për lajmi.net.

Muajin që shkoi Qeveria e Kosovës mori vendim që taksa ndaj mallrave që importohen nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina të rritet në 100 për qind.

Pala serbe ka thënë se nuk do t’i kundërvihet Kosovës në këtë drejtim mirëpo nëse merren masa shtesa atëherë do të vendos çfarë të bëjë.

Ndaj këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës, ka reaguar Bashkimi Evropian duke kërkuar tërheqjen e menjëhershme.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk do të tërhiqen derisa Serbia ta njohë Kosovën si shtet. Ndërkohë ai ka paralajmëruar edhe masa shtesë.