Kritikohet kryeministri për shtesat e prokurorëve specialë

Ekonomia December 12, 2018 - 08:05
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Me vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës prokurorët specialë do t’i marrin 400 euro si shtesë në pagat e tyre, ndërsa kryeprokurori deri në 500 euro. Vlera e përgjithshme e kësaj ndarjeje financiare rrumbullakohet në 66 mijë e 800 euro. Një vendim i tillë po kritikohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët nuk shprehen të habitur pasi janë mësuar me veprimet e kundërligjshme të Qeverisë, shkruan sot Gazeta Zëri. 

Projektligji për Paga ende është duke u zvarritur në sirtarët e Kuvendit, por kryeministri i Kosovës po vazhdon me ndarjen e mjeteve shtesë për kategori të caktuara.

LEXO EDHE: Ndotja e ajrit vazhdon të jetë alarmante

Vetëm në mbledhjen e fundit kryeministri Ramush Haradinaj mori vendim që të ndahen 66 mijë e 800 euro për shtesat e prokurorëve specialë. Nga kjo shumë 400 euro për prokurorët specialë, ndërsa 500 euro për kryeprokurorin.

Por ndryshe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët po e vënë në “pikëpyetje” ligjshmërinë e vendimit të kryeministrit, është shprehur ministri i Administratës Publike (MAP), Mahir Yagcilar. Yagcilar ka thënë se derisa nuk ka ligj kryeministri ka të drejtë të marrë këtë vendim.

“Derisa nuk ka ligj kryeministri ka të drejtë sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Qeveria ka të drejtë. Por kur aprovohet ligji, duhet të veprohet sipas ligjit. Varet si do të trajtohet me ligj. Ligji duhet t’i parashikojë çështjet sipas rregullimit, nëse aprovohet ligji, ai parashikon këtë çështje. Nuk jam personi i cili mund t’i vlerësoj këto çështje, është Qeveria, është kryeministri”, është shprehur shkurt ministri Yagcilar.

Prokurorët specialë i kanë gëzuar këto shtesa në vazhdimësi, mirëpo vetëm po u shkurtohen përfitimet nga 800 euro në 400 euro.

Të paktën kështu është shprehur ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës të mbajtur të martën.

“Prej themelimit të Prokurorisë Speciale prokurorët kanë pasur shtesa çdo vit, por për shkak të ngritjes së pagave shtesat po i ulim në 400 nga 800 euro. Kjo është një ulje. Nuk do t’i marrin më nga 800 sa i kanë pasur shtesat, por 400 euro”, ka sqaruar Tahiri.

Vazhdimin e praktikës së njëjtë e kanë konfirmuar edhe nga zyra e kabinetit qeveritar. Donjeta Gashi, nga zyra e kryeministrit, në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri” ka thënë se ky vendim do ta stimulojë Prokurorinë të punojë në mënyrë sa më profesionale.

“Ka qenë praktikë e mëhershme dhe vetëm se po vazhdohet. Kjo do të stimulojë Prokurorinë Speciale për shkak të specifikave që ata kanë, të punojnë në mënyrë më profesionale. Ju kujtojmë që këto shtesa janë marrë edhe në vitet paraprake. Këtë herë shuma është më e vogël në krahasim me shtesat që kanë marrë ata në të kaluarën”, është shprehur Gashi.

Haxhiu: Tendenca e Qeverisë për t’i heshtur prokurorët specialë

Ndarja e mjeteve shtesë për prokurorët specialë po cilësohet si tendencë për t’i heshtur ata për vendimin e ngritjes së pagave. Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitet dhe Rregulloren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në një deklaratë dhënë gazetës “Zëri” nuk e quan befasi këtë vendim të nxjerrë nga qeveria “Haradinaj”.

Ajo thotë të jetë mësuar me veprimet e kundërligjshme të kësaj Qeverie.

“Duhet të theksojmë faktin se nuk është befasi që qeveria ‘Haradinaj’ nxjerr veprime të kundërligjshme. Në këtë kuptim dua të them që i vetmi institucion në Republikën e Kosovës, i cili është përgjegjës ose ka kompetencë ngritjen e pagave për institucionet e drejtësisë ose çfarëdo shtese tjetër është Kuvendi.Është për t’u habitur se pse nxirret ky vendim për faktin se tashmë edhe Projektligji për Buxhet për vitin 2019, por edhe Projektligji për Pagat është duke u trajtuar në komisionet parlamentare”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu vë mëdyshje në marrjen e këtij vendimi nga Qeveria. Sipas saj, në qoftë se rritja parashihet në këto dy dokumente pse do të ishte i nevojshëm vendimi i qeverisë “Haradinaj”.

“Në qoftë se kjo rritje parashihet në këto dy dokumente, atëherë shtrohet pyetja se çfarë duhet vendimi i qeverisë ‘Haradinaj’? Tendenca e qeverisë ‘Haradinaj’ është për t’i heshtur prokurorët specialë duke marrë parasysh faktin se ne kemi informacione që Prokuroria Speciale është duke u marrë me kallëzimin penal, të cilin e kemi deponuar kundër qeverisë “Haradinaj” për vendimin për rritjen e pagave deri në 100 për qind për vete. Duket që ky vendim ka për qëllim t’i mbajë të varur dhe të ndikojë në punën e prokurorëve specialë për rastin që trajtohet para tyre”, ka theksuar në mes tjerash.

Kryesuesja e Komisionit për Legjislacion e quan një veprim të tillë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

“Për ne si LVV edhe pagat, por edhe shtesat e gjyqtarët janë të drejta në qoftë se ata i nxjerr Kuvendi. Ne nuk jemi kundër sikur nuk kemi qenë kundër t’u rriten pagat, por ne kemi kontestuar vendimet që i nxjerr Qeveria. Është ndërhyrje në sistemin e drejtësisë në qoftë se në një republikë parlamentare qeveria merr vendime të tilla dhe po krijon ky vendim pakënaqësi, pabarazi e diskriminim mes prokurorëve dhe gjyqtarëve”, ka përfunduar ajo.

“Çohu” e GLPS-ja: Kërkojmë nga Qeveria t’i ndalë precedentët e tillë

Reagim për vendimin e kryeministrit Haradinaj ka pasur edhe nga organizatat joqeveritare. Organizata për demokraci, antikorrupsion dhe dinjitet “Çohu” dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) kanë reaguar ndaj paralajmërimit të kryeministrit për ndarjen e mjeteve shtesë për prokurorët specialë.

Në reagimin e tyre në mes tjerash thuhet se vendimi për shtesat e tilla është ndërhyrje në pavarësinë financiare të Prokurorisë.

“‘Çohu’ dhe GLPS-ja konsiderojnë se vendimi për shtesat e tilla është ndërhyrje në pavarësinë financiare të Prokurorisë Speciale dhe shpreh haptazi konceptin klientelesk të trajtimit të sektorit të drejtësisë nga ana e Qeverisë. Të marrësh një vendim të tillë në ‘Javën Kundër Korrupsionit’ është përveçse një precedent i rrezikshëm, është gjithashtu i dëmshëm për vetë sistemin prokurorial. Duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, Kuvendi është ai që disponon kompetencën për përcaktimin e niveleve të financimit në sistemin prokurorial dhe atë, sipas propozimit të Këshillit Prokurorial, e jo të Qeverisë. Çdo ndërhyrje në këtë qark vendimmarrës, aq më tepër përmes një vendimi Qeverie e jo Ligji për Buxhetin përbën ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të pavarur prokurorial dhe është një koncept klientelesk i trajtimit të prokurorëve”, thuhet në reagimin e tyre.

Më tej ata kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i ndalë precedentët e tillë, si dhe një kërkesë drejtuar Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) e atij gjyqësor (KGJK).

“Përmes këtij reagimi ‘Çohu’ dhe GLPS-ja gjithashtu kërkojnë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) që të reagojnë ndaj vendimeve të tilla e të mos shndërrohen në organe të dëgjueshme ndaj Qeverisë dhe të parimeve të dëmshme për pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, theksohet në mes tjerash.