Sigurohen mjetet për Zonën e Lirë Ekonomike në Lumadh

Ekonomia December 13, 2018 - 08:17
Lexo tjera detaje
Image

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri ka takuar ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shalën, me të cilin ka biseduar për fillimin e ndërtimit të Zonës së Lirë Ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë e për të cilin janë siguruar mjetet, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ende nuk ka filluar realizimi i projektit të Zonës së Lirë Ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë ndonëse mjetet janë siguruar.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se janë kryer të gjitha përgatitjet, si dhe janë siguruar mjetet, vetëm pritet që t’i vihet gurthemeli kësaj zone.

Kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri, i cili që prej marrjes së pushtetit në Vushtrri ka insistuar për Zonën Ekonomike në Lumadh, si dhe për zonën ekonomike për investime amerikane në Banjskë të Vushtrrisë, ka takuar ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shalën, me të cilin ka biseduar edhe për fillimin e zbatimit të projektit të ZLE-së në Lumadh. “Me ministrin Shala kemi biseduar për Zonën Ekonomike në Lummadh, tashmë janë siguruar mjetet dhe pritet fillimi i punimeve. Kjo zonë është jetike për zhvillimin ekonomik të komunës së Vushtrrisë dhe se shpresoj se së shpejti do të vendoset gurthemeli i kësaj zone”, ka thënë Tahiri, i cili për t’u dalë në ndihmë bizneseve të Vushtrrisë ka ndarë një grant prej 115 mijë eurosh, duke siguruar se me bizneset e Vushtrrisë është duke ndërtuar një partneritet.

Kryetari Tahiri ka paraqitur projektin e Zonës së Lirë Ekonomike në Lumadh edhe para Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare në Diasporë në shënim të 5-vjetorit të themelimit të rrjetit, i cili është mbajtur në Vjenë të Austrisë dhe ku merrnin pjesë mes të tjerëve edhe Lazim Destani, president nderi i RRGBSH-së në Diasporë, si dhe përfaqësues të bizneseve shqiptare nga Gjermania e Italia.

Tahiri fton diasporën të investojë në Zonën Ekonomike

Tahiri ka ftuar diasporën të investojë në Zonën Ekonomike të Vushtrrisë për të krijuar zhvillim më të shpejtë ekonomik dhe krijim të vendeve të punës. Ai gjithashtu ka shfaqur një ide për një zonë ekonomike vetëm për diasporën dhe ka rekomanduar që kjo zonë e veçantë të ndërtohet në Vushtrri.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar amendamentin 10 në Ligjin për Buxhet, nëpërmes së cilit janë ndarë 1.2 milion euro për Zonën Ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë. “Mjetet për Zonën Ekonomike në Lumadh janë siguruar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar amendamentin 10 në Ligjin për Buxhetin, ku janë ndarë mjetet prej 1.2 milion eurosh për Zonën Ekonomike në Lumadh.

Zona ekonomike është fillim i mbarë i projektit tonë. Në këtë zonë ekonomike do të krijohen qindra vende të punës për të rinjtë e Vushtrrisë”, ka thënë Tahiri, duke siguruar banorët e Lumadhit dhe të fshatrave Stanofc i Epërm dhe Stanofc i Poshtëm se me funksionalizimin e Zonës së Lirë Ekonomike në Lumadh do të punësohen 1 mijë të rinj vushtrrias, ndërsa përparësi në punësim do të kenë banorët e këtyre fshatrave. Tahiri ka thënë se Zona e Lirë Ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë shtrihet në 14 hektarë tokë, të cilët tashmë Kuvendi i Vushtrrisë i ka dedikuar për këtë zonë.

I pari i Vushtrrisë, duke insistuar për zhvillimin sa më të shpejtë të Komunës së Vushtrrisë, i pati propozuar Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Haradinaj që zona ekonomike për bizneset amerikane të themelohet në Banjskë të Vushtrrisë, në një sipërfaqe prej 238 hektarësh. Kjo sipërfaqe e tokës i ishte dhënë në shfrytëzim Burgut të Smrekovnicës në vitin 1984 për kullota të bagëtive, por ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri kishte vendosur që pronën t’ia kthejë Komunës.

Zona ekonomike amerikane, në Gjakovë

Ai e kishte zyrtarizuar idenë e tij që të ofrojë 238 hektarë tokë komunale në Banjskë të Vushtrrisë për themelimin e zonës ekonomike për investime të jashtme amerikane dhe e kishte bërë publike në ceremoninë e fillimit të punimeve në segmentin rrugor “M2” të autoudhës Prishtinë – Mitrovicë, në Gojbulë. Përveç vlerësimit që kryetari Tahiri bëri për rëndësinë ekonomike të ndërtimit të këtij segmenti rrugor, që lidh Vushtrrinë me Prishtinën dhe me Mitrovicën, ai po ashtu pati theksuar gatishmërinë e Komunës së Vushtrrisë për të ofruar 238 hektarë tokë në fshatin Banjskë për ndërtimin e zonës ekonomike për investimet e jashtme amerikane.

“Pikërisht kjo rrugë lidh edhe zonën e gati 250 hektarëve që ka Komuna e Vushtrrisë në fshatin Banjskë, që mund të dedikoheshin për zonë ekonomike për investimet e jashtme amerikane. Kjo zonë tashmë mund të jetë shumë e përshtatshme dhe Komuna e Vushtrrisë mund t’i marrë vendimet e nevojshme që atë zonë ta japë për atë qëllim”, pati thënë kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri në prani edhe të presidentit të vendit Hashim Thaçit, kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ai ia kishte dërguar një letër kryeministrit të Kosovës Ramaush Haradinajt, me të cilën e pati siguruar se Komuna e Vushtrrisë ka vendosur që 238 hektarë tokë në Banjskë t’i japë për zonën ekonomike për investime të jashtme amerikane.

Por Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Ramush Haradinaj kishin vendosur që zona ekonomike për investime të jashtme amerikane të bëhet në Gjakovë, me çka nuk ishte pajtuar i pari i Vushtrrisë, i cili duke reaguar pati konkluduar se Gjakova nuk e fitoi me meritë zonën ekonomike për investime amerikane./ZËRI