Drejtori Trepçës: Kryesindikalisti i Stantergut merr 1725 euro në muaj

Drejtori Trepçës: Kryesindikalisti i Stantergut merr 1725 euro në muaj

Ekonomia janar 09, 2019 - 17:31
Lexo tjera detaje

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ushtruesi i detyrës së menaxherit të ndërmarrjes “Trepça” Xhevdet Tahiri ka thënë se situata financiare dhe operative e ndërmarrjes “Trepça” ishte në një kaos të madh, shkruan "Zëri.Info".

Sipas tij, borxhet e trashëguara ndaj operatorëve ekonomik ishin rreth 650 mijë euro, obligimet e grumbulluara me vite ndaj KEK-ut, ishin në vlerë 1,649,370.00 €.

“Edhe përkundër obligimeve të larta të trashëguara nga menaxhmentet paraprake, unë kam arrit ta drejtoj ndërmarrjen drejt rimëkëmbjes. Edhe pse vetëm një muaj të plotë jam në krye të ndërmarrjes, kemi arrit të ngrisim produktivitetin në ndërmarrje, duke ngritur disiplinën dhe vijueshmërinë në punë. Përgjatë këtij muaji sa jam në krye të ndërmarrjes, me një riorganizim të ri, kemi arrit të rrisim prodhimin mbi 9.27%, duke i reduktuar shpenzimeve operative të ndërmarrjes rreth 4.2%”ka shkruar ai. 

Tahiri më tutje ka thënë se sa i përket grevës së minatorëve e cila po vazhdon qe 10 ditë, është e çart se është e orkestruar nga qarqet politike brenda dhe jashtë Trepçës, të cilët nuk e dëshirojnë një Trepçë të zhvilluar me një bilanc pozitiv dhe me minatorë të dinjitetshëm. 

Sipas tij, epiqendra e kësaj krize në minierën e Stantërg-ut është sindikata e minierës, e cila më së paku është e angazhuar të mbroj të drejtat dhe interesat e minatorëve, shkruan "Zëri.Info".

“Kjo sindikatë në krye me kryetarin e saj Shyqyri Sadiku-n, i cili është udhëheqës i horizontit 7/8/9 të minierës, njëherësh është edhe anëtar i bordit të ndërmarrjes Trepça, po ashtu edhe anëtarë i qetës së shpëtimit, ku për të tri pozitat të cilat i mban paguhet për çdo njërën nga ndërmarrja Trepça (në vlerë prej 1,725.25 € neto), si i tillë ky person i shtyrë dhe i sponsorizuar nga rrymat politike tenton ta ndal ngritjen dhe rimëkëmbjen e ndërmarrjes duke i nxitur disa punëtorë për grevë për qëllime kryesisht të tij personale partiake. Prandaj unë si menaxher ndërmarrjes i ftoj të gjithë punëtorët e ndërmarrjes Trepça pa përjashtim të distancohen nga qëllimet e ti të cilat janë kryesisht politike dhe kanë për qëllim falimentimin e ndërmarrjes Trepça në mënyrë që ti hapet rruga privatizimit të saj” ka shkruar ai, duke shtuar se  fton qeverinë e Republikës së Kosovës të ndërmarr hapa të menjëhershëm ndaj këtij njeriu dhe disa të tjerëve rreth tij, të cilët me mjetet spekulative po tentojnë të manipulojnë me minatorët e ndërmarrje duke i ftuar në bojkot të punës, kryesisht për qëllime të tyre personale dhe politike. 

“Dua ta theksoj se humbjet e shkaktuar nga kjo grevë janë të paevitueshme, ndërhyrja politike në sindikatën e minierës, ndërmarrjes Trepça i ka shkaktuar humbje mbi 300 mijë €. Prandaj konsideroj që për ditët e humbura në grevën e organizuar nga vetë “punëtorët” (ku prapa tyre mendoj se qëndron krye sindikalisti Shyqyri Sadiku me disa sindikalistë të tij) dikush duhet të japë llogari dhe përgjegjësi para organeve të drejtësisë. 

Sa i përket kërkesës së minatorëve për rritje të pagës për 20%, konsideroj se është kërkesë e arsyeshme, duke marr parasysh kushtet në të cilat punojnë dhe veprojnë minatorët.

Do ta konsideroja si privilegj personale po të kisha pas mundësi ta jetësoj një kërkesë të tillë. Por realiteti financiar në ndërmarrjen Trepça nuk mund ta përballoj një ngritje të tillë” ka shkruar më tutje ai./ZËRI