Për 11 muaj Shpend Ahmeti dha 185 leje ndërtimi

Për 11 muaj Shpend Ahmeti dha 185 leje ndërtimi

Ekonomia janar 09, 2019 - 22:29
Lexo detajet!

Vinçat e makineritë tjera të rënda e të lehta ndërtimore gjenden në secilën lagje të Prishtinës.

Ndërtimet e objekteve banesore, afariste e individuale nuk kanë të ndalur në kryeqendrën kosovare.
Numri i tyre nga viti në vit veç po rritet.

Derisa për 12 muajt e vitit 2017 komuna e drejtuar nga Shpend Ahmeti ka lëshuar 183 leje ndërtimi për vetëm 11 muajt e vitit 2018 ky numër është tejkaluar.

Gjithsej 185 leje ndërtimi ka lëshuar Drejtoria e Urbanizmit në këtë komunë nga janari deri në dhjetor të vitit 2018.

Kështu gjithsej 847 mijë metra katrorë me ndërtime u shtuan vetëm këtë vit.

Nga ndërtimet e bëra dominojnë objektet banesore e afariste.

E nga lejet e lëshuara nuk po mungojnë edhe të hyrat financiare për kryeqendrën kosovare, e cila tash e 6 vjet drejtohet nga Shpend Ahmeti, shkruan inFokus.

Miliona euro u inkasuan nga ndërtuesit individual e kompanitë që merren me këtë biznes.

Afër 9 milionë euro janë grumbulluar nga lejet e lëshuara nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës nga janari deri në dhjetor të vitit 2018.

Kështu përkundër shumë deklaratave të kreut të Prishtinës, Shpend Ahmeti, për reduktimin e ndërtimeve objektet shumëkatëshe në kryeqytet veç po shtohen.

Derisa janë shtuar dhëniet e lejeve për ndërtim komuna e Prishtinës ende nuk ka gjetur një zgjidhje për legalizimin e objekteve pa leje.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që nga viti 2015, ka publikuar Regjistrin Shtetëror të Ndërtimeve pa leje. Aty ka rezultuar se në Kosovë janë 352 mijë ndërtime pa leje.

Vetëm në Prishtinë ekzistojnë 46 mijë ndërtime të këtij lloji.

Këtu hynë të gjitha ndërtimet pa leje që prej vitit 1960 e të ndërtuara deri më datë 30 gusht 2013, kur edhe është bërë incizimi satelitorë i Kosovës.

Komuna e Prishtinës vite më parë ka nisur procesin e legalizimit, por për shkak të problemeve të shumta ky proces ka dështuar. 

Image 
Image 
Image