Marrin 17 milionë euro, nuk i pastrojnë rrugët
Foto: Laura Hasani

Marrin 17 milionë euro, nuk i pastrojnë rrugët

Ekonomia janar 11, 2019 - 07:39
Lexo detajet!

Image

Image

Ministria e Infrastrukturës ua ka ndarë 17 milionë euro kompanive për mirëmbajtjen e rrugëve, por reshjet e fundit të borës kanë shkaktuar kaos nëpër rrugët e Kosovës. Në gjithë vendin në pjesën dërrmuese të rrugëve të enjten ka qenë vështirë e kalueshme, ndërsa vendet malore kanë qenë të bllokuara tërësisht, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Reshjet e fundit të borës, si zakonisht kanë zënë në “gjumë” kompanitë e kontraktuara nga Ministria e Infrastrukturës (MI) për pastrimin rrugëve nga bora.

Të enjten pjesa dërmuese  e rrugëve nëpër gjithë vendin kanë që qenë vështirë të kalueshme, e në vende malore të bllokuara tërësisht për shkak se 14 kompani e angazhuara për mirëmbajtje e rrugëve regjionale nuk po e kryejnë punën e tyre si duhen, ndonëse për tri vite për këtë qëllim nga ministria e Infrastrukturës do të marrin hiç më pakë se 17,2 milionë euro, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Por, përkundër gjendjes së rëndë në rrugë zyrtare të ministrisë së Infrastrukturës kanë thënë se të gjitha rrugët në vend janë të qarkullueshme.

Sipas tyre, qarkullimi me më vështirësi ka qenë në magjistralen Hani i Elezit-Prishtinë, shkruan më tutje Gazeta "Zëri".

“Segmenti në të cilin kemi tash për tash probleme dhe vështirësi të qarkullimit është segmenti Hani i Elezit-Prishtinë për shkak të ngarkesës nga transportierët e kamionëve nga dogana. Në bashkëpunim me Doganën e Kosovës tash do t`i bllokojmë lëvizjet në atë aks rrugor sepse nuk po kemi mundësi që ta pastrojmë atë pjesë” ka thënë për gazetën “Zëri” zëvendësministri MI-së Rexhep Kadriu.

MI: 14 kompani të kontraktuara për heqjen e borës

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj ka thënë për gazetën “Zëri” se ministria që ai drejton ka lidhur kontrata me 14 kompani për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve ku çmimet variojne prej 850 mijë deri në 1.3 milion euro

“Ne shtatë rajonet e vendit tonë, janë te angazhuara nga dy kompani për rajon, pra gjithsej janë 14 kompani që e mbulojnë Kosovën për mirëmbajtje Dimërore dhe Verore. Po ndarja buxhetore varijon prej regjioni në regjion. Ka kontrata që fillojnë prej 850 mijë dhe deri në 1.3 milion për një vit buxhetor. Kontratat janë të nënshkruara për periudhën tre vjeçare”, ka konfirmuar Lekaj.  Por, në bazë të listës që e ka siguruar gazeta “Zëri” shihet se për pastrimin e rrugeve në Prishtinë janë të angazhuara kompanitë  “Integral” dhe “Arbotec”, në Mitrovice “Alko Impex” dhe “Rad”, në Pejë “Lika” dhe “Graniti”, në Gjakovë” Viktoria Invest” dhe “RSM”, në Prizren “Famis” dhe “Drini Compani”, në Ferizaj “Eurokos” dhe “Demastion”, në Gjilan “Tali” dhe “Jaha Com”.

Gjendje më e rëndë në veri

Reshjet e vazhdueshme të borës, që kanë nisur ditën e mërkurë dhe kanë vazhduar edhe të enjten, kanë vështirësuar tej mase qarkullimin nëpër rrugë. Kompanitë e kontraktuara nga komunat për pastrimin e rrugëve vazhdimisht janë në terren dhe po punojnë vazhdimisht për largimin e bores.

Për këtë arsye asnjë fshat i asnjë komune të Mitrovicës, të Skenderajt, të Vushtrrisë dhe të Drenasit nuk ka mbetur i izoluar dhe asnjë rrugë nuk është bllokuar nga bora.

Gjendje më e rëndë tregohet për fshatrat shqiptare të komuanave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, të cilat kanë mbetur krejtësisht të bllokuara nga bora, pasi komunat veriore nuk janë përkujdesur për t’i pastruar rrugët.

Në këtë mënyrë fshatrat shqiptare, Boletin, Zhazhë dhe Kelmend, që i takojnë Komunës së Zveçanit, fshatrat Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë, që i takojnë Komunës së Leposaviqit, si dhe Çabra e Zubin Potokut, shpresat i mbajnë te Komuna e Mitrovicës së Jugut, e cila me gjithë vullnetin nuk ka mundur t’u dalë në ndihmë banorëve të këtyre fshatrave.

Muja: Dy rrugë në Shalë kanë qenë të bllokuara nga bora

Në Komunën e Mitrovicës drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Muja, i tha “Zërit” të enjten se gjendja e rrugëve është e vështirë, por megjithatë të gjitha rrugët janë të kalueshme.

Sipas tij, gjendje më e rëndë është në fshatrat e Shalës, por që kompania e cila ka fituar tenderin dhe me nënkontraktuesit është vazhdimisht në terren dhe po pastron borën nga rrugët.

“Dy rrugë në Shalë kanë qenë të bllokuara nga bora, por kompanitë kanë shkuar dhe kanë pastruar borën, kështu që ato tani janë të kalueshme. Kompanitë po kanë vështirësi, pasi borë po bie pa ndërprerë dhe në këtë mënyrë rrugët menjëherë po mbulohen me petkun e bardhë. Kompania është vazhdimisht në terren dhe po pastron rrugët”, ka thënë Muja.

Ai ka shtuar se aktualisht asnjë fshat i Mitrovicës nuk është i izoluar nga bora dhe se asnjë rrugë nuk është bllokuar. 

Sipas drejtorit Muja, në Mitrovicë edhe këtë vit kompania e vetme, e cila është e kontraktuar për pastrimin dhe për mirëmbajtjen e rrugëve nga bora gjatë dimrit, është kompania rajonale për menaxhimin e mbeturinave “Uniteti”, e cila ka edhe 4 kompani nënkontraktuese, të cilat përkujdesen për pastrimin e borës dhe për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit. Sipas drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Mitrovicës, Naser Muja, kompania paguhet në bazë të orëve të punës.

Në Skenderaj rrugët nuk janë pastruar

Vështirësi në qarkullim nëpër rrugë kanë edhe qytetarët e komunës së Skenderajt, sidomos ata në fshatrat më të thella. Por as rrugët në qytet nuk janë pastruar, ndonëse një traktor i kompanisë “Lirigzoni” shihet herë-herë duke pastruar rrugën kryesore të qytetit. Informacionet që ka siguruar gazeta nga terreni tregojnë se gjendja më e rëndë dhe vështirësi për qarkullim ka në zonën e fshatrave të Qyqavicës, por rrugët nuk janë pastruar as në fshatrat tjera.

Rrugët e papastruara në qytetin e Skenderajt kanë krijuar vështirësi edhe në kryerjen e shërbimeve, pasi qytetarët kanë problem për të lëvizur rrugëve. Rrugët në bashkësinë lokale të Qirezit, Krasaliq, Kozhicë, Prellovc, Krasmirovc nuk janë pastruar fare, thonë banorët e këtyre fshatrave.

Edhe rruga Runik – Leqinë – Izbicë nuk është pastruar fare. Pronarë të kompanive të transportit të udhëtarëve kanë thënë se me gjithë vështirësitë ata kanë arritur që ta kalojnë këtë rrugë dhe t’u kryejnë shërbime qytetarëve.

“Ne kemi qenë të parët që kemi kaluar nëpër atë rrugë, edhe të mërkurën, edhe të enjten, në një formë e kemi bërë rrugën vetë dhe pastaj kanë mundur të kalojnë edhe automjetet tjera”, kanë thënë pronarë të kompanive të transportit të udhëtarëve që mbajnë linjat e autobusëve në atë pjesë.

Sipas zëdhënësit të Komunës së Skenderajt, Jeton Rushiti, Komuna ka kontraktuar dy kompani për pastrimin dhe për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit, kompaninë “Lirigzoni” dhe kompaninë “Ndërtimi”. Rushiti ka thënë se kompanitë e kontraktuar janë vazhdimisht në terren dhe përkujdesen maksimalisht për pastrimin e borës nga rrugët.

Bora bllokon disa fshatra të Vushtrrisë

E ndërkaq në rrugët e komunës së Vushtrrisë gjendja është vështirësuar pas reshjeve të vazhdueshme të borës. Banorë të disa fshatrave të komunës së Vushtrrisë janë ankuar se për shkak të borës janë bllokuar disa fshatra, ndërsa veçohen fshatrat Tërllabuq dhe Sllatinë, rrugët e të cilave nuk janë pastruar fare.

Sipas tyre kjo rrugë ka vite që nuk pastrohet, ndërkohë më parë është pastruar vetëm nga kompania që operon si gurthyes në këtë zonë. Banorët kanë sqaruar se rreth 450 banorë të këtyre fshatrave frekuentojnë këtë rrugë, 400 nga fshati Sllatinë dhe 50 nga fshati Tërllabuq.

Në anën tjetër Islam Latifi, zyrtar në Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Vushtrri, i tha “Zërit” të enjten se të gjitha rrugët nëpër fshatrat e komunës së Vushtrrisë janë të kalueshme, ndonëse ka vështirësi. 

“Kompania që është kontraktuar për pastrimin dhe për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit është pa ndërprerë në terren dhe po largon borën nga rrugët. Reshjet e pandërprera të borës po krijojnë vështirësi, pasi që ato sërish po mbulohen me borë. Megjithatë rrugët janë të kalueshme, nuk ka asnjë rrugë që është bllokuar. Gjendje më e rëndë është në rrugët e fshatra të Ortakollit, ndonëse dhe ato janë të kalueshme”, ka thënë Latifi, sipas të cilit edhe këtë vit për pastrimin e rrugëve përkujdeset kompania “Ramadani”.

“Edhe këtë vit është e njëjta kompani, ‘Ramadani”, ajo e cila do të përkujdeset për pastrimin dhe për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit në gjithë territorin e komunës së Vushtrrisë. Kompania ka qenë e kontraktuar për dy vjet, do të thotë se edhe këtë vit ajo do të përkujdeset për krijimin e kushteve për lëvizje pa probleme nëpër të gjitha rrugët e Vushtrrisë dhe të fshatrave të saj. Për punën që bën kompania do të paguhet në bazë të orëve të punës që bën në terren”, tha mes tjerash, Latifi.

Në Drenas kompanitë e kontraktuara nuk dalin fare në rrugë

Vështirësi për qarkullim nëpër rrugët e mbushura me borë janë regjistruar edhe në komunës së Drenasit. Banorët e disa fshatrave të komunës së Drenasit i kanë thënë “Zërit” se kompanitë e kontraktuar nuk e kanë prekur fare rrugën që çon në Gradicë, si dhe rrugën për në Abri të Epërme.

Beqir Kiçina, asamblist në Kuvendin e Drenasit, ka thënë se gjendja e rrugëve në komunën e Drenasit është e rëndë dhe se shumë rrugë nuk janë pastruar fare.

“Ka shumë rrugë që nuk janë prekur fare, po shihet që nuk ka asnjë përkujdesje për pastrimin dhe për mirëmbajtjen e rrugëve”, ka thënë Kiçina, ndërkaq zëdhënësi i Komunës së Drenasit, Bekim Dobra, tha për gazetën se me gjithë vështirësitë për shkak të reshjeve të vazhdueshme të borës të gjitha rrugët janë të kalueshme.

“Ka vështirësi, sepse edhe pse kompanitë po e largojnë borën nga rrugët ato menjëherë po mbushen, për shkak se pa ndërprerë po bie borë. Kompanitë janë duke kryer punën maksimalisht dhe nuk ka asnjë fshat që ka mbetur i izoluar dhe asnjë rrugë që është bllokuar. Gjendje më e rëndë është në fshatrat më të thella, siç janë Gradica, Abria e Epërme, pastaj Vuçaku, Negrovci, por edhe rrugët në ato fshatra janë të kalueshme”, ka thënë Dobra. 

Sipas tij, Komuna e Drenasit ka kontraktuar tri kompani për mirëmbajtjen dhe për pastrimin e rrugëve gjatë dimrit. “Grupi i operatorëve, kompania ‘Shkëmbi’ nga Gllanasella dhe kompania ‘Ndërtimi’ gjithashtu nga Gllanasella i pastrojnë dhe i mirëmbajnë rrugët dhe trotuaret në Drenas dhe në fshatra të saj, ndërsa kompania tjetër ‘Fer Petrol’ do të përkujdeset për pastrimin dhe për mirëmbajtjen e rrugëve në Komaran dhe në fshatrat në afërsi. Sipas kontratës, kompanitë janë të obliguara që ta bëjnë largimin e borës nga rrugët, largimin e borës nga trotuaret, hedhjen e kripës të kombinuar me rërë, hedhjen e kripës dhe hedhjen e rërës”, ka precizuar zëdhënësi i Komunës së Drenasit, Bekim Dobra.

Për katër ditë 178 aksidente

Bazuar në raportet e përditshme të Policisë së Kosovës(PK) del që për katër ditë në territorin e Kosovës kanë ndodhur gjithsej 178 aksidente.

Prej tyre 55 janë me të lënduar ndërsa 123 pa të lënduar. Dje PK ka dal edhe me një apel për qytetarët ku ka kërkuar kujdes të shtuar në trafik, duke paralajmëruar edhe masa ndëshkuese për shkelësit e ligjit.

“Referuar të reshurave të borës, paraqitjes së vështirësive në trafik, zvogëlimit të dukshmërisë gjatë ngasjes, Policia e Kosovës, kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që të kenë një vigjilencë më të shtuar, të mbajnë distancën e nevojshme gjatë ngasjes si dhe t’u përshtatin  kushteve të rrugëve dhe atyre atmosferike shpejtësinë e automjeteve. Policia e Kosovës, njofton qytetarët, opinionin e gjerë, se do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, e në veçanti ndaj atyre që nuk posedojnë pajisjet dimërore, me të vetmin qëllim për ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik, parandalimin e aksidenteve, e në veçanti të atyre me pasoja fatale”, thuhet në apelin e PK-së.

QKUK: Për 24 orë, 17 persona kërkojnë ndihmë shëndetësore

Drejtori i Klinikës Emergjente Basri Lenjani për “Zërin”, ka pohuar që në këtë Klinikë për 24 orë ndihmë mjekësore kanë kërkuar 170 persona ku 30 për qind prej tyre janë si pasojë e aksidenteve dhe rrëshqitjeve në borë.

“Brenda 24 orëve në Klinikën Emergjente kanë kërkuar ndihmë 170 persona prej tyre 70 për qind janë nga sëmundjet akute apo të brendshme dhe 30 për qind janë për shkak të aksidenteve në komunikacion dhe rrëshqitjes në borë dhe në akull. Gjatë 24 orëve në Klinikën Emergjente ndihmë mjekësore si pasojë e aksidenteve kanë kërkuar 17 të lënduar. Të gjithë bëhet fjalë për lëndime jo serioze, lëndime të lehta dhe pas trajtimit mjekësor, janë dërguar për trajtim të mëtutjeshëm”, ka shpjeguar Lenjani.

Sipas Nol Dedajt njohës i çështjeve të sigurisë në trafik komuna dhe ministria nuk janë duke bërë aq sa duhet për pastrimin e rrugëve.

“Për evitimin e rrezikut në rrugë edhe ministria edhe komuna duhet patjetër të intervenojë me largimin e borës nga rruga dhe shpërndarjen e kripës industriale në rrugë në rast se vonohen dhe temperaturat ulen nën -7 atëherë kripa industriale e humb efektin në rrugë, në raste të tilla duhet të intervenohet me zhavor me kokërrza të imta”, ka thënë Dedaj.