Në Skenderaj rrugët nuk janë pastruar

Në Skenderaj rrugët nuk janë pastruar

Ekonomia janar 11, 2019 - 11:35
Lexo detajet!

Vështirësi në qarkullim nëpër rrugë kanë edhe qytetarët e komunës së Skenderajt, sidomos ata në fshatrat më të thella. Por as rrugët në qytet nuk janë pastruar, ndonëse një traktor i kompanisë “Lirigzoni” shihet herë-herë duke pastruar rrugën kryesore të qytetit. Informacionet që ka siguruar gazeta "Zëri" nga terreni tregojnë se gjendja më e rëndë dhe vështirësi për qarkullim ka në zonën e fshatrave të Qyqavicës, por rrugët nuk janë pastruar as në fshatrat tjera, shkruan "Zëri". 

LEXO EDHE: Marrin 17 milionë euro, nuk i pastrojnë rrugët

Rrugët e papastruara në qytetin e Skenderajt kanë krijuar vështirësi edhe në kryerjen e shërbimeve, pasi qytetarët kanë problem për të lëvizur rrugëve.

Rrugët në bashkësinë lokale të Qirezit, Krasaliq, Kozhicë, Prellovc, Krasmirovc nuk janë pastruar fare, thonë banorët e këtyre fshatrave. Edhe rruga Runik – Leqinë – Izbicë nuk është pastruar fare.

Pronarë të kompanive të transportit të udhëtarëve kanë thënë se me gjithë vështirësitë ata kanë arritur që ta kalojnë këtë rrugë dhe t’u kryejnë shërbime qytetarëve.

“Ne kemi qenë të parët që kemi kaluar nëpër atë rrugë, edhe të mërkurën, edhe të enjten, në një formë e kemi bërë rrugën vetë dhe pastaj kanë mundur të kalojnë edhe automjetet tjera”, kanë thënë për "Zërin" pronarë të kompanive të transportit të udhëtarëve që mbajnë linjat e autobusëve në atë pjesë.

Sipas zëdhënësit të Komunës së Skenderajt, Jeton Rushiti, Komuna ka kontraktuar dy kompani për pastrimin dhe për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit, kompaninë “Lirigzoni” dhe kompaninë “Ndërtimi”.

Rushiti ka thënë se kompanitë e kontraktuar janë vazhdimisht në terren dhe përkujdesen maksimalisht për pastrimin e borës nga rrugët. /ZERI