Menaxhmenti: Mbi 300 mijë euro humbje nga greva e minatorëve
Foto: Laura Hasani

Menaxhmenti: Mbi 300 mijë euro humbje nga greva e minatorëve

Ekonomia janar 12, 2019 - 08:09
Lexo tjera detaje
Image

Greva e minatorëve të “Trepçës”, e nisur më 3 janar 2019, ka vazhduar edhe më tej, ndërkohë dy kërkesat e minatorëve grevistë mbesin kryesore për t’u plotësuar, në mënyrë që greva të ndërpritet. Minatorët edhe më tutje kërkojnë që t’u rritet paga për 20 për qind, si dhe të shkarkohet Bordi Mbikëqyrës, i cili udhëhiqet nga Ardian Syla, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ky i fundit nuk e ka parë të arsyeshme të dalë para grevistëve dhe të tregojë për situatën, por këtë e ka bërë ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues të “Trepçës”, Xhevdet Tahiri. Ai nuk e ka përkrahur grevën e minatorëve të “Trepçës” dhe ka kërkuar nga ata që ta ndërpresin, duke ua bërë të qartë atyre se pagat nuk mund të rriten për shkak të gjendjes së rëndë financiare në “Trepçë”. Tahiri ka thënë gjithashtu se në “Trepçë” ka hyrë politika, e cila ka penguar përpjekjet për rimëkëmbjen e saj.

Se në “Trepçë” ka hyrë politika dhe e ka rrënuar atë, ka thënë edhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha-Shala. Edhe Tahiri e edhe Berisha-Shala vlerësojnë se minatorët janë të manipuluar nga politika e nga opozita dhe në këtë mënyrë janë krijuar probleme të funksionimit të ndërmarrjes. “Është e qartë se te minatorët kanë ndikuar qarqe të ndryshme politike, si dhe opozita. Minatorët kanë pasur edhe një grevë tjetër (në korrik), e cila është ndërprerë, ndërsa të gjitha kërkesat që ata kanë pasur janë trajtuar nga grupet që kanë qenë të formuara për hartimin e draftstatutit. Tani ata kanë dalë me kërkesën për rritje të pagave, kjo nuk mund të bëhet tani sepse ka vështirësi të mëdha financiare. Ngritja e pagave mund të bëhet vetëm kur të miratohet Statuti në Kuvendin e Kosovës dhe kur ‘Trepça’ të zhvillohet deri në atë masë sa për të pasur bazë e buxhet për ngritje të pagave”, ka thënë kryetarja e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha -Shala, duke shtuar se për shkak të politikës është pamundësuar edhe puna e Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës” dhe as Bordi nuk është kompletuar.  

“Trepça”, eksportuesi i vitit 2018

Në anën tjetër ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues të “Trepçës”, Xhevdet Tahiri, ka thënë se gjatë punës së tij jo më shumë se një muaj në krye “Trepçës” gjendja është përmirësuar. Madje, me gjithë vështirësitë që ka kaluar “Trepça”, Oda Ekonomike e Kosovës në bazë të të dhënave të eksportit të ndërmarrjeve kosovare, “Trepça” është shpallur “Eksportuesi i Vitit 2018”. “Me ardhjen time si ushtrues i detyrës menaxher i ndërmarrjes ‘Trepça’ gjendja financiare e operative e ndërmarrjes ‘Trepça’ ishte në një kaos të madh. Borxhet e trashëguara ndaj operatorëve ekonomikë ishin rreth 650 mijë euro, obligimet e grumbulluara me vite ndaj KEK-ut ishin në vlerë 1.649.370,00 euro”, ka precizuar ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues të “Trepçës”, Xhevdet Tahiri.  Ai ka shtuar se greva e minatorëve, që sipas tij është e ndikuar nga politika, ka paralizuar punën në “Trepçës” dhe se aktualisht atje asgjë nuk punohet. Për këtë situateë ai e ka fajësuar kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku.

“Sa i përket grevës së minatorëve, e cila po vazhdon për 10 ditë, është e qartë se është e orkestruar nga qarqet politike brenda dhe jashtë ‘Trepçës’, të cilët nuk e dëshirojnë një ‘Trepçë’ të zhvilluar me një bilanc pozitiv dhe me minatorë të dinjitetshëm. Dua ta theksoj se humbjet e shkaktuara nga kjo grevë janë të paevitueshme, ndërhyrja politike në Sindikatën e Minierës, të ndërmarrjes ‘Trepça’ i ka shkaktuar humbje mbi 300 mijë euro. Prandaj konsideroj që për ditët e humbura në grevën e organizuar nga ‘vetë punëtorët’, prapa të cilëve qëndron kryesindikalisti Shyqyri Sadiku me disa sindikalistë të tij dikush duhet të japë llogari dhe përgjegjësi para organeve të drejtësisë”. 

Sindikalistët: Greva ndërpritet kur të plotësohen kërkesat

“Sa i përket kërkesës së minatorëve për rritje të pagës për 20 për qind konsideroj se është kërkesë e arsyeshme, duke marrë parasysh kushtet në të cilat punojnë dhe veprojnë minatorët”, ka thënë ai.

Shyqyri Sadiku, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, i ka thënë “Zërit” se greva do të vazhdojë derisa të plotësohen kërkesat e shtruara, si të domosdoshme për ta ndërprerë grevën. “Qeveria e Kosovës dhe institucionet relevante duhet t’i plotësojnë dy kërkesa që janë vlerësuar të domosdoshme për ta ndërprerë grevën: rritja e pagave 20 për qind, si dhe shkarkimi i Bordit Mbikëqyrës. Pa plotësimin e këtyre dy kërkesave minatorët do të vazhdojnë grevën, e cila do të jetë më radikale”, ka thënë Sadiku./ZËRI