Ia fillon punës Dogana e Kosovës në Durrës

Ekonomia January 15, 2019 - 14:21

Sot në portin e Durrësit po mbahet ceremonia zyrtare e fillimit të punës së Doganës së Kosovës, ku po marrin pjesë zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, si dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Nga Kosova, në Durrës kanë shkuar zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ministri i Financave Bedri Hamza, të cilët janë pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Ministri i Financave, Arben Ahmetaj.

Limaj ka thënë se ky projekt tregon se takimet e përbashkëta të dy qeverive nuk janë vetëm politike, por edhe ekonomike.

"Ky port tregon se kemi filluar te integrohemi ekonomikisht. Është një lajm i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës dhe Shqipërisë. Është një moment i rëndësishëm i thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Pas autostradës se kombit, projekti portit është më i rëndësishmi që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Limaj.

Kurse Rama e ka quajtur këtë si një hap të parë drejt bashkimit të plotë doganor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke thënë se ky është një lajm i rëndësishëm për të gjitha sipërmarrjet, shpejton lëvizjen e mallrave e kthen kufirin Kosovë-Shqipëri në një kufi formal.

 

“Me vjen shumë mirë që ne sot po mblidhemi në një stacion të përbashkët, për të çelur zyrën doganore të Kosovës në Durrës. Kështu kthejmë portin e Durrësit në një doganë jo vetëm të Shqipërisë por edhe të Kosovës. Është hapi i parë drejt bashkimit të plotë doganor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Kështu ne hyjmë në një proces që dërgon pashmangshmërisht në jo vetëm bashkim doganor, por edhe të tregjeve”, është shprehur Rama.

Por, Rama është shprehur se ky kufi fluid nuk është një hap drejt Shqipërisë së Madhe.

“Do ta ri përsërisim se Shqipëria e Madhe është një sajesë e kundërshtarëve. Nuk ka një Shqipëri të Madhe, por ka një komb shqiptar. E drejta jonë është të kemi një kufi fluid”, ka thënë Rama.

Ministri kosovar i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se po bashkëpunojnë me Shqipërinë për të hequr barrierat e të bërit biznes të përbashkët.

"Po punojmë me Ministrinë e Financave të Shqipërisë që të heqim barrierat e të bërit biznes. 39% është rritur eksporti nga Shqipëria në Kosovë dhe 23% nga Kosova në Shqipëri”, është shprehur Hamza.

Ndërkaq homologu i tij nga Shqipëria, Arben Ahmetaj ka thënë se ky projekt do të shërbejë për të lehtësuar shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve.

“Hapja e pikës doganore në portin e Durrësit filloi në vitin 2016, si projekt për të lehtësuar shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë Ahmetaj.

Të hënën, Ministria e Brendshme e Kosovës, së bashku me atë të Shqipërisë, kanë hartuar draftin i cili pritet të hyjë në fuqi gjatë pranverës, ku përfshihet një sistem krejtësisht i ri i kufirit, i cili do të ketë një procedurë të re, një kufi tërësisht fluid sikurse ai i Francës dhe Gjermanisë.

Fillimi i punës së Doganës të Kosovës në portin e Durrësit pritet ta lehtësojë tregtinë, lëvizjen e shpejtë të mallrave dhe të pasagjerëve. Gjithashtu kjo pritet të reduktojë edhe kostot e bizneseve, e po ashtu të ndihmojë që të rritet ekonomia e dy shteteve.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar, është mbajtur mbledhja e përbashkët e dy qeverive, Kosovë-Shqipëri, ku ndër marrëveshjet e arritura ka qenë edhe ajo e cila po zyrtarizohet sot, që Kosova ta ketë Doganën e saj në portin e Durrësit

Image