Komuna e Drenasit e vendosur të mos lejojë përhapjen e kazinove dhe bastorëve

Ekonomia February 19, 2019 - 22:41
Lexo tjera detaje

Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Drenasit është e vendosur që të mos e lejojë ushtrimin e veprimtarisë të asnjë lokali të lojërave të fatit që nuk posedojnë dokumentacionin e duhur.

Aurora Berisha, Drejtoreshë e Drejtorisë për Inspeksion në Komunën e Drenasit ka thënë për Indeksonline se në kuadër të sektorit të tregut dhe kompetencave të inspektorit të tregut për veprimtari afariste të pa regjistruara dhe pa dokumentacion përkatës janë mbyllur 33 lokale të lojërave të fatit gjatë muajit Dhjetor 2018 dhe Janar 2019.

Ajo ka thënë se lojërat e fatit janë veprimtari të menaxhuara nga Administrata Tatimore e Kosovës, por sipas saj në asistimin e të cilës kanë marrë masa edhe ndaj tyre, duke i mbyllur të gjitha veprimtaritë që operojnë pa dokumentacionin përkatës.

“Ne si pushtet lokal nuk kemi pranuar që në afërsi të institucioneve publike të operojnë këto subjekte të dëmshme edhe për edukimin e gjeneratave të reja, prandaj me kërkesën e Kryetarit të Komunës, Ramiz Lladrovci janë kërkuar edhe revokimet e licencave që janë dhënë në afërsi të institucioneve publike arsimore dhe fetare”, ka deklaruar drejtoresha Berisha.

Sipas saj, ka pasur rritje të numrit të kërkesave për këto veprimtari, por në shqyrtim të dokumentacionit do të lejohet vetëm ato që i plotësojnë kushtet në pajtueshmëri me ligjin mbi lojërat e fatit.

Ndryshe në Drenas aktualisht leje pune kanë vetëm dy lokale të lojërave të fatit ndërsa në Komoran janë tri të tilla.