Mbyllen 35 lokale të lojërave të fatit
FOTO: Laura Hasani

Mbyllen 35 lokale të lojërave të fatit

Ekonomia March 22, 2019 - 17:31
Lexoni detajet
Image

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës(ATK) dhe me Doganën e Kosovës sot kanë realizuar një aksion të madh policor e që ka pasur të bëj me kontrollimin e lokaleve të lojërave të fatit, raporton “Zëri.info”.

Ky aksion i policisë ka rezultuar me bastisjen e 235 lokacioneve në 33 qytetet të ndryshme të Kosovës, e ku nga ATK-ja janë mbyllur gjithsej 35 lokale.

“Nga ky aksion janë kontrolluar gjithsej 235 lokacione në total në 33 qytete të ndryshme. Prej tyre Administrata Tatimore e Kosovës i ka mbyllur 35 lokale, ndërsa Dogana ka konfiskuar 181 aparate të lojërave të fatit. Operacioni policor është ende duke vazhduar”, ka thënë Agron Nezaj, drejtor i Divizionit të Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës.

Ai po ashtu ka dhënë detaje edhe për kontrollimin e këtyre lokaleve në qytete të ndryshme të Kosovës. Kësisoj sipas tij në Prishtinë janë kontrolluar më së shumti lokale të lojërave të fatit.

“Ky operacion policor përveç përfshirjes së institucioneve të ndryshme, policore ka përfshirë edhe inkuadrimin e mbi 100 zyrtarëve të ndryshëm qoftë policor, doganës dhe të ATK-së. Të ndarë në regjione këto janë reultatet e kontrollimit të lokaleve: Regjioni i Prishtinës 65 lokacione, Mitrovica e Jugut 22 lokacione, Mitrovica e Veriut 21 lokacione , regjioni i Pejës 25 lokacione, regjioni i Gjakovës 12 lokacione, regjioni i Ferizajt 34 lokacione, në Gjilani 27 lokacione”, ka thënë tutje ai, përcjell “Zëri.info”.

Tutje Nezaj ka dhënë detaje edhe për inicimin e hetimeve për këto raste. Sipas tij inicimi i këtyre hetimeve ka filluar në vitin 2018 në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës.

“Policia e Kosovës në fund të vitit 2018 ka bërë inicimin e hetimeve rreth lojërave të fatit. Inicimi i këtyre hetimeve është bërë nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës bazuar në veprat penale si në vijim: organizimi i skemave piramidale të bixhozit të paligjshëm, shmangia nga tatimi si dhe kontrabandimi me mallra. Si rezultat i këtyre hetimeve Policia e Kosovës konkretisht Drejtoria e Krimit të Organizuar së bashku me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike në të gjitha rajonet e PK-së të mbështetura edhe nga institucionet të tjera si me Doganën dhe me ATK-në sot ka zhvilluar një aksion”, ka informuar ai.

Përndryshe në Kuvendin e Republikës së Kosovës sot është miratuar rezoluta e iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), për pezullimin e këtyre lojërave për 10 vitet e ardhshme.

Se ky ligj do të ndryshohet është konfirmuar edhe nga kryeministri i vendit Ramush Haradinaj. Ai sot përmes një njoftimi në “Facebook”, ka bërë të ditur se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Kosovës do të votohet ligji i ri për lojërat e fatit i cili do ta hedh poshtë ligjin aktual si dhe do ti pezullojë këto lojëra. /ZËRI