Sot shitet 'Llamkosi'

Sot shitet 'Llamkosi'

Ekonomia prill 15, 2019 - 08:21
Lexoni më shumë detaje
Image

4.8 milionë euro është çmimi minimal për asetet e shoqërisë “Corestel”, fabrika e llamarinës “Llamkos” në Vushtrri, që ka në pronësi rreth 18 hektarë tokë, ndërtesa, linjën e prodhimit, si dhe makineri e pajisje. Në ankandin publik që do të mbahet të hënën, më 15 prill, kanë konkurruar 4 kompani. Punëtorët shpresojnë të mos i ndryshohet destinimi, ndërsa këtë e ka kërkuar edhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, shkruan sot gazeta "Zëri".

Fabrika për përpunimin e llamarinës “Llamkos” në Vushtrri mund të shitet të hënën (15 prill), kur edhe do të hapet ankandi publik i shpallur nga Gjykata Themelore e Prishtinës, Departamenti për Çështje Ekonomike, me udhëzimin e administratorit të falimentimit të “Llamkosit”, i caktuar nga gjykata, Virtyt Ibrahimaga.

LEXO EDHE: Gripi i derrave, ende i pranishëm në vend

Çmimi minimal për asetet e shoqërisë “Corestel” SHPK, fabrika e llamarinës “Llamkos” në Vushtrri, që ka në pronësi rreth 18 hektarë tokë, ndërtesa, linjën e prodhimit, si dhe makineri e pajisje, është 4.8 milionë euro.

Janë 20 kreditorë të “Llamkosit” të cilët kërkojnë hise, në mesin e tyre edhe rreth 500 punëtorët të cilët nuk kanë marrë pagat e tyre për më shumë se 19 muaj dhe ato arrijnë në 2.3 milionë euro. Punëtorët e “Llamkosit”, si dhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë kanë kërkuar që blerësi eventual të mos e ndryshojë destinimin për shkak se rrezikohen vendet e punës së 500 punëtorëve.

Kërkohet që fabrikës të mos i ndërrohet destinimi

Kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri, duke zbatuar një vendim të Kuvendit të Vushtrrisë, ka porositur zyrtarët e Departamentit për Çështje Ekonomike në Gjykatën Themelore të Prishtinës, por edhe administratorin e “Llamkosit”, Virtyt Ibrahimaga, që të kenë kujdes, në mënyrë që fabrikës të mos i ndryshohet destinimi. “Zëri” ka mësuar se në ankandin publik që do të zbatohet të hënën, më 15 prill, kanë konkurruar katër (4) kompani dhe është e mundur që blerësi edhe ta aktivizojë sërish fabrikën.

Muajin e kaluar kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, kishte prezantuar “Llamkosin” në Gjermani, gjatë një vizite dhe një takimi me Arndt G. Kirchhoff, president i Industrisë së Metalit në Republikën e NRW-së në Gjermani. Tahiri kishte folur me gjermanët për mundësinë që të investohet në “Llamkos” në Vushtrri, duke e rifunksionalizuar ose riorganizuar këtë gjigant ekonomik.

Ndonëse Tahiri kishte marrë premtime nga biznesmenët gjermanë se do të interesohen të investojnë edhe në “Llamkos”, por edhe në tjera projekte në Vushtrri, tanimë nuk dihet se si do të jetë statusi i “Llamkosit” pas së hënës, kur edhe fabrika planifikohet të shitet me ankand.

Hasani: Fabrika të shitet me kushte

Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të “Llamkosit”, përkatësisht kryetari i saj Ragip Hasani i ka kërkuar Gjykatës Themelore të Prishtinës – Departamentit për Çështje Ekonomike, që “Llamkosi” të shitet me kushte, për shkak se me shitjen pa kushte ekziston rreziku për të ardhmen e “Llamkosit” dhe të rreth 500 punëtorëve.

“Kërkesa e punëtorëve, por edhe e Komunës së Vushtrrisë ka qenë që fabrikës të mos i ndryshohet destinimi, që blerësit t’i vendosen kushte, me të cilat ai do të obligohet. Me vendimin e gjykatës për shitje të fabrikës pa kushtëzime për blerësin potencial është vënë në rrezik e ardhmja e ‘Llamkosit’ dhe e rreth 500 punëtorëve të saj”, ka thënë Hasani, i cili çmimin minimal të vendosur prej 4.8 milionë eurove e vlerëson poshtërues. “

Fabrika ka vlerë shumë të madhe, dhjetëra milionëshe, ndërsa ky çmim është vërtet përçmues për fabrikën dhe për punëtorët. Praktikisht fabrika po jepet për borxhe që janë krijuar, secili po e merr hisen e vet. Do të ishte mirë që blerësi të investojë, paraprakisht për t’i shlyer borxhet ndaj kreditorëve e t’i kthehet prodhimit. Administratori nuk ka qenë i interesuar për një gjë të tillë”, ka ripërsëritur ai.

Hasani ka shpjeguar se ka qenë prezent kur është miratuar kërkesa e administratorit falimentues Virtyt Ibrahimaga që fabrikën ta shesë pa kushte dhe që të dalë në ankand publik me çmimin fillestar prej 4.8 milionë eurove. Ai tha se ka kërkuar që si kusht kryesor të jetë për blerësin që fabrikës të mos i ndryshohet destinimi, por kjo kërkesë e tij ishte mbivotuar nga kreditorët.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Ekonomik, në seancën e mbajtur më 8 shkurt ka miratuar kërkesën e administratorit falimentues të fabrikës Virtyt Ibrahimaga që fabrika për prodhimin dhe përpunimin e llamarinës së zinkuar “Llamkos” në Vushtrri të shitet pa kushte. “Unë si kryetar i SP-së së punëtorëve të ‘Llamkosit’ në këtë seancë kam paraqitur kërkesën e punëtorëve dhe rekomandimin e Kuvendit të Vushtrrisë që fabrikës të mos i ndryshohet destinimi i punës prodhuese, por kjo kërkesë nuk kaloi, u mbivotua nga kreditorët, por edhe me përkrahjen e administratorit. Ka pasur një vlerësim të një kompanie (“Deloite”), e cila e ka vlerësuar fabrikën 16.8 milionë euro.

Vlera e shitjes, e ulët

Vlera e likuidimit prej 4.8 milionë eurove është shumë e ulët kur dihet se fabrika është në gjendje të rregullt teknologjike. Në seancën e mbajtur më 8 shkurt, kur edhe është vendosur që fabrika të shitet në ankand, është diskutuar edhe kërkesa e kryetarit të Vushtrrisë Xhafer Tahirit, i cili kishte kërkuar që dy strehimoret e fabrikës të mbesin pronë e Komunës, por edhe kjo kërkesë është refuzuar nga administratori dhe gjykata. Pas shumë diskutimesh gjykata miratoi kërkesën e administratorit Virtyt Ibrahimaga që çmimi minimal të jetë 4.8 milionë euro, që do të thotë se fabrika nuk mund të shitet nën këtë çmim”, ka shpjeguar kryetari i SP-së së punëtorëve të “Llamkosit”, Ragip Hasani.

Fabrika për përpunimin e llamarinës së zinkuar “Llamkos” në Vushtrri është privatizuar dy herë, por që në të dyja rastet privatizimi ka dështuar. Në vitin 2015 çështjen e “Llamkosit” e ka marrë në trajtim Gjykata Themelore e Prishtinës, Departamenti për Çështje Ekonomike, e cila edhe e kishte caktuar një administrator, Virtyt Ibrahimaga, që ka qenë i zyrtarizuar nga gjykata për t’i zbatuar procedurat e falimentimit./ZERI