Kosova “pushton” ekonomikisht Serbinë
Foto: Laura Hasani

Kosova “pushton” ekonomikisht Serbinë

Ekonomia April 16, 2019 - 07:38
Lexo Detajet
Image
Image

As optimistët më të mëdhenj nuk kanë besuar se nga rreth gjysmë miliardi euro në vit importe nga Serbia dhe fare pak eksporte Kosova një ditë do ta përmbysë bilancin tregtar me Serbinë. Dy dekada pas përfundimit të luftës Kosova muajt e fundit po eksporton trefish më shumë mallra drejt Serbisë sesa po importon. Krejt kjo falë taksës 100%, shkruan gazeta “Zëri”.

Taksa e vendosur ndaj produkteve të Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës në fund të vitit që lamë pas për herë të parë gati pas dy dekadash ka ndryshuar krejtësisht bilancin tregtar mes Kosovës dhe Serbisë. Të dhënat zyrtare për muajin janar dhe shkurt të këtij viti tregojnë për rënie drastike të importeve, derisa në anën tjetër kemi rritje solide të eksporteve në shtetet në fjalë, raporton gazeta “Zëri”.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë dy muajve të parë të këtij viti kompanitë serbe në vendin tonë kanë importuar produkte në vlerë prej 1.3 milion eurosh, derisa gjatë muajve janar dhe shkurt të vitit 2018 importet nga ky shtet ishin mbi 61 milionë euro.

Nëse bëjmë një krahasim të thjeshtë mes dy muajve të parë të vitit 2018 me dy muajt e parë të vitit 2019 shihet një rënie e importeve prej hiç më pak se 60 milionë euro. Por në anën tjetër gjithnjë duke iu referuar statistikave zyrtare bizneset kosovare kanë rritur në mënyrë solide eksportin e prodhimeve të tyre në tregun serb. Gjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti eksportet e Kosovës në Serbi kanë arritur në vlerën prej 4,3 milionë eurosh. Sipas statistikave zyrtare, shihet se gjatë vitit 2018 importet nga Serbia kishin arritur vlerën prej 449 milionë eurosh, derisa eksportet e Kosovës në këtë shtet kishin arritur vlerën në 48 milionë euro, shkruan më tutje gazeta “Zëri”.

Qeveria: Kosova ka përfituar ekonomikisht dhe politikisht nga taksa

Këshilltari ekonomik i kryeministrit Haradinaj, Haki Shatri, në një përgjigje për "Zërin" është shprehur se si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë politik Kosova ka përfituar nga vendosja e taksës. Ai ka thënë se më së shumti nga kjo tarifë kanë fituar prodhuesit vendorë. "Në aspektin ekonomik mendoj se prodhimi vendor ka përfituar shumë. Kompanive prodhuese vendore brenda 3-4 muajve u janë rritur kërkesat dhe normat, e kanë rritur numrin e të punësuarve, e kanë shtuar qarkullimin dhe i kanë rritur të ardhurat, domethënë ka pasur efekte tepër pozitive për prodhuesit vendorë. Mirëpo në këtë rrafsh nuk është dëmtuar as konsumatori, sepse produktet e Serbisë janë zëvendësuar me kohë me mallra tjera të ngjashme", ka theksuar Shatri.

Ai deklaroi se me vendosjen e taksës Kosova i ka treguar botës se është shtet dhe merr vendime konform interesave të qytetarëve dhe se deri në njohjen e plotë të Kosovës nga Serbia taksa nuk do të hiqet. "Politikisht me vendosjen e kësaj takse Kosova i ka treguar botës se jemi shtet i pavarur dhe dëshirojmë që Serbia të sillet ndaj nesh me respekt si ndaj çdo shteti tjetër të pavarur. Prandaj para faktorit ndërkombëtar e kemi pranuar se ne e kemi këtë punë në dorë dhe konform Kushtetutës, Qeveria e Kosovës merr vendime të cilat i sheh që janë në interes të vendit. Prandaj nuk e kemi ndërmend ta heqim taksën derisa të plotësohen kushtet nga Serbia, të cilat Qeveria e Kosovës i ka përmendur shumë herë", ka thënë Shatri.

LVV: Ndalimi i dialogut Thaçi-Vuçiq, efekt pozitiv i taksës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në një prononcim për "Zërin" është shprehur se taksa ka pasur efekte pozitive politike e që një ndër to është pezullimi i dialogut me Serbinë në formatin Thaçi – Vuçiq. "Efekti i parë është politik dhe pozitiv, pasi janë ndërprerë negociatat e Thaçit me Vuçiqin. Për shkak se Vuçiq e ka kushtëzuar dialogun me heqjen e taksës shpresoj që ajo të mos hiqet asnjëherë. Kurse në aspektin ekonomik, besoj se nëse nuk do të kishte kontrabandë taksa do ta kishte efektin edhe më të madh", është shprehur Selimi.

Sipas tij, partnerët ndërkombëtarë nuk po kërkojnë domosdoshmërish heqjen e taksës, por po kërkojnë rifillimin e dialogut të cilin Serbia po e kushtëzon me taksë. "Johanes Hahn po kërkon që taksa të hiqet për t’i dhënë mundësi dialogut, prandaj edhe ai, edhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë nuk po kërkojnë ta heqin taksën, por po kërkojnë vazhdimin e dialogut për të cilin Serbia ka vënë kushte. Kësisoj është mirë që dialogu në formatin Thaçi – Vuçiq nuk po vazhdon, prandaj taksa po më pëlqen edhe më shumë", u shpreh Selimi.

Ndërsa sipas deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, taksa ka pasur shumë efekte politike. Mirëpo ajo thotë se Qeveria dhe kryeministri nuk duhet t’i arsyetojnë veprimet e tyre me heqjen e taksës dhe se aktualisht nuk ka më peshë largimi i taksës sa ka largimi i Qeverisë.

Alija: Taksa, kali i betejës së kryeministrit për pushtet

Analisti politik Rasim Alija konsideron se në aspektin politik taksa është përdorur nga kreu i Qeverisë për të mbetur edhe më tutje në pushtet. Sipas tij, përmes taksës Haradinaj e ka vendosur në plan të dytë Partinë Demokratike të Kosovës. “Në aspektin politik taksa ka qenë kali i betejës së kryeministrit për të mbetur në pushtet. Një pjesë të opozitës ia ka marrë kauzën për reciprocitet me Serbinë, partnerin e madh të koalicionit - PDK-në e ka vendosur në plan të dytë si prijëse të PAN-it, ndërsa si AAK e ka rritur mundësinë e shtimit të radhëve të veta. Kryeministri do të vazhdojë ta përdorë taksën deri në momentin kur nuk ka më çfarë të nxjerrë nga kjo edhe në aspektin e brendshëm të shtimit të radhëve, por edhe në aspektin e jashtëm si levë e negocimit”, ka deklaruar Alija.

Ky theksoi se presioni për heqjen e taksës nga ndërkombëtarët do të zbehet derisa të përfundojnë zgjedhjet në BE, ndonëse konsideron se kjo tarifë i ka lëkundur marrëdhëniet e Kosovës me shtetet mike. “Në aspektin e jashtëm, është krejt e qartë se i ka lëkundur marrëdhëniet me SHBA-në dhe me vendet tjera mbështetëse të Kosovës. Presion të ndërkombëtarëve nuk do të ketë edhe për disa kohë. BE-ja tashmë ka filluar me zgjedhjet për strukturat e reja dhe vëmendja është e përqendruar në këtë proces”, ka thënë ai./ZERI/