Biznesmenët danezë, të interesuar për investime në Skenderaj
Foto: Laura Hasani

Biznesmenët danezë, të interesuar për investime në Skenderaj

Ekonomia April 16, 2019 - 08:15
Lexo Detajet
Image

Investitorët danezë që kanë vizituar Skenderajn, të dielën, kanë shprehur interesimin për ndërtimin e një fabrike të duhanit, ku do të investonin 7 milionë euro e në të cilën do të punësohen 2500 deri 3000 punëtorë. Një investim i ngjashëm për fabrikën e sheqerit në Dashevc të Skenderajt kishte dështuar pasi kompania britanike “DarkStaar”, e cila premtonte 27 milionë euro investime dhe 400 vende pune, si dhe punë për 4500 kultivues të panxharsheqerit, me gjithë kontratat e nënshkruara është tërhequr nga investimi, shkruan gazeta "Zëri".

Komuna e Skenderajt mund të bëhet së shpejti me fabrikë të duhanit, pasi që disa biznesmenë danezë kanë shprehur interesimin e tyre për të investuar në këtë komunë. Qytetarët e komunës së Skenderajt luten që ky projekt i premtuar nga investitorë danezë dhe kryetari Bekim Jashari të mos e ketë fatin e fabrikës së sheqerit dhe të parkut teknologjik, pasi që të dyja projektet kanë dështuar edhe pas nënshkrimit të marrëveshjeve dhe të kontratave me kompaninë britanike “DarkStar”, përkatësisht “Tehnopolis”-in slloven.

LEXO EDHE: Thaçi flet për vizat, Hahn për taksën

Bjerne Christensen dhe Klaus Jakobsen nga Danimarka, të shoqëruar nga një biznesmen shqiptar i kësaj ane në Danimarkë, Naim Kadishani, kanë takuar të dielën kryetarin e Skenderajt, Bekim Jashari. Ata kanë diskutuar për mundësinë e investimeve në këtë pjesë të Drenicës për ndërtimin e një fabrike të duhanit. Sipas kryetarit të Skenderajt, projekti nëse do të realizohet ka koston prej 7 milionë eurove, ndërsa në këtë fabrikë do të punësoheshin nga 2500 deri në 3000 punëtorë. Jashari ka premtuar se do t’i ndajë 3.5 hektarë tokë komunale në Kryshevc, të cilat sipas Jasharit janë pronë e Komunës, për ndërtimin e fabrikës. Sipas tij, fabrika do të ketë edhe tokë për kultivimin e duhanit për nevojat e fabrikës, ndërsa i ka siguruar investitorët danezë se do të kenë siguri të plotë dhe mbështetje në investim për realizimin e këtij projekti milionësh.

Jashari: Është interes i qytetarëve të Skenderajt ndërtimi i fabrikës

“Është interes i qytetarëve të Skenderajt ndërtimi i fabrikës, me çka do të punësohej një numër i konsiderueshëm i punëtorëve. Ne ofrojmë mbështetje të plotë dhe siguri të investimit”, ka thënë Jashari.

E biznesmenët danezë nuk kanë folur shumë, përveçse janë shprehur të kënaqur me kushtet që ofron Komuna e Skenderajt, sidomos për tokën që do t’u jepet në shfrytëzim nëse ata vendosin ta realizojnë projektin.

Nëse biznesmenët danezë vendosin ta realizojnë projektin 7-milionësh, atëherë ata do të vijnë për t’i konkretizuar kontratat, me të cilat jepen afatet e ndërtimit të fabrikës, në të kundërtën fabrika e duhanit do të mundë ta kishte fatin e fabrikës së sheqerit, e cila me pompozitet ishe cilësuar si njëri prej investimeve më të mëdha të huaja në Kosovë. Kjo fabrikë ishte planifikuar të ndërtohej për 8 muaj, ndërsa në aktin e nënshkrimit të marrëveshjes në mes të kompanisë britanike “Darkstar” dhe Komunës së Skenderajt merrte pjesë edhe ambasadori britanik në Kosovë Ruari O’Conel. Sikur të realizohej marrëveshja e nënshkruar, atëherë hairin do t’ia shihnin mbi 400 të rinj të rajonit të Drenicës, të cilët aty do të gjenin punë, por edhe mbi 4500 kultivues të panxharsheqerit, jo vetëm të komunës së Skenderajt, por edhe të rajoneve të tjera, të cilëve kompania do t’ua merrte prodhimet.

Britanikët kishin paraparë 27 milionë euro investime

Me kontratë britanikët do të investonin 27 milionë euro për ndërtimin e fabrikës në Dashevc, ku Komuna e Skenderajt ua kishte dhënë në shfrytëzim 11 hektarë tokë. “Nënshkruam një marrëveshje shumë të rëndësishme për komunën dhe qytetarët e Skenderajt për ndërtimin e një fabrike për përpunimin e panxharit të sheqerit me një vlerë fillestare prej 27 milionë eurove dhe e cila do të krijojë 400 vende të reja direkte të punës, si dhe në mënyrë indirekte do të punësohen edhe deri në 4500 veta, bujq të kësaj ane. Komuna e Skenderajt në vazhdimësi ka punuar për angazhimin e investimeve të huaja, kemi ofruar të gjitha mundësitë dhe Komuna si partnere ka ofruar pronën e vet prej rreth 11 hektarësh. Ky investim do të jetë model i një angazhimi të përbashkët për investime të huaja edhe për komunat tjera”, pati thënë atëherë nënkryetari i Skenderajt Fadil Nura, ndërkaq shumë të kënaqur ishin treguar edhe përfaqësuesit e kompanisë. “Ne po shpresojmë që shumë shpejt të fillojmë ndërtimin e fabrikës. Ndërtimi i fabrikës do të fillojë në momentin që të përgatitet dokumentacioni nga ana e Komunës së Skenderajt. Panxharsheqeri do të kultivohet në sipërfaqe prej 40 mijë hektarësh të tokave të komunës së rajonit të Drenicës, por edhe të Kosovës”, thoshin ata.

I lumtur dukej edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Conell. “Gëzohem që jam këtu sot, është ditë e mirë për Kosovën, është ditë e mirë për Britaninë. Gëzohem gjithashtu që kanë ardhur investitorë britanikë dhe që kanë vendosur të investojnë në Kosovë. Jam i bindur se duke pasur investitorë Kosova do ta ketë një të ardhme më të ndritshme. Në jemi të gatshëm për t’i përkrahur, për t’i mbrojtur dhe për t’i inkurajuar investitorët nga të gjitha vendet e botës, në këtë rast të Britanisë. Kemi kërkuar përkrahje prej Komunës së Skenderajt e prej Qeverisë dhe kemi gjetur përkrahjen, edhe kemi bërë një punë të mirë. Shpresoj se do të vazhdojmë me angazhimet për të përkrahur investimet këtu”, ishte shprehur ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Conell.

e mëdha dhe premtimet e ambasadorit britanik në Prishtinë Ruari O’Conell, të përfaqësuesve të kompanisë “DarkStar” dhe të përfaqësuesve të Komunës së Skenderajt gjatë nënshkrimit të marrëveshjes në qershorin e vitit 2015 nuk u realizuan kurrë. Fabrika e sheqerit, një investim i kompanisë britanike “DarkStar”, jo që nuk kishte filluar të ndërtohej në shkurtin e vitit 2016, ashtu siç ishte precizuar me marrëveshjen e nënshkruar në mes të kompanisë britanike “DarkStar” dhe Komunës së Skenderajt më 24 qershor të vitit 2015, por as pas 4 vjetëve nga nënshkrimi i kontratës.

Gazeta “Zëri” ishte përpjekur disa herë t’i kërkojë arsyet e dështimit të projektit të fabrikës së sheqerit në Dashefc të Skenderajt, por nuk ka mundur të marrë asnjë përgjigje nga ish-pushtetarët e Komunës së Skenderajt, ndërsa përfaqësues të kompanisë “DarkStar” nuk janë dukur më fare në Kosovë prej nënshkrimit të marrëveshjes me Komunën e Skenderajt.

E përpara se të dështojë realizimi i fabrikës së sheqerit pati dështuar edhe projekti i parkut teknologjik, ndonëse Komuna kishte nënshkruar kontratë me “Tehnopolis”-in slloven./ZERI/