1.5 milion euro tender për kontrollin e cilësisë së rrugëve

1.5 milion euro tender për kontrollin e cilësisë së rrugëve

Ekonomia April 17, 2019 - 08:12
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Ministria e Infrastrukturës ka shpallur një tender prej 1.5 milion eurosh për “Ekzaminimet kontrolluese për materiale dhe për kualitetin e punëve në projektet e infrastrukturës rrugore”. Tenderi është i ndarë në dy grupe. Në të parin hyjnë rrugët nacionale, rajonale dhe lokale, ndërsa në grupin e dytë hyjnë autostradat dhe zgjerimet e rrugëve nacionale e rajonale, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Hiç më pak se 1.5 milion euro parashihen të shpenzohen nga Ministria e Infrastrukturës për kontrollin dhe cilësinë e rrugëve në gjithë Kosovën.

LEXO EDHE: Legjislatura më pasive që nga paslufta

Në njoftimin për kontratë, të cilën e ka siguruar gazeta “Zëri”, thuhet se tenderi në fjalë është i ndarë në dy grupe.

Në të parin hyjnë rrugët nacionale, rajonale dhe lokale, ndërsa në grupin e dytë hyjnë autostradat dhe zgjerimet e rrugëve nacionale e rajonale.

Më tutje në njoftimin e publikuar thuhet se OE-të që dëshirojnë të aplikojnë në këtë proces të prokurimit duhet të kenë një vërtetim nga Administrata Tatimore e vendit të themelimit të biznesit, e cila dëshmon se kompania nuk është me vonesë për pagesën e tatimeve së paku deri në tremujorin e fundit të vitit para datës së publikimit të njoftimit të kontratës.

Po ashtu OE-të duhet të kenë një vërtetim nga Gjykata Themelore, Departamenti për Çështje Ekonomike, një dokument të lëshuar nga gjykata kompetente, e cila vërteton se operatori ekonomik i përmbush kërkesat e përshtatshmërisë, të jetë i lëshuar së paku deri në tremujorin e fundit të vitit para datës së publikimit të njoftimit të kontratës.

400 mijë euro është qarkullimi në tre vjetët e fundit

Po ashtu kompanitë duhet ta kenë një vërtetim nga një gjykatë kompetente, në të cilin vërteton se drejtuesit, menaxherët e saj gjatë dhjetë vjetëve të kaluara nuk janë shpallur fajtorë nga një gjykatë kompetente për kryerjen e një vepre penale ose civile, duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave, dhënien e mitos, avantazhe ose aktivitetet e ngjashme.

Gjithnjë duke u bazuar në njoftimin për kontratë, të publikuar ne platformën elektronike, thuhet se OE-të që do të aplikojnë në këtë proces prokurimi duhet të ofrojnë dëshmi të kënaqshme se qarkullimi vjetor i OE-së gjate tre vjetëve të fundit ka qenë në vlerë prej jo më pak se në pjesën I - 400,000 euro dhe në pjesën II - 400,000 euro.

“Nëse qarkullimi i kërkuar për Lotin 1 është 400.000 euro dhe për Lotin 2 është 400,000, atëherë kërkesa minimale e qarkullimit e cila duhet të përmbushet nga OE-ja, i cili aplikon për dy pjesët (lotet), është 800,000”, thuhet në njoftimin e publikuar.

OE-ja të jetë e akredituar sipas standardeve: SK, ISO, “IEC 17025”

Po ashtu për kompaninë që dëshirojnë të aplikojnë në këtë proces të prokurimit për menaxher të projektit duhet ta kenë një inxhinier të diplomuar të ndërtimtarisë, drejtimi konstruktivë, me pesë vjet përvojë pune, inxhinier i diplomuar i ndërtimtarisë, inxhinier i diplomuar i teknologjisë së materialeve të ndërtimit, tre laborantë – teknikë.

Kompania po ashtu duhet të ketë minimum një kontratë të realizuar me sukses në tre vjetët e fundit për ekzaminime kontrolluese të materialeve dhe të punimeve.

Sipas njoftimit të publikuar operatori ekonomik duhet të posedojë laboratorin dhe pajisjet për kryerjen e ekzaminimeve.

“Në rast se OE-ja nuk i posedon pajisjet mbi pronësinë duhet të ofrojë marrëveshjen me ndonjë laborator tjetër ekzaminues që nuk mund t’i kryejë në laboratorin e tij. Marrëveshja duhet të jetë në emër të këtij projekti me vlefshmëri të kohëzgjatjes së kësaj kontrate, e nënshkruar dhe e vulosur nga të dyja palët. Marrëveshja duhet të jetë e noterizuar. Laboratori i angazhuar duhet të jetë i akredituar”, thuhet në njoftimin e publikuar.

Sipas njoftimit të publikuar në dosjen e tenderit OE-ja duhet të jetë i akredituar nga DAK-u sipas standardeve: SK, ISO, “IEC 17025”.