Lluka: Termocentrali 'Kosova e Re' do të plotësoj nevojat për energji elektrike

Lluka: Termocentrali 'Kosova e Re' do të plotësoj nevojat për energji elektrike

Ekonomia April 17, 2019 - 15:05
Lexoni detajet!

Ka filluar interpelanca e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka për ndërtimin e termocentralit 'Kosova e Re', raporton “Zëri.info”.

Ministri Lluka tha se Kosova që nga paslufta është përballur me reduktime të energjisë elektrike, andaj edhe siç tha ai me ndërtimin e termocentralit do të plotësohen nevojat për energji elektrike në vend.

“Qeveria me 20 dhjetor të vitit 2017 ka nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit Kosova e re. Sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe të pandërprerë me energji elektrike është problematikë në Kosovë që nga paslufta e cila patjetër kërkon një zgjidhje urgjente të bazuar në resurset natyrore që posedon vendi ynë. Qëllimi parësor i ndërtimit të termocentralit Kosova e Re është që të plotësoj nevojat për energji elektrike në vend. Ndërtimi i termocentralit Kosova e Re, përveç se jetik për vendin është parakusht për nxitje dhe zhvillim të vendit”, tha ai.

Lluka tha se për 18 vite Kosova ka importuar 650 milionë euro për energji elektrike.

“Gjenerimi i energjisë elektrike përballet me probleme serioze. Qytetarët që nga paslufta janë përballur me reduktime. Që nga viti 2000 deri në vitin 2018 Kosova ka importuar rreth 650 milionë euro energji elektrike. Ne kemi gjeneruar vende pune për vende të tjera, dhe duke importuar energjinë elektrike ne kemi zvogëluar bruto-produktin për vendin tonë”, tha ai.

Në anën tjetër, nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri paraqiti para deputetëve një rekomandim në formë të një rezolute.

“Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik të ndërpres të gjitha veprimet e ndërmarra deri tani në lidhje me regjistrimin e ndërmarrjes së re energjetike të Kosovës derisa Kuvendi të vendos për miratim të garancionit të marrëveshjes komerciale nëpërmjet kompanisë “Contour Global” dhe Qeverisë së Kosovës për termocentralin Kosova e Re dhe të mos lidh asnjë marrëveshja kontraktuale derisa Kuvendi të vendos për miratimin e garancionit dhe në këtë mënyrë të vendos nëse është dakord me këtë kontratë të nënshkruar nga qeveria apo kërkon nga qeveria të anuloj këtë kontratë”, tha ai./Zëri/