AKP-ja, 2.5 milionë euro për përmbylljen e procesit të likuidimit

AKP-ja, 2.5 milionë euro për përmbylljen e procesit të likuidimit

Ekonomia April 18, 2019 - 08:02
Lexo tjera detaje
Image

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) përmes një tenderi, i cili peshon hiç më pak se 2.5 milionë euro, ka përzgjedhur konsorciumin “Grant Thornton LLC Curtis, Mallet-Prevost, Colt & Mosle LLP; Grant Thornton Consulting” fitues të tenderit për ofrim të shërbimeve profesionale për procesin e likuidimit për të gjitha ndërmarrjet shoqërore, asetet nën administrimin e AKP-së, shkruan Gazeta "Zeri".

Hiç më pak se 2.5 milionë euro do të shpenzohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për përmbylljen e procesit të likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në vend. E për këtë qëllim përmes një tenderi publik AKP-ja ka përzgjedhur konsorciumin “Grant Thornton L.L.C; Curtis, Mallet-Prevost, Colt & Mosle LLP; Grant Thornton Consulting”. Në dosjen e këtij tenderi milionësh thuhet se qëllimi i kontraktimit të Ofruesit të Shërbimeve Profesionale (OSHP), të definuar me Ligjin Nr. 04/L-034, respektivisht Nenin 2.1, 2.4 dhe 2.5, është të likuidojë të gjitha NSH-të - asetet në administrimin e AKP-së (kjo kontratë nuk i përfshin NSH-të - asetet të cilat do të likuidohen nga AKP-ja dhe asetet e njësive të “Trepçës”).

Aty më tutje thuhet se duke u bazuar në Shtojcën e Ligjit, përkatësisht në Nenin 13, Agjencia do të emërojë Autoritetin e Likuidimit nga pjesëtarët e OSHP-së dhe zyrtarët e rastit të AKP-së, të cilët duhet që të përbëhen nga profesionistë që i plotësojnë kriteret ligjore sipas shtojcës së Ligjit të AKP-së, të përcaktuara në Nenin 14 dhe në Nenin 15 dhe në pajtim me politikat operuese të Agjencisë.

“Si pjesë e procesit të likuidimit OSHP-ja do të jetë e angazhuar që të përmbyllen rastet e likuidimit dhe me këtë të mundësohet shpërndarja e fondeve te kreditorët e ligjshëm, ndërsa ‘Fondet Tepricë’, ‘Fondet e Mbetura’ dhe ‘Fondet e Përkohshme’ nga likuidimi do të barten në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës. Qëllimi i kësaj kontrate është që të përmbyllë 474 likuidimet tanimë të filluara për të cilat do të jetë përgjegjëse OSHP-ja, si dhe të ndërmarrë veprimet e duhura për përmbylljen e tërë procesit të likuidimit të NSH-ve - aseteve, të përfundojë tërë procesin e likuidimit edhe për të gjitha NSH-të - asetet e mbetura (60-80), si dhe për ato që do të identifikohen gjatë procesit dhe do të kenë të konfirmuar nga Bordi përcaktimin e statusit të tyre si NSH/KB ose asete.

AKP-ja i ka të emëruara autoritetet e likuidimit për 39 NSH-të, të cilat nuk janë nën përgjegjësinë e OSHP-së”, thuhet në dosjen e tenderit.

Aty më tutje thuhet se me rastin e ofrimeve të shërbimeve të mësipërme kontraktuesi do të ofrojë menaxhment ekzekutiv në të gjitha aspektet dhe proceset e procedurave të likuidimit dhe në përgjithësi: Do të shqyrtojë të gjitha kërkesat kreditore të parashtruara nga pretendues të ndryshëm për ndërmarrjet dhe asetet përkatëse dhe do të marrë vendime meritore për pranimin ose refuzimin e tyre; do të ofrojë ekspertizë ligjore për të ndjekur dhe mbrojtur në gjykatat kompetente rastet që dalin si rrjedhojë e vendimeve të kërkesave kreditore në procesin e likuidimit; do të përgatitë raportin për Bordin e Drejtorëve të AKP-së për shpërndarjen e përkohshme për kreditorët, shpërndarjen përfundimtare për kreditorët të fondeve në mirëbesim të likuidimit për të gjitha NSH-të/asetet nën administrimin e Agjencisë; do të përgatitë raporte për gjykatat në pajtueshmëri me Ligjin e AKP-së dhe Ligjin e DHPGJSK-së; do të kryejë punët me objektivin e përgjithshëm për përmbylljen e rasteve të likuidimit sa më shpejt që të jetë e mundur për të gjitha NSH-të/asetet”, thuhet më tutje në dosjen e tenderit./ZERI