Kthehet 'Përparimi'
Foto: Laura Hasani

Kthehet 'Përparimi'

Ekonomia April 19, 2019 - 08:12
Lexoni detajet!

Komuna e Vushtrrisë ka vendosur ta themelojë një ndërmarrje publike, së cilës ia ka dhënë emrin “Përparimi”, një ndërmarrje komunale shërbyese e viteve të ’80-ta dhe të ’90-ta, e cila kryesisht merrej me ujësjellësin dhe me mbeturinat, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Vushtrriasit e mbajnë në mend një ndërmarrje që ka funksionuar në vitet ’80-a dhe ’90-a dhe e cila përkujdesej për furnizimin e qytetit të Vushtrrisë me ujë të pijshëm dhe me menaxhimin e ujërave e të mbeturinave.

LEXO EDHE: Pacientët e mjekët, të rrezikuar nga infeksionet spitalore

“Përparimi”, ndërmarrja që mund të zgjojë nostalgji te gjeneratat më të vjetra, kthehet përsëri, por tani si një ndërmarrje e re dhe me veprimtari krejtësisht tjetër.

Komuna e Vushtrrisë ka vendosur që ndërmarrjes së re, të themeluar me një vendim të Kuvendit të Vushtrrisë, e me propozimin e kryetarit XhaferTahiri, t’i jepet emri “Përparimi".

“Përparimi” i vjetër është shuar me zhvillimet në dy dekadat e fundit, pas përfundimit të luftës dhe ajo ndërmarrje që është përkujdesur për menaxhimin e mbeturinave dhe furnizimin me ujë të pijshëm është ndarë në dy pjesë dhe njëra është integruar në ujësjellësin rajonal “Mitrovica”, ndërsa tjetra në kompaninë për menaxhimin e mbeturinave “Uniteti”.

Që të dyja këto kompani kanë selinë në Mitrovicë, kanë bordin mbikëqyrës dhe bordin menaxhues, ndërsa njësitë e tyre i kanë edhe në Skenderaj e në Vushtrri. Kompania për menaxhimin e mbeturinave “Uniteti”, për ndryshim nga kompania ujësjellësi rajonal “Mitrovica”, përballet me probleme të mëdha, duke përfshirë edhe ato të menaxhimit, ndërsa punëtorët në periudha të ndryshme kanë mbetur pa paga për shkak të vështirësive financiare.

Bajram Mulaku, derisa ishte kryetar i Vushtrrisë, ishte përpjekur që njësinë e Vushtrrisë ta nxjerrë nga “Uniteti” në mënyrë që Komuna ta marrë në përgjegjësi menaxhimin me mbeturina në gjithë komunën e Vushtrrisë, por ishin paraqitur probleme dhe në këtë mënyrë ka vazhduar të funksionojë vetëm “Uniteti” si kompani rajonale për menaxhimin e mbeturinave edhe në Vushtrri.

Ndërmarrje komunale

Ndërmarrja e re e themeluar tani dhe së cilës i është dhënë emri “Përparimi” do të jetë ndërmarrje komunale dhe veprimtaria e saj, sipas Islam Latifit, zyrtar për shërbime publike në Komunën e Vushtrrisë, do të jetë krejtësisht tjetër nga ajo e viteve ’80-a dhe ’90-a.

“Është ndërmarrje e re, por i është dhënë emri i një ndërmarrje të vjetër (“Përparimi”), veprimtaria e së cilës ka qenë menaxhimi i mbeturinave dhe i ujërave. Kjo ndërmarrje do të merret kryesisht me menaxhimin e hapësirave publike dhe me mirëmbajtjen e tyre", i ka thënë “Zërit” Latifi, të enjten.

I pari që ka marrë iniciativën për themelimin e ndërmarrjes së re publike është pikërisht kryetari i Vushtrrisë, XhaferTahiri, i cili i pati propozuar Kuvendit të Vushtrrisë themelimin e kësaj ndërmarrjeje.

“Themelimi i kësaj ndërmarrjeje publike lokale ka për qëllim që shërbimet të cilat do të kryhen nga kjo ndërmarrje të rrisin cilësinë e shërbimeve publike në të mirë të qytetarëve të komunës, si dhe do të ulin koston e shpenzimeve për kryerjen e të njëjtave shërbime”, ka thënë kryetari Tahiri, i cili ka shtuar se Vushtrria ka pasur nevojë për një ndërmarrje publike të tillë, pasi ndërmarrja publike lokale “Përparimi” do të jetë shoqëri aksionare në pronësi të Komunës së Vushtrrisë dhe do të jetë kompetente për kryerjen e detyrave dhe të punëve në menaxhimin dhe në mirëmbajtjen e hapësirave publike në gjithë komunën e Vushtrrisë.

“Zëri” ka siguruar një dokument, në të cilin precizohen të gjitha punët që do t’i kryejë “Përparimi”.

Menaxhon edhe me parkingjet

“NPL ‘Përparimi’ sh.a, Vushtrri, do jetë shoqëri aksionare në pronësi të Komunës së Vushtrrisë dhe do të jetë kompetente për kryerjen e detyrave dhe punëve si në vijim:

1. Menaxhimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike komunale, lokale (mirëmbajtja e shesheve, parqeve dhe hapësirave publike, varrezave e të ngjashme,
2. Menaxhimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike dhe të ashensorëve të ndërtesave të banimit kolektiv,
3. Menaxhimin dhe mirëmbajtjen, pastrimin e objekteve komunale, duke përfshirë edhe sigurimin fizik për objektet komunale,
4. Menaxhimin dhe mirëmbajtjen e tregut dhe të vendparkingjeve publike lokale.

Themelimi i kësaj ndërmarrjeje publiko-lokale ka për qëllim që shërbimet të cilat do të kryhen nga kjo ndërmarrje ta rrisin cilësinë e shërbimeve publike në të mirë të qytetarëve të komunës, si dhe të ulin koston e shpenzimeve për kryerjen e të njëjtave shërbime. Qytetarët e Vushtrrisë, në anën tjetër, shprehen të kënaqur me këtë vendim të Komunës, duke vlerësuar se një kompani që merret kryesisht me hapësirat publike ka qenë nevojë e kahershme, para së gjithash për qytetin e Vushtrrisë./ZERI