U rrënuan 14 shtëpi buzë liqenit artificial, do të rrënohen edhe 15 të tjera

U rrënuan 14 shtëpi buzë liqenit artificial, do të rrënohen edhe 15 të tjera

Ekonomia April 22, 2019 - 08:11
Lexoni më shumë detaje
Image

Komuna e Mitrovicës ka vazhduar me rrënimin e shtëpive të ndërtuara pa leje në afërsi të liqenit artificial në Mitrovicë për të krijuar hapësirë për realizimin e plotë të projektit 4.5-milionësh. Gjithsej janë 19 shtëpi të ndërtuara pa leje, 14 nga të cilat janë rrënuar, mes tyre edhe dy shtëpi të familjeve shqiptare të veriut të Mitrovicës, janë rrënuar nga Komuna e Mitrovicës të premten e kaluar, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Për të përfunduar në ditët në vijim do të rrënohen edhe 15 shtëpi të tjera. Njëri prej pronarëve të shtëpisë së rrënuar, nga veriu i Mitrovicës, Njazi Çitaku, ka thënë se shtëpia e tij është rrënuar pa të drejtë, pasi lënda është në gjyq. Ai ka shtuar se Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor ka suprimuar rrënimin e shtëpisë së tij, por Komuna nuk e ka përfillur vendimin e MMPH-së.

LEXO EDHE: Riintegrimi, i vështirë i të kthyerve nga Siria

Ai ka thënë se tani ka mbetur jashtë, pa shtëpi, ndërsa ka potencuar se banesa e tij në veri të Mitrovicës është uzurpuar. Ai gjithashtu ka sqaruar se këtë pronë ku ka ndërtuar shtëpinë në jug e ka blerë para 24 vjetësh.

“Këtu në dorë e kam konluzionin e Ministrisë së Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor (MMPH), e cila i suprimon të gjitha aktivitetet në rrënimin e këtyre objekteve banesore, mirëpo të cilën Komuna e ka anashkaluar edhe pse lënda është ende në gjyq. Nuk ka pasur asnjë shqyrtim, këta e kanë shkelur këtë vendim të Ministrisë së Mjedisit si shkallë e dytë në këtë proces edhe kanë ardhur në ekzekutim. Dua të them se Komuna na ka paralajmëruar, na kanë dhënë afatin për t’u ankuar deri të hënën, por ata janë ardhur përpara edhe e kanë rrënuar shtëpinë. Nuk e di kah shkoj me 6 fëmijë a çka të bëj, nuk di përveçse më duhet të hyj në servisin e vëllait, tjetër zgjidhje nuk kam. Të dy neve që na i kanë rrënuar shtëpitë jemi të Mitrovicës Veriore dhe pronat na janë uzurpuar atje edhe nuk mund të kthehemi. Këto prona i kemi blerë para 24 vjetëve, mirëpo është konstatuar se ato nuk janë pronat e shitësit”, ka thënë Çitaku.

Bahtiri: Ligji duhet të zbatohet

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, thotë se duhet të zbatohet ligji në mënyrë që projekti të realizohet, pasi shtëpitë e pengojnë realizimin e projektit. Shtëpitë janë të ndërtuara pa leje në pronën komunale dhe e pengojnë zbatimin e projektit të liqenit artificial. “Projekti i liqeni akumulues ka koston prej mbi 4 milionë eurosh, prandaj atë duhet çuar deri në fund. Nuk mund ta lëmë projektin për disa individë, të cilët në pamundësi për të gjetur një zgjidhje të përbashkët me ta dhe në pronat e Komunës të ndërtojë dikush ndërtesë ose shtëpi është e pamundur. Ne kemi shkuar edhe në mënyrë procedurale gjyqësore, i kemi fituar të gjitha gjyqet për arsye se s’ka gjyq që mund t’i japë të drejtë dikujt që të ndërtojë shtëpi në pronën e Komunës. Kështu që projekti madhor nuk është vetëm për individë, por për të gjithë qytetarët dhe ne kemi rrënuar të gjitha shtëpitë e parapara me projekt, kemi edhe disa shtëpi për t’ i rrënuar dhe atë vend do ta bëjmë jashtëzakonisht tërheqës për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ato shtëpi ka qenë e pamundur të mos rrënohen, sepse pengojnë projektin. Ne i kemi paralajmëruar njerëzit, jemi përpjekur të gjejmë zgjidhje dhe u kemi dhënë kohë që vetë t’i largojnë ato objekte, i kemi lutur t’i largojnë edhe orenditë, edhe gjësendet tjera nga shtëpitë, por me ta nuk kemi mundur të merremi vesh”, ka thënë kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

8.5 milionë euro për rregullimin e liqenit artificial

Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Drejtoria e Inspektoratit, ka dalë me një komunikatë sipas së cilës vendimi për rrënimin e shtëpive është në përputhje të plotë me ligjin, pasi ato shtëpi janë ndërtuar në pronën komunale dhe se duhet të vazhdohet të implementohet projekti i liqenit akumulues. “Projekti për rregullimin e liqenit në Suhadoll ka filluar në vitin 2014 dhe duhet të përfundojë plotësisht së realizuari në vitin 2020. Prandaj për t’u implementuar një projekt kaq madhor dhe milionësh në komunën e Mitrovicës deri më tani janë rrënuar 14 shtëpi, të cilat e kanë penguar realizimin e këtij projekti. Projekti i ndërtimit të liqenit në Suhadoll ka kushtuar 4.5 milionë euro dhe me implementimin e tij do të shpenzohen edhe 4 milionë të tjera, ku qytetarët mitrovicas, por edhe ata të komunave të rajonit të Mitrovicës e të Kosovës do të kenë kushte jashtëzakonisht të mira për të pushuar, për t’u freskuar gjatë ditëve të verës dhe për të bërë plazh”, thuhet në komunikatën e Komunës së Mitrovicës, për të shtuar se banorët kanë qenë të njoftuar paraprakisht që shtëpitë e tyre janë të ndërtuara në pronë komunale dhe se duhet liruar ato prona që sa më parë të implementohet ky projekt. “Edhe banorët duhet të kuptojnë se si organ ekzekutiv komunal kemi për obligim ta zbatojmë ligjin dhe t’i implementojmë projekte, të cilat janë në të mirë të të gjithë qytetarëve”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Komunës së Mitrovicës.

Projekti për rregullimin e liqenit artificial, i cili do të kushtojë rreth 8.5 milionë euro, ka filluar në vitin 2014 dhe duhet të përfundojë më 2020-n, ndërsa deri më tani janë rrënuar 14 shtëpi të cilat e kanë penguar realizimin e këtij projekti dhe pritet të rrënohen edhe 15 të tjera./ZERI/