Avancat e hapura të Ministria e Punëve të Brendshme

Avancat e hapura të Ministria e Punëve të Brendshme

Ekonomia maj 15, 2019 - 09:28
Lexoni detajet

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur shumë shkelje gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2018 te Ministria e Punëve të Brendshme. Sipas raportit të ZKA-së, Policia e Kosovës vazhdon të ketë vonesa të stërzgjatura në riparimin e automjeteve dhe një numër i tyre ishin në pritje për riparim që nga viti 2016. Numri i automjeteve, të cilat presin për riparim janë: 16 automjete nga viti 2016, 35 automjete nga viti 2017 dhe 45 të vitit 2018, shkruan Gazeta "Zëri". 

Më tutje në raportin e ZKA-së thuhet se avancat e hapura nga vitet e kaluara duhet të mbyllen më së largu deri në fund të periudhës së parë të vitit pasues.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) kishte paraqitur në PFV avanca të hapura në vlerë prej 68,929.61 €, prej të cilave 33,948.61 € kishin të bënin me avanca të bartura që nga vitit 2010.

Sipas zyrtarëve të MPB-së dhe të PK-së, këto avanca figurojnë si të hapura në MF, por entiteti akoma nuk ka arritur t’i identifikojë se për cilat avanca bëhet fjalë dhe sipas të dhënave të MPB-së, të gjitha avancat figurojnë të mbyllura, shkruan më tutuje "Zëri". 

Nga dëshmitë e siguruara PK-ja dhe MPB-ja kanë kërkuar disa herë nga Ministria e Financave informata për vlerën prej 33,949 €, e cila sipas zyrtarëve të MPB-së ato do të duhej të figuronin si të mbyllura, por ende nuk kanë arritur që me MF-në ta zgjidhin këtë problem.

“Mosmbyllja e avancave të hapura rrit rrezikun që mjetet e shpenzuara të mos jenë përdorur për qëllimin e paraparë. Drejtori i përgjithshëm i PK-së duhet të marrë të gjitha masat që në bashkëpunim me Ministrinë e Financave ta sqarojë çështjen e avancave të hapura, të trashëguara nga vitet e mëparshme dhe të sigurojë se problemi i tillë nuk do të shfaqet në të ardhmen”, thuhet në raportin e ZKA-së. /ZERI