Institucionet stërmbushen nga punëtorët me kontrata mbi vepër

Institucionet stërmbushen nga punëtorët me kontrata mbi vepër

Ekonomia May 16, 2019 - 08:13
Lexo tjera detaje
Image

Thuajse në të gjitha institucionet qendrore dhe në ato lokale në vend Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur punësime të shumta të punëtorëve me kontratë për shërbime të veçanta. Sipas Auditorit, me kontrata të tilla janë mbuluar edhe pozitat e rregullta e në disa raste ato kanë pasur kohëzgjatje prej më shumë se një viti dhe që është në kundërshtim të plotë me ligjin, shkruan Gazeta "Zëri".

Institucionet qendrore dhe ato lokale në vend janë stërmbushur nga punëtorët me kontrata për shërbime të veçanta. Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2018 në shumë ministri, agjenci të paharruara, por edhe në komuna ka gjetur se me kontrata të tilla në kundërshtim të plotë me ligjin janë mbuluar pozitat e rregullta të punës e në disa raste ato kanë pasur kohëzgjatje prej më shumë se një viti. Sipas Auditorit, mbulimi i pozitave me marrëveshje të përkohshme rezulton me performancë dhe me monitorim të dobët të stafit dhe rrit pasigurinë nëse në pozitat e tilla është angazhuar stafi meritor.

MPB-ja në pozita të rregullta emëroi zyrtarë me kontrata të veçanta

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës thuhet se në këtë Ministri kanë hasur në marrëveshje për shërbime të veçanta në pozitat e rregullta dhe në afat më të gjatë sesa lejohet me ligj. Sipas Nenit 12.4 të Ligjit për Shërbimin Civil, emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta”, të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit. Por sipas Auditorit, në AME numri i të punësuarve me marrëveshje për shërbime të veçanta ishte 11 (7 prej tyre në pozita të rregullta si zyrtarë të financave, të personelit, për marrëdhënie me publikun, logjistikë etj).

“Në katër raste kohëzgjatja e marrëveshjeve ishte nga data 01.01.2018 – 31.12.2018 duke e tejkaluar afatin ligjor të paraparë për zbatim të këtyre marrëveshjeve. Angazhimi i punonjësve me kontrata mbi shërbimet e veçanta në pozitat e rregullta të punës dëmton konkurrencën dhe rrit rrezikun e angazhimit të stafit jokompetent që mund të afektojë edhe arritjen e objektivave të organizatës. Ndërsa angazhimi i tyre më gjatë se gjashtë muaj brenda një viti është në kundërshtim me dispozitat ligjore. Ministri në bashkëpunim me drejtorin e përgjithshëm të AME-së duhet t’i shqyrtojnë arsyet pse rastet e tilla kanë ndodhur dhe t’i ndërpresin praktikat e angazhimit të përkohshëm të stafit për pozitat e rregullta. Në rast të nevojave për shërbime të veçanta, ato duhet të sigurohen duke iu nënshtruar kërkesave dhe procedurave ligjore”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Aty më tutje thuhet se në këtë rast kanë hasur edhe mangësi në procedurën e angazhimit me marrëveshje për shërbime të veçanta. Sipas konkursit të shpallur nga AME-ja për angazhim me marrëveshje për shërbime të veçanta në pozitën e zyrtarit të financave ishin përcaktuar kriteret specifike, të cilat kandidatët do të duhej t’i plotësonin. Te kualifikimi profesional ishte kërkuar diplomë universitare në drejtimin ekonomik, financa, biznes ose të ngjashme.

“Ne kemi gjetur se asnjë nga tre aplikantët nuk e plotësonte kriterin e arsimimit dhe të kualifikimit profesional dhe të gjithë ishin vlerësuar me pikë (nga 10-20) nga komisioni vlerësues. Përveç kësaj, kishte dobësi edhe në vlerësimin e testit me shkrim të kandidatëve, ku në disa raste për përgjigjen e njëjtë dy kandidatë ishin poentuar ndryshe, si dhe në raste tjera për përgjigje të ndryshme në të njëjtën pyetje kandidatët kishin marrë vlerësim të njëjtë. Zyrtarët e AME-së nuk kanë qenë në gjendje për të na dhënë ndonjë shpjegim të arsyeshëm në lidhje me shkaqet pse kanë ndodhur këto gabime/mangësi”, thuhet më tutje në raport.

Komuna e Rahovecit 9 të punësuar me kontrata të veçanta

Po ashtu Zyra Kombëtare e Auditimit ka hasur në parregullsi në angazhimin e stafit për shërbime të veçanta edhe në Komunën e Rahovecit. Sipas Auditorit, Neni 12 pika 4 e Ligjit për Shërbimin Civil, emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta”, të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit. Komuna në vitin 2018 kishte lidhur marrëveshje për shërbime të veçanta me nëntë (9) punonjës, nga gjashtë (6) mostrat e audituar ka rezultuar se Komuna ka angazhuar dhe ka paguar këta punonjës në kohëzgjatje mbi gjashtë (6) muaj.

“Komuna fillimisht kishte përdorur bazën e gabuar ligjore duke lidhur kontrata për punë dhe detyra specifike me kohëzgjatje 120 ditë sipas Ligjit të Punës për angazhimin e stafit civil (si anketues, zyrtarë etj) dhe pas përfundimit të këtyre kontratave ka vazhduar edhe për 6 muaj tjerë me marrëveshje për shërbime të veçanta, duke u bazuar në Ligjin e Shërbimit Civil. Një dukuri e tillë sipas menaxherit të personalit ka ndodhur për shkak të keqinterpretimeve ligjore”, thuhet në raport.

Më tutje aty thuhet se angazhimet e tilla rezultojnë me parregullsi ligjore dhe mungesa e monitorimit rrezikon që Komuna të pranojë si kundërvlerë kontributin/performancën/shërbimin e duhur nga stafi i angazhuar në ketë formë. “Kryetari duhet të sigurojë se hyrja në marrëveshje për shërbime të veçanta/kontrata për punë specifike bëhet në përputhje të plotë me kornizën ligjore dhe koha e angazhimit në këto raste nuk tejkalon afatet e përcaktuar me ligje. Po ashtu kryetari duhet të sigurojë se angazhimet e tilla bëhen vetëm në rastet kur ka kërkesa specifike”, rekomandon Auditori.

34 të punësuar në Komunën e Obiliqit

Po ashtu në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit thuhet se në bazë të kësaj Komuna për realizimin e shërbimeve të domosdoshme kishte angazhuar 34 persona përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta. Sipas ZKA-së, angazhimi i tyre ishte bërë përmes procedurave të thjeshtëzuara të rekrutimit.

“Nga nëntë (9) rastet e testuar në katër (4) prej tyre personat ishin angazhuar në pozita të rregullta të punës. Të njëjtit persona kryenin detyrat e tyre përmes këtyre kontratave edhe në vitin paraprak. Ky staf ishte angazhuar në pozita të ndryshme, zyrtarë transporti, lektorë, mirëmbajtës etj. Sipas Komunës, kjo ishte pasojë e mungesës së pozitave të aprovuara në planifikimin e buxhetit. Mbulimi i pozitave me marrëveshje të përkohshme rezulton me performancë dhe me monitorim të dobët të stafit dhe rrit pasigurinë nëse në pozitat e tilla është angazhuar stafi meritor. Kryetari duhet të sigurojë se punonjësit me kontrata për shërbime të veçanta të angazhohen vetëm në rastet kur ka kërkesa specifike. Për të gjitha pozitat e rregullta të punës duhet të sigurohet se buxhetohen”, thuhet në raport.

19 të punësuar në Komunën e Skenderajt

Shkelje të punësimeve me kontrata për shërbime të veçanta Auditori ka gjetur edhe në Komunën e Skenderajt. Sipas ZKA-së, Komuna gjatë vitit 2018 kishte të angazhuar 19 punonjës me MSHV-në. “Në dy raste kemi vërejtur se angazhimi ishte bërë pa procedura të thjeshtësuara të rekrutimit, kurse në dy të tjera kemi tejkalim të afatit të angazhimit për tre muajsh. Arsyeja pse janë lidhur këto kontrata ishte mungesa e planifikimit buxhetor për këto pozita dhe mundësia më e lehtë e angazhimit, pavarësisht faktit se këto shërbime ishin kryesisht për pozita të rregullta”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas tij, angazhimi i stafit për shërbime të veçanta pa procedura të thjeshtësuara të rekrutimit kufizon konkurrencën dhe si pasojë mund të pranohet staf me kompetencë të ulët, i cili ka ndikim që cilësia e shërbimeve të pranuara të mos jetë në përputhje me nevojat. “Kryetari duhet të sigurojë se marrëveshjet për shërbime të veçanta janë për punë specifike dhe për to zhvillohet një procedurë e thjeshtuar e rekrutimit dhe kontratat nuk zgjasin më shumë se afati i paraparë ligjor. Po ashtu duhet të ndërmerren veprime që nevojat për pozitat të rregullta të adresohen në MF gjatë planifikimit buxhetor, me qëllim që këto të mos mbulohen me MSHV-në”, i rekomandon Auditori Komunës së Skenderajt./ZËRI