Prej vitit 2010 komunat veriore të Kosovës përfituan 100 milionë euro
Foto: Laura Hasani

Prej vitit 2010 komunat veriore të Kosovës përfituan 100 milionë euro

Ekonomia May 16, 2019 - 08:16
Lexo tjera detaje
Image

Prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit në prillin e vitit 2013 deri në vitin 2016 për komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, janë ndarë 32 milionë euro për 249 projekte: 9.5 milionë euro BE-ja, mbi 15 milionë Qeveria e Kosovës dhe mbi 7.5 milionë euro Fondi për Zhvillimin e Veriut. Vetëm BE-ja ua ka dhënë komunave veriore 54.5 milionë euro për periudhën 2010-2015, shkruan Gazeta "Zëri".

Mbi 32 milionë euro kanë marrë komunat veriore të Kosovës, në të cilat të dielën mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut, në periudhën prej prillit të vitit 2013 e deri në fund të vitit 2016. Mjetet janë ndarë nga tri burime për realizimin e 249 projekteve në katër komunat veriore. Ndërkaq vetëm BE-ja, për periudhën 2010-2015, ua ka ndarë komunave veriore të Kosovës 54.5 milionë euro.

Këto të dhëna kanë dalë nga një debat i organizuar nga hulumtuesit e projektit “Ku janë investuar 32 milionë euro në veri të Kosovës”, në të cilin janë paraqitur rezultatet e hulumtimit. Në bazë të hulumtimit është konstatuar se prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit në prillin e vitit 2013 deri në fund të vitit 2016 për komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, janë ndarë 32 milionë euro për 249 projekte: 9.5 milionë euro BE-ja, mbi 15 milionë Qeveria e Kosovës dhe mbi 7.5 milionë euro Fondi për Zhvillimin e Veriut. Në debat, të cilin e përcjell “Radio Kontakt Plus”, disa nga panelistët kanë thënë se ekziston raport detaj për të gjitha mjetet e investuara dhe se qytetarët janë njoftuar, ndërkaq disa nga pjesëmarrësit tjerë kanë konstatuar se as asamblistët e as qytetarët nuk kanë informacione për atë se si janë harxhuar këto mjete në komunat veriore. 

54.4 milionë euro nga BE-ja

Sonja Soverliq, e cila ka kryer hulumtimin “Ku janë investuar 32 milionë euro në veri të Kosovës”, ka precizuar se prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit në prillin e vitit 2013 deri në vitin 2016 për komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, janë ndarë 32 milionë euro për 249 projekte.

“Nga këto mjete BE-ja ka investuar rreth 9.5 milionë euro, Qeveria e Kosovës për projekte kapitale në vitin 2015 ka ndarë më shumë se 15 milionë euro dhe diçka më shumë se 7.5 milionë në momentin kur është funksionalizuar Fondi për Zhvillimin e Veriut të Kosovës. Kur bëhet fjalë për këtë fond, shifra ka shkuar në mbi 9 milionë euro. Këto janë të gjitha mjetet që janë investuar”, ka sqaruar Soverliq. Ajo ka shtuar se kur bëhet fjalë për investimet e BE-së, ka siguruar të dhëna se nga viti 2010 deri në vitin 2015 janë investuar 54.5 milionë euro.

“Kur janë në pyetje investimet e BE-së, të dhënat që kemi marrë nga Zyra e BE-së tregojnë se në periudhën prej vitit 2010 deri në vitin 2015 janë investuar 54.5 milionë euro. Në hulumtim kemi përfshirë vetëm investimet e BE-së në dy grand-skema, të cilat janë publikuar pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë Soverliq. Sipas saj, një nga përfundimet që ka nxjerrë gjatë hulumtimi është fakti se mjetet e ndara për veriun e Kosovës “më shumë kanë qenë mbështetje liderëve të zgjedhur sesa kualitet i jetesës së qytetarëve”. 

Zëvendësministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Fatmir Gashi, ka numëruar projektet dhe shifrat e mjeteve që janë dhënë për komunat veriore të Kosovës në periudhën 2015-2018. “Në këtë periudhë janë ndarë mjete për projekte të ndryshme në infrastrukturë, shëndetësi, arsim, për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme 10.991.801 euro, Leposaviqit 2.061.000 euro, Zubin Potokut 2.501.000 euro, Zveçanit 3.014.000 dhe Mitrovicës së Veriut 3.415.000 euro”, ka precizuar Gashi, duke shtuar se bëhet fjalë për projekte që janë ndarë në bazë të kërkesave të komunave. Gashi tha se personalisht u ka rekomanduar përfaqësuesve të komunave “se asnjë projekt nuk mund të vijë deri te Fondi nëse nuk kalon nëpër kuvendet komunale, respektivisht derisa qytetarët të mos njoftohen dhe të diskutojnë për projektet”. 

Nivel i ulët i transparencës

Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Adriana Hoxhiq, ka thënë se përgjithësisht transparenca në veri është në nivel të ulët, por që, siç tha ajo, faji nuk është tek administrata lokale. “Për shkak se ne si komunë kemi organizuar debate, dëgjime publike me qytetarë, mund të them me përgjegjësi të plotë se secili projekt, secila iniciativë që është marrë nga buxheti i komunës veriore të Mitrovicës ka pasur si iniciues të projektit qytetarët e komunës, është shtuar edhe peticioni i qytetarëve për projektet. Krejt çfarë kemi punuar ka qenë në përputhje me dëshirat e qytetarëve”, ka thënë Hoxhiq, duke shtuar se nga vitit 2013 në komunën veriore të Mitrovicës janë investuar mjete të mëdha. 

“Pas konfliktit që kemi pasur, kemi një situatë totalisht të re në veri të Mitrovicës. Kemi komunën e re, në të cilën të gjitha objektet vitale kanë mbetur në pjesën jugore, kështu që nevojat e Mitrovicës së Veriut kanë qenë shumë më të mëdha në krahasim me secilën komunë tjetër, qoftë në veri, qoftë në jug të Kosovës”, ka thënë Hoxhiq. 

Ndërkaq Ksenija Bozhoviq, nënkryetare e SDP-së së Oliver Ivanoviqit, asambliste e Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, tha se asamblistët dhe qytetarët nuk kanë informacione për atë se si harxhohen mjetet në komuna. “Shuma të mëdha të parave kanë ardhur dhe janë harxhuar në veri të Kosovës. Komunat financohen nga buxheti komunal, nga të ardhurat vetanake që realizojnë, nga fondet evropiane dhe nga Fondi për Zhvillimin e Veriut, por edhe nga donacionet që arrijnë nga investitorët e jashtëm e të cilat asnjëherë nuk janë transparente. Asnjëherë ne si asamblistë nuk dimë çka është investuar nga këto mjete, mund të paramendoni atëherë se kur ne nuk dimë, çka dinë qytetarët se çka ardhur në komunën tonë”, ka nënvizuar Ksenija Bozhoviq, asambliste e Kuvendit të Mitrovicës së Veriut. 

Në këtë debat, sipas “Radio Kontakt Plus”, ka qenë i ftuar edhe kryetari i Listës Serbe dhe kryetari në dorëheqje i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, por ai nuk i është përgjigjur ftesës së organizatorëve, sikurse që nuk janë përgjigjur as përfaqësuesit e BE-së në Kosovë, të cilët janë arsyetuar se janë zënë me angazhime të tjera./ZËRI