Kryeinspektori i Punës në garë për drejtor të “Trepçës”

Kryeinspektori i Punës në garë për drejtor të “Trepçës”

Ekonomia maj 21, 2019 - 08:15
Lexo Detajet
Image

Prodhimi në “Trepçë” ka shënuar rënie gati 50 për qind në muajt e fundit dhe kjo ka bërë që paga e muajit prill t’u jepet punëtorëve në dy pjesë nga 50 për qind. Për të krijuar stabilitet financiar Xhevdet Tahiri, i cili për katër muaj ka menaxhuar me “Trepçën”, ka dhënë disa rekomandime. Deri në fund të javës zgjidhet drejtori i ri menaxhues i “Trepçës”, ndërsa në listën e ngushtë kanë hyrë Mentor Demi dhe Basri Ibrahimi, shkruan gazeta "Zëri".

Gjendja në “Trepçë”, në veçanti ajo financiare, edhe më tutje është e rëndë dhe punëtorët e kanë të vështirë t’i realizojnë të ardhurat e tyre në muajt në vijim. Gazeta “Zëri” ka kontaktuar me njerëz që i njohin rrethanat në “Trepçë” dhe me ata që deri vonë kanë menaxhuar me “Trepçën” e të cilët tashmë kanë konfirmuar situatën e rëndë në të cilën ndodhet gjiganti ekonomik kosovar. “Trepça” vazhdon të menaxhohet me ushtrues detyre të drejtorit. Aktualisht këtë punë e kryen inxhinieri Behxhet Nimani, pasi ai paraprak Xhevdet Tahiri pati dhënë dorëheqje, siç thoshte ai “për gjendje shëndetësore”.

LEXO EDHE: Nis koordinimi i opozitës për rrëzim të Qeverisë

Ky i fundit i tha “Zërit” të hënën se gjendja në “Trepçë” edhe më tutje është e rëndë për shkak se ka rënë edhe prodhimi, kështu ka vështirësi edhe për t’i siguruar pagat. Pagat e prillit u janë dhënë punëtorëve me dy pjesë, nga 50 për qind të pagës. Pjesën e fundit punëtorët e kanë marrë para pak ditëve. Nëse vazhdohet kështu, atëherë menaxhmenti dhe Bordi do ta kenë të vështirë t’ua japin pagat e majit punëtorëve të “Trepçës”.

Periudhë e vështirë financiare

“Aktualisht ‘Trepça’ SHA është duke kaluar një periudhë të vështirë financiare edhe pas zgjedhjes së problemeve statusore të saj. Sfida më kryesore e ndërmarrjes ‘Trepça’ është mungesa e mjeteve financiare për revitalizimin e minierave dhe të flotacioneve të amortizuara, të cilat po krijojnë kosto shtesë prodhuese. Dihet se minierat i kanë kostot fikse edhe kur nuk janë aktive ato kërkojnë mirëmbajtje edhe kur nuk prodhojnë, mirëmbajtja e infrastrukturës elektrike, e mjeteve dhe e pajisjeve nëntokësore të punës, siguria fizike e minierës, mirëmbajtja e horizonteve dhe vendpunishteve nga përmbytja, ajrimi, pompat e ujit. Për mirëmbajtën e minierës ndodhin pothuajse të njëjtat shpenzime edhe kur minierat janë aktive ose eksploatimet e xehes, këto janë shpenzimet elementare siç janë: transporti, ushqimi, pagat e punëtorëve, pensionet e parakohshme, stipendionet, energjia elektrike, uji i pijshëm, derivatet, eksplozive. Një nga sfidat e ndërmarrjes është edhe fuqia punëtore e vjetër, teknologjia dhe pajisjet e vjetërsuara në flotacionin e Tunelit të Parë dhe në Flotacionin e Kishnices, mungesa dhe furnizimi me makineri dhe pjesë rezervë. Numri i punëtorëve që kanë dalë në pension në vitin 2018 është 57, pa i llogaritur edhe ata që po vdesin natyrshëm gjatë marrëdhënies së punës. Po ashtu vlen të theksohet se në vitin 2019 janë 55 minatorë (punëtorë), të cilët do të dalin në pension, përderisa e kemi të pamundur të pranojmë punëtorë të rinj momentalisht, duke u bazuar në gjendjen financiare të cilën e posedojmë. Kur jam emëruar ushtrues i detyrës së drejtorit menaxhues ndërmarrjen e kam gjetur të zhytur në borxhe në vlerë prej 12 milionë eurosh dhe me një gjendje josolvente ndaj kontraktuesve ekonomikë. ‘Trepça’ që nga paslufta asnjëherë nuk ka mbijetuar nga prodhimi të cilin e ka realizuar. Që nga viti 2007 ndërmarrja ‘Trepça’ për çdo vit ka marrë subvencione nga Qeveria e Kosovës, 8 milionë euro vetëm për minierën e Stan Tërgut. Pas vitit 2008 Qeveria Kosovës ka reduktuar vlerën e dhënë të subvencioneve për ndërmarrjen ‘Trepça’, por këtë reduktim të subvencioneve ‘Trepça’ e ka zëvendësuar me shitjen e mbetjeve të deponuar në PIM, prandaj afarizmi i ndërmarrjes që nga vitin 2008 e deri më sot kryesisht ka qenë i varur nga shitja e mbetjeve dhe prodhimi i realizuar”, ka sqaruar Tahiri, duke shtuar me emërimin e tij në postin e të parit të “Trepçës” ndërmarrja i ishte nënshtruar një organizimi të ri, duke i kushtuar vëmendje të veçantë rritjes së prodhimit, sistematizimit të kuadrove në pozitat më të rëndësishme të ndërmarrjes, me qëllim të ngritjes së produktivitetit. Tahiri thotë se ishte arritur të ngrihet niveli i përgjegjësive dhe i llogaridhënies, ishte ngritur dissiplina dhe vijueshmëria e punës, si dhe ishin stopuar keqpërdorimet e keqmenaxhimi në të gjitha njësitë.

Tahiri: Ndërmarrjen e kemi menaxhuar me shumë probleme

“Për katër muaj sa kam ushtruar detyrën e drejtorit menaxhues të ‘Trepçës’, kemi menaxhuar ndërmarrjen me shumë probleme jo të natyrshme, siç ishin grevat dhe sabotimet në prodhim, prishjet e qëllimshme të makinerive të organizuara dhe të orkestruara nga njerëzit e ndryshëm që nuk ia duan te mirën ‘Trepçës’ e as vendit. Ka pasur edhe mospajtime me Bordin Mbikëqyrës, sidomos rreth vendimit të datës 02 prill 2019, që 42 djem të ish-minatorëve të cilët kanë vdekur të dërgohen direkt në horizontet e minierës së Stan Tërgut pa krijuar kushte sigurie për ta, së pari duke shkelur Ligjin e Sigurisë dhe të Punës në Kosovë, Ligjin e Punës, si dhe Ligjin e Minierave dhe të Mineraleve”, tha Tahiri.

Për të arritur stabilitet financiar në “Trepçë” inxhinieri Tahiri ka rekomanduar që paraprakisht të bëhet fizibiliteti i mirëfilltë për verifikimin dhe për llogaritjen e rezervave të plumbit dhe të zinkut sipas standardeve ndërkombëtare, të bëhet vlerësimi i gjitha pasurisë, të cilat janë fitimprurëse dhe jofitimprurëse. “Procesi i rimëkëmbjes duhet të jetë i liruar nga sfidat ose nga çështjet sociale, (fuqia e vjetër punëtore, invaliditeti në punë, pensionet e parakohshme, stipenditë, vitet jubilare), duhet të bëhet modernizimi i flotacioneve me qëllim të reduktimit të shpenzimeve dhe të humbjeve, riaftësimi i të gjitha minierave të plumbit dhe të zinkut, rindërtimi i metalurgjisë së plumbit dhe të zinkut me parametra modernë në kuptimin mjedisor, shitja e mbetjeve industriale dhe riinvestimi i atyre fondeve në investime kapitale në njësitë e bizneseve të ndërmarrjes, mundësia për gjetjen e fondeve për investime përmes kapitalit të brendshëm ose të huaj, mbylljen e vendeve joproduktive të punës, të cilat janë krijuar sipas njerëzve, si dhe sistematizimi i mirëfilltë i vendeve të punës”, ka numëruar Tahiri disa nga masat që duhen ndërmarrë për të krijuar stabilitet financiar, i cili për fund konstatoi se “lufta për zhvillim kërkon edhe zgjidhje, angazhim, bashkëpunim, sinqeritet, shpirt dhe zemër, jogjithmonë fonde".

Në anën tjetër kryetari i Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës” ka deklaruar për disa medie se për shkak të prodhimit të ulët që varet ekskluzivisht nga disiplina në punë, mungesa e teknologjisë dhe mungesa e fuqisë re punëtore, pagat e prillit janë dhënë me dy pjesë nga 50 për qind. Ai pranon se pa rritjen e prodhimit do të ketë problem për të siguruar paga për punëtorët e “Trepçës”.

Bordi Mbikëqyrës i “Trepçës” ka shpallur konkurs për drejtor menaxhues të “Trepçës” në të cilin kanë konkurruar: Afrim Osmani, Mentor Demi, Basri Ibrahimi, Valon Leci, Bajram Hoxha, Enis Jukovic dhe Behxhet Nimani. “Zëri” ka mësuar se zgjedhja e drejtorit do të bëhet deri në fund të kësaj jave, ndërsa mësohet gjithashtu se në listën e ngushtë janë dy emra, ai i Mentor Demit dhe i Basri Ibrahimit./ZERI