Lluka: Qeveria në tri vitet e ardhshme do të investojë 100 milionë euro në sektorin e energjisë

Lluka: Qeveria në tri vitet e ardhshme do të investojë 100 milionë euro në sektorin e energjisë

Ekonomia May 23, 2019 - 17:43
Lexo Detajet

Oda Ekonomike Gjermane dhe Organizata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, kanë lansuar Rrjetin e Bizneseve për Energji të Pastër.

Projekti për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë, synon nxitjen e zhvillimit të sektorit privat, promovimin e debatit publik dhe adresimin e çështjeve ligjore për energji të pastër tek institucionet publike.

Me këtë rast Ambasadori Gjerman në Kosovë, Christian Heldt, ka deklaruar se energjia elektrike në Kosovë më së shumti shpenzohet nga shtëpitë e banimit.

“60 përqind e konsumit të energjisë në Kosovë shpenzohet nga shtëpitë e banimit, ndërsa pjesëmarrja e sektorit privat është shumë e ulët”.
Diplomati gjerman shtoi se Qeveria e Gjermanisë, e ka përkrahur sektorin e energjisë në Kosovë, me fokus në energjinë e ripërtëritshme dhe energjinë efiçiente dhe do të vazhdojë ta përkrahë këtë sektor.

Ndërkaq Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se në sektorin e energjisë së ripërtëritshme dhe energjisë efiçiente do të investohen në tri vitet e ardhshme rreth 100 milionë euro.

“Aktualisht janë të instaluara 77 MW/h energji e ripërtëritshme dhe janë në proces edhe 22 projekte të tjera me kapacitet 178 MW/h”.
Nëpërmes Rrjetit të Bizneseve për Energji të Pastër, Oda Gjermano-Kosovare dhe GIZ-i do të shërbejnë si urë lidhëse mes sektorit publik dhe privat në Kosovë, ka thënë drejtoresha e OEGJK, Nora Hasani, njofton GIZ.

Aktualisht GIZ-i është duke promovuar debatin publik për Energji Efiçiente, duke përfshirë standardet dhe legjislacionin, ndërsa Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, si anëtare e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik në kuadër të Kryeministrisë si dhe Zyrës së Komunitetit për Biznese në Kuvend, mund të ofrojë inpute për promovimin e interesave të kompanive anëtare të Rrjetit.

Deri në fund të vitit, Rrjeti i Bizneseve për Energji të Pastër do të ketë edhe dy takime të tjera. Ky Rrjet do të jetë i hapur për të gjitha kompanitë të cilat dëshirojnë të kontribuojnë në zhvillimin e tregut të energjisë të pastër dhe energjisë efiçiente.