Ura e drunjtë në Pestovë paraqet rrezik për automjetet

Ura e drunjtë në Pestovë paraqet rrezik për automjetet

Ekonomia qershor 08, 2019 - 08:05
Lexo tjera detaje
Image

Ura e drunjtë në Pestovë mund të jetë tragjike për ata që kalojnë me automjete mbi këtë urë, pasi drunjtë janë dëmtuar tej mase, ndërsa ura e re nuk funksionalizohet për shkak të problemeve me prona. Edhe rruga e Artakollit (Bukosh – Gllavotin), që lidh 27 fshatra të komunës së Vushtrrisë me komunën e Obiliqit e tutje me Prishtinën, ende nuk ka përfunduar gjithashtu për shkak të problemeve me shpronësimet, shkruan gazeta "Zëri".

Tani kur gati sa ka përfunduar ndërtimi i rrugës 18-kilometërshe “R220”, e cila lidh 27 fshatra të Vushtrrisë me ato të komunës së Obiliqit e tutje me Prishtinën, problemi që do zgjidhje akute është ura e drunjtë në Pestovë, nëpër të cilën kalojnë banorët e 13 fshatrave të Vushtrrisë. Ajo ende nuk është funksionalizuar ndonëse ka përfunduar, për shkak se një banor, nëpër tokën e të cilit kalon ura, ka kërkuar kompensim. Për shkak të gjendjes së rëndë të urës së Pestovës, Kuvendi i Vushtrrisë kishte diskutuar disa herë, ndërsa shqetësimin e vet e ka ngritur edhe asamblistja e Kuvendit të Vushtrrisë, Fjolla Ujkani, sipas së cilës problemi i urës ishte adresuar edhe në Komitetit për Politikë e Financa.

“Shqetësimi për rreziqet të cilat mund të vijnë nga dëmtimi i urës ekzistuese në Pestovë e kam ngritur edhe në Komitetin për Politikë dhe Financa, duke propozuar që të futet në rend dite dhe të shqyrtohen mundësitë të cilat organet kompetente mund t’i marrin masat e duhura. Anëtarët e Komitetit për Politikë e Financa unanimisht kanë kërkuar që të intervenohet të paktën për ta riparuar atë, është votuar edhe drejtoria përkatëse, Shërbimet Publike”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në rrjetin social “Facebook”.

Por ndonëse prejse është diskutuar problemi i urës në Komitetin për Politikë e Financa të Vushtrrisë ka kaluar një kohë prej më shumë se një muaj, ura mbi Sitnicë në Pestovë mbetet rreziku më i madh për qarkullim të automjeteve.

Probleme me shpronësim

Problemet me shpronësimet kanë dalë edhe në disa fshatra nëpër të cilat kalon rruga 18-kilometërshe që lidh fshatrat e Artakollit. Agron Lushaku, kryetar i Këshillit të fshatrave të Artakollit, ka thënë se Këshilli i fshatrave të Artakollit ka dalë në terren për të parë nga afër punimet që po bëhen për asfaltimin e rrugës “R220”, gjegjësisht segmentit rrugor në Mihaliq. Sipas Lushakut, Këshilli ka kërkuar nga kompania që është duke kryer punët t’i përshpejtojë punimet, të rritet volumi i punës në mënyrë që të tejkalohet gjendja e padurueshme për banorët, pasi nga pluhuri jeta është bërë e rëndë në atë pjesë. Këshilli gjithashtu ka kërkuar nga banorët t’i tejkalojnë pengesat pronësore, në mënyrë që të mundësohet asfaltimi i rrugës dhe të mos ketë zvarritje të mëtutjeshme të punimeve. “Këshilli i fshatrave të Artakollit ka dalë në terren për të parë ecurinë e asfaltimit të rrugë ‘R220’. I kemi kërkuar punëkryesve t’i përshpejtojnë me punimet, sepse për shkak të pluhurit jeta e banorëve është bërë e padurueshme. Gjithashtu i kemi lutur banorët të mos bëjnë pengesë, t’i tejkalojnë problemet rreth shpronësimit, në mënyrë që rruga të kryhet sa më shpejt, përndryshe vonesat dhe pengesat shkojnë në favor të kompanisë që është duke i kryer punët”, ka shkruar Lushaku.

Lushaku ka thënë se ka shkuar në Ministrinë e Infrastrukturë dhe ka biseduar me zyrtarët lidhur me problemet që kanë dalë me shpronësimet dhe ka marrë garanci se problemet do të zgjidhen. “Me anëtarët e Këshillit të fshatrave të Artakollit kemi shkuar në MI dhe kemi takuar zyrtarin përgjegjës për rrugën ‘R220’, Agron Beshiri, nga i cili kemi marrë premtimet se problemet do të tejkalohen edhe në fshatin Mihaliq. Pas një kohe prejse kemi qenë, ajo pjesë e rrugës në Mihaliq është ndërtuar dhe punimet janë duke vazhduar tutje”, ka thenë Lushaku.

Në anën tjetër ura që lidh 13 fshatra të komunës së Vushtrrisë, në Pestovë është ndërtuar, por ajo akoma nuk është funksionalizuar. Qytetarët janë të detyruar të kalojnë nëpër urën e vjetër të drunjtë nga e cila ka rrezik të madh. Projekti i urës ka përfunduar, por Ministria e Infrastrukturës ka vlerësuar se projekti duhet të rishikohet, pasi ura nuk përputhet me rrugën. Në Komunën e Vushtrrisë kanë thënë se ura nuk po funksionalizohet për shkak të një kontesti pronësor, pasi që një prej banorëve është duke kërkuar kompensim për tokën nëpër të cilën kalon ura. Për ndërtimin e urës së re në Pestovë janë investuar mbi 300 mijë euro.

1.9 milion euro investime nga Qeveria

1.9 milion euro i ka investuar Qeveria e Kosovës për asfaltimin e rrugës 18-kilometërshe, e cila është ndërtuar në kohën e ish-Jugosllavisë dhe ishte e vetmja në komunën e Vushtrrisë që kishte mbetur pa u rindërtuar. Kjo rrugë lidh Vushtrrinë me Obiliqin dhe më tutje me Prishtinën dhe në këtë rrugë gravitojnë 27 fshatra të Artakollit të Vushtrrisë. Në këtë rrugë nuk ishte intervenuar për ta sanuar as pas përfundimit të luftës dhe ajo ishte bërë problem i madh për banorët e shumë fshatrave të asaj pjese, pasi që për shkak të gropave ishte bërë e pakalueshme edhe për automjetet.

Komuna e Vushtrrisë në kohën sa me të qeveriste Bajram Mulaku kishte kërkuar shumë herë nga Qeveria e Kosovës të investojë në rindërtimin e saj, por çështja ishte zvarritur për shumë kohë derisa në pushtet ka ardhur Ramush Haradinaj, i cili ishte zotuar se rruga do të ndërtohet. Edhe ministri e Infrastrukturës Pal Lekaj kishte dhënë garanci për ndarje të mjeteve për rindërtimin komplet të rrugës, kështu që në prillin e vitit 2018 kishin filluar punimet në rrugë, por dimri e kishte zënë gjithë trasenë e rrugës pa asfalt, kështu që banorët e këtyre fshatrave disa herë kishin protestuar, ndërsa një herë edhe patën bllokuar autorrugën Prishtinë – Mitrovicë, në Pestovë. Ata kërkonin që të paktën punëkryerësi ta vendosë një shtresë të asfaltit, në mënyrë që banorët të mundë të lëvizin pa problem.

Për rrugën Bukosh – Gllavotin Ministria e Infrastrukturës së Republikës së Kosovës ka investuar 1.9 milion euro. Projekti ka qenë dashur të fillojë në vitin 2017, kur Ministria e Infrastrukturës kishte premtuar 800 mijë euro dhe të përfundojë në vitin 2019, por projekti ka filluar të realizohet në vitin 2018 e tani me të drejtë pritet që projekti të përfundojë këtë vit, ashtu edhe siç ishte planifikuar, pasi që tashmë një pjesë e madhe e rrugës është asfaltuar./ZËRI