ATK-ja fton bizneset të deklarojnë të punësuarit

ATK-ja fton bizneset të deklarojnë të punësuarit

Ekonomia June 19, 2019 - 10:24
Lexoni detajet

Administrata Tatimore e Kosovës, rikujton të gjithë personat të cilët merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor janë të detyruar të regjistrohen, pajisen me Numër Unik të Regjistrimit të Biznesit / Numër Fiskal, deklarojnë dhe paguajnë tatimet (bazuar në statusin e tyre) dhe të mbajnë Tatimin në Burim dhe Kontributet Pensionale për punëtorët e tyre.

Po ashtu, ATK, rikujton të gjithë personat që zhvillimin e veprimtarisë ekonomike ta kenë në harmoni me Kodin e Veprimtarive Ekonomike NACE Rev.2, si dhe të kenë të hapura llogaritë përkatëse tatimore.


ATK është e fokusuar në bizneset, grupet punuese dhe personat fizikë në kuadër të veprimtarisë së ndërtimtarisë, si:
• Muratorët; 
• Armaturë punuesit;
• Betonuesit; 
• Gërmuesit e dheut;
• Punuesit e kulmeve;
• Prodhuesit dhe montuesit e dyerve dhe dritareve;
• Elektricistët;
• Instaluesit e ujit dhe ngrohjes qendrore;
• Montuesit e parketit/laminatit;
• Montuesit e qeramikës;
• Suvatuesit – fasada; 
• Prodhuesit dhe montuesit e olluqeve, rrethojave të ballkoneve, shkallëve dhe rrethojave të oborreve nga metalet e ndryshme dhe druri, etj.

ATK u bënë thirrje të gjithë personave të lartcekur, që të regjistrohen apo përditësojnë të dhënat e tyre sa më parë dhe të përmbushin të gjitha obligimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor.

ATK, ju inkurajon që t'i përgjigjeni detyrimeve tatimore, në mënyrë që të mos bëheni subjekt i ndëshkimeve të përcaktuara me Ligj.

Me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju kontribuoni direkt në ofrimin e shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, shërbime më të mira shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie të qëndrueshme ekonomike dhe shoqërore.

ATK, në bashkëpunim me FMN, në implementim të Projektit “Përmbushja në Sektorin e Ndërtimtarisë”!