Qendra e regjistrimit të veturave në Graçanicë i kërkon 44 euro shtesë qytetarit për t'i lëshuar librezë në shqip

Qendra e regjistrimit të veturave në Graçanicë i kërkon 44 euro shtesë qytetarit për t'i lëshuar librezë në shqip

Ekonomia June 20, 2019 - 16:37
Lexo Detajet

Para disa ditësh, me datë 17 qershor, gjatë regjistrimit të veturave në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Graçanicë një qytetari i është shtypur libreza e automjetit vetëm në gjuhën serbe. I njëjti kishte shprehur ankesë për këtë gjë por atij i ishte kërkuar nga zyrtarët komunalë të Graçanicës që nëse dëshiron ti përmirësohet dokumenti në Gjuhën shqipe duhet të paguajë 44 euro më tepër. Express ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Brendshme të cilët kanë thënë se zyrtari i QRA-Graçanicë ka bërë vetëm gabim teknik gjatë shtypjes së Certifikatës së Regjistrimit të Automjetit dhe të njëjtit i është tërhequr vërejtja.

Qytetari që është ankuar për këtë rast ka thënë se libreza i është shtypur sërish në gjuhën shqipe.

“Vetëm pas presionit që i kam bërë zyrtarit serb në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Graçanicë që me dërgu email në Ministrinë e Punëve të Brendshme është bërë përmirësimi”.

Ministria e Punëve të Brendshme u shprehën se librezat e automjeteve në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Graçanicë shtypen në gjuhën shqipe dhe në gjuhen serbe për komunitetin serb.

Zyrtarë të MPB-së thanë se, më 18 qershor kanë vizituar QRA-Graçanicë për të marrë sqarime.

“Me datën 18, nga mediat jemi njoftuar për 4 libreza të shtypura në Gjuhen serbe edhe pse palët kanë qenë shqiptarë. Me datën 18, zyrtarët e Agjencisë së Regjistrimit Civil që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë vizatuar QRA –Graçanicë për të marrë sqarime nga zyrtari i QRA –për këtë çështje”.

Sipas zyrtarëve të Agjencisë së Regjistrimit Civil zyrtari i QRA-së që ka shtypur 4 librezat në Gjuhën Serbe ka bërë gabim shtypi.

“Zyrtari i QRA-së ka njoftuar se ka ndodhur gabim teknik gjatë shtypjes së Certifikatave të Regjistrimit të Automjeteve dhe ka njoftuar palën se do ta diskutoj problemin edhe me udhëheqësin e QRA–së, për përmasimin e gabimit që ka ndodhë”.

Sipas MPB-së, pala shqiptare të cilës i është shtypur Certifikata e Regjistrimit të Automjetit në Gjuhën Serbe tani veç ka CRA – në gjuhen shqipe.

Zyrtarët e Agjencise së Regjistrimit Civil u shprehën se nënpunësit të QRA në Graçanicë i është tërhequr vërejtja sa i përket këtij incidenti.