Bekim Jashari, Bahtiri e Tahiri letër Haradinajt për depolitizimin e bordit të ujësjellësit 'Mitrovica'

Bekim Jashari, Bahtiri e Tahiri letër Haradinajt për depolitizimin e bordit të ujësjellësit 'Mitrovica'

Ekonomia June 20, 2019 - 17:29
Lexoni detajet

Tre kryetarët e tri komunave, Vushtrrisë, Skenderajt dhe Mitrovicës, i kanë dërguar sot një letër kryeministrit Ramush Haradinaj, për depolitizimin e bodtit të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal KRU “Mitrovica”.

Në një letër të nënshkruar nga Bekim Jashari, Agim Bahtiri e Xhafer Tahiri, i bëhet thirrje kreut të Qeverisë, që të emërohet një bord profesional dhe jo politik, pasi që sipas tyre po dëmtohen interesa e qytetarëve të këtyre komunave.

“Me anë të kësaj letre, shprehim shqetësimin tonë të përbashkët si dhe mospajtimin tonë si kryetar të tri komunave në lidhje me emërimin e bordit të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal KRU “Mitrovica” sh.a, me të cilin emërim po politizohet edhe Kompania e Ujësjellësit Rajonal KRU “Mitrovica” sh.a.

Politizimi i bordit të KRU “Mitrovica” sh.a, e humb profesionalizmin e kësaj kompanie dhe e dëmton qytetarin e komunave tona sepse ky bord e bënë të paaftë ktë kompani për të ofruar shërbime cilësore të furnizimit me ujë për qytetarët e Mitrovicës, Vushtrrisë e Skënderaj”, thuhet në reagim.

Në këtë letër është kërkuar që të anulohet emërimi i anëtarë të bordit, për hapjen e një gare të mirëfilltë.

“Andaj, ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të anulojë vendimin për emërimin e anëtarëve të bordit të KRU “Mitrovica” sh.a. dhe krijimi i mundësisë që bordi të jetë profesional e jo politik. Anulimi i këtij vendimi dhe hapja e një gare të mirëfilltë, ku pjesë e saj do të ishin ekspertët më të devotshëm të fushës përkatëse, do t’ia kthente dinjitetin kësaj kompanie dhe shpresën qytetarëve se mund të furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë në ditë, e jo të vuajnë për ujë të pijshëm si një e drejt elementare për jetën e tyre”,  theksojnë kryetarët njëzëri.

Nëse nuk ndërmerren masa, ata kanë paralajmëruar që do të ndërprejnë çdo bashkëpunim me kompaninë KRU “Mitrovica” për shkak të bordit të politizuar.

“Në të kundërtën, ne si kryetar të tri Komunave që KRU “Mitrovica” mbulon me shërbime, detyrohemi dhe do të të ndërpremë çdo bashkëpunim më këtë kompani që udhëhiqet nga një bord i politizuar”, përfundon reagimi.