37.433 biznese pa arka fiskale

37.433 biznese pa arka fiskale

Ekonomia June 25, 2019 - 07:58
Lexo Detajet
Image

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) numri i përgjithshëm i bizneseve që ushtrojnë aktivitete biznesore është gjithsej 63.025. Prej tyre biznese të fiskalizuara janë 23.271, biznese që nuk janë të fiskalizuara janë 39.754, ndërsa numri i bizneseve të cilat nuk kërkohet të fiskalizohen është 2.321. Nga kjo i bie që numri i përafërt i bizneseve të cilat duhet të fiskalizohen e që nuk janë fiskalizuar është afërisht 37.433. Sipas zyrtarëve përgjegjës, kjo kishte ndodhur për shkak të kufizimeve në burime njerëzore, shkruan gazeta "Zëri".

Më shumë se gjysma e bizneseve që operojnë në vendin tonë edhe më tutje nuk janë të pajisura me pajisje fiskale, ashtu siç parashihet me ligj.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) numri i përgjithshëm i bizneseve që ushtrojnë aktivitete biznesi është gjithsej 63.025. Prej tyre biznese të fiskalizuara janë 23.271, biznese që nuk janë të fiskalizuara janë 39.754, ndërsa numri i bizneseve të cilat nuk kërkohet të fiskalizohen është 2.321.

LEXO EDHE: Kryediplomatja e Norvegjisë: Marrëveshja me Serbinë hap dyert e mbyllura për Kosovën

Nga kjo i bie që numri i përafërt i bizneseve të cilat duhet të fiskalizohen e që nuk janë fiskalizuar është afërisht 37.433.

Sipas zyrtarëve përgjegjës, kjo kishte ndodhur për shkak të kufizimeve në burime njerëzore. “Mosidentifikimi i saktë i bizneseve dhe mospajisja e tyre ma arka fiskale ka si pasojë mungesën e kontrollit mbi të hyrat e bizneseve, shmangien e mundshme tatimore, si dhe rezulton me një konkurrencë jo të barabartë ndërmjet bizneseve që zhvillojnë aktivitete të caktuara. Drejtori i përgjithshëm duhet t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme, të analizojë strukturën e bizneseve të pafiskalizuara dhe varësisht nga volumi i të hyrave që ato sjellin gjatë vitit të përcaktojë planin e prioriteteve për pajisjen e bizneseve me arka fiskale konform kërkesave ligjore”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”.

Mosrealizim i planit të kontrolleve

Më tutje në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit thuhet se ATK-ja në planin e punës për vitin 2018 kishte përcaktuar numrin e kontrolleve, që synonte t’i realizonte. Hapja e rasteve të kontrollit duhet të bëhet në ato lloje të tatimeve dhe të periudhave tatimore për të cilat vlerësohet se kanë shkallë të lartë të rrezikshmërisë, duke iu referuar analizës së rrezikut. “Sipas planit, 75% e kontrolleve për vitin 2018 duhej të bëheshin bazuar në analizën e riskut. Nga 2,087 kontrollet e planifikuara për vitin 2018 ishin realizuar vetëm 1,714 prej tyre ose 82% e planit. Ngecje në realizmin e planit kanë shënuar kryesisht regjionet, Prishtina 3, Prishtina 1, Prishtina 2 dhe Ferizaj. Më tej nga gjithsej 1.714 kontrolle të kryera, 994 raste të kontrolleve janë kryer me propozim nga zyra qendrore, analiza e riskut. Ndërsa sipas planit do të duhej të kryheshin rreth 1,285 kontrolle të propozuara nga zyra qendrore. Mosrealizimi i planit të kontrolleve kishte ndodhur si rezultat i angazhimit të inspektorëve në aktivitete të tjera sipas kërkesës së menaxhmentit, kërkesave nga Policia e Kosovës dhe nga Zyra e Standardeve Profesionale. Ndërsa mospërmbushja e kontrolleve duke u bazuar ne analizën e riskut ka ndodhur për shkak se drejtoritë rajonale dhe Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj kanë konsideruar jo të kënaqshme rezultatet që dalin nga kjo analizë, e shikuar nga aspekti i rrezikut”, thuhet në raport. Aty më tutje thuhet se mosrealizmi i kontrolleve sipas planit dhe kritereve të përcaktuara mund të rezultojë në moshapjen e rasteve për kontroll të bizneseve të identifikuara me rrezikshmëri të lartë, si dhe në mospërmbushjen e detyrimeve tatimore, me efekt përfundimtar në reduktimin e të hyrave për BRK-në. “Drejtori i përgjithshëm duhet të sigurojë se janë ndërmarrë veprime konkrete që mundësojnë realizimin e planit të kontrolleve dhe se rastet për kontroll të merren në bazë të analizave/prioriteteve të planifikuara, në mënyrë që të shmanget mospërmbushja e detyrimeve tatimore nga subjektet/tatimpaguesit”, rekomandon ZKA-ja.

Nënshkrimi i kontratës, para zotimit të mjeteve

Sipas Rregullës Financiare Nr. 01/2013 për Shpenzimin e Parave Publike, Neni 15, pika 5, asnjë kontratë nuk duhet të nënshkruhet pa zotim të ndarë nga SIMFK-u për vitin aktual fiskal. Zotimi i ndarë nga SIMFK-u është pjesë përbërëse e kontratës. Nga pesë mostrat e testuara për çështje pajtueshmërie tek investimet kapitale, në dy raste, kontratat: “Furnizim me pajisje harduerike, PC desktop, monitor, UPS, Laptop” dhe “Kërkesë për zgjerimin dhe rritjen e kapaciteteve me infrastrukturën e TI Blade server” ishin nënshkruar në mungesë të zotimit të mjeteve. Në të dyja rastet zotimi ishte bërë pesë ditë pas nënshkrimit të kontratës. Sipas zyrtarëve përgjegjës, kjo kishte ndodhur pasi që ishte marrë konfirmim verbal në takim me MF-në se mjetet për këto projekte do të ndahen dhe ishte nënshkruar deklarata e nevojave dhe përcaktimit të disponueshmërisë së fondeve. “Hyrja në obligime pa siguruar fondet e nevojshme mund të rezultojë në vonesa të implementimit të kontratës, si dhe në moskryerjen e obligimeve me kohë. Drejtori i përgjithshëm duhet të sigurojë se janë vendosur kontrolle efektive në procesin e prokurimit dhe se funksionimi i tyre të monitorohet përgjatë gjithë procesit”, rekomandon ZKA-ja.

Mosrespektim të kritereve të përcaktuara me dosje të tenderit

Sipas Nenit 59.4 të LPP-së, autoriteti kontraktues do të konsiderojë një tender si të përgjegjshëm vetëm nëse tenderi në fjalë është në përputhshmëri me të gjitha kërkesat e parashtruara në njoftimin e kontratës dhe në dosjen e tenderit. Te procedura e prokurimit për “Furnizim me çanta sipas kërkesave dhe nevojave të ATK-së” në vlerë 42,000€, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave kishte vlerësuar si të përgjegjshëm dhe kishte rekomanduar nënshkrimin e kontratës me operatorin, i cili nuk i kishte plotësuar kriteret për kapacitetet tekniko-profesionale, të përcaktuara me dosje të tenderit dhe në njoftimin për kontratë. Konkretisht kriteri i tretë për dorëzimin e katalogut ose broshurave të prodhuesit, ku specifikohet lloji i çantës që do të furnizohet dhe kriteri i pestë për sjelljen e dëshmive se prodhuesi është i certifikuar me certifikatën. Shkak i kësaj ishte se Komisioni i Vlerësimit nuk kishte marrë parasysh kriteret e përcaktuara me dosjen e tenderit, por vlerësimin e kishte bërë duke u bazuar në cilësinë e mostrës (çantës) së ofruar nga OE-ja. Sipas ZKA-së, anashkalimi i kritereve të dosjes së tenderit rezulton me shpërblimin e OE-së fitues të papërgjegjshme, duke ndikuar kështu në zvogëlimin e besueshmërisë së procesit. E gjithë kjo rrezikon cilësinë e shërbimeve dhe arritjen e objektivave të parapara me projekt. "Drejtori i përgjithshëm duhet të sigurojë bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet zyrës së prokurimit dhe komisioneve të vlerësimit, në mënyrë që OE-të të vlerësohen konform kritereve të përcaktuara”.

Mosrespektim të kritereve të Rregullores me rastin e avancimit

Rregullorja 21/2012 për Avancimin në Karrierë të Nëpunësve Civilë, Neni 10, përcakton kohën minimale për avancim nga një gradë më e ulët në një gradë më të lartë dhe Neni 11 përcakton vendosjen e koeficientit pas avancimit. Në një mostër të testuar kemi vërejtur se me rastin e avancimit në pozitën “Zyrtar i lartë tatimor” nuk është marrë parasysh koha e nevojshme e qëndrimit në gradën paraprake (3 vjet), si dhe është tejkaluar vlera e koeficientit e krahasuar me atë të përcaktuar me Rregullore. Sipas menaxheres së personelit, kjo është praktikë që ATK-ja ka ndjekur në vazhdimësi për avancimin e stafit, pasi me rastin e përcaktimit të kritereve me konkurs nuk konsiderohen kriteret e Rregullores për Avancim. “Mosrespektimi i kritereve të Rregullores me rastin e avancimit të stafit dëmton transparencën e ngritjes së stafit në pozita dhe mundëson avancimin e personave jomeritorë. Drejtori i përgjithshëm duhet t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për të ndërprerë praktikat e tilla për avancimin e stafit dhe se në të ardhmen do të respektohen me përpikëri kriteret e Rregullores, që e trajton këtë fushë”, rekomandon ZKA-ja.

Vonesë në shqyrtimin e kthimeve (rimbursimeve) tatimore

Ligji për Administratën Tatimore dhe për Procedurat, Neni 30, obligon ATK-në të aprovojë një kërkesë të vlefshme për kthim (rimbursim) brenda 60 ditëve nga data e pranimit kërkesës në ATK. Nëse kërkesa nuk është shqyrtuar brenda këtij afatit, atëherë në këto raste ATK-ja përveç kthimeve, duhet të paguajë edhe interesin tatimpaguesve. ATK-ja këtë vit ka treguar progres në shkurtimin e afateve kohore në trajtimin e kërkesave për kthimet. Mirëpo, pavarësisht kësaj, ne identifikuam se në dy raste, kërkesat për kthim nuk ishin shqyrtuar brenda afatit ligjor dhe ATK-ja nuk i kishte paguar interesin tatimpaguesve për vonesat e ndodhura. Kjo kishte ndodhur si rezultat i moskoordinimit brenda ATK-së dhe mungesës së përgjegjësisë së personave kompetentë. Sipas ZKA-së, vonesat në rimbursime mund t’u shkaktojnë bizneseve vështirësi financiare në ushtrimin e aktiviteteve të tyre operative dhe rrezikojnë dëmtimin e buxhetit të ATK-së si pasojë e pagesës së interesit. “Drejtori i përgjithshëm duhet të sigurojë menaxhim adekuat dhe kontrolle në procesin e kthimeve/rimbursimeve, respektivisht që kërkesat për rimbursim të shqyrtohen brenda afatit të përcaktuar ligjor, ndërsa në rastet e vonesave, të paguajë interes për tatimpaguesit”.

Mosfunksionalizim i plotë i strukturës organizative

Rregullorja për Organizimin dhe për Sistematizimin e Vendeve të Punës në ATK përcakton pozitat e punës, të cilat duhet të jenë të vendosura brenda ATK-së. Neni 7, pika 3 e kësaj Rregulloreje kërkon që Departamenti i Shërbimit të Tatimpaguesve duhet të udhëhiqet nga drejtori i Departamentit, ndërsa Neni 8, pika 5 përcakton që divizionet duhet të udhëhiqen nga menaxherët e divizioneve. Pesë nga pozitat të cilat kërkohen me këtë Rregullore, si: (a) Drejtori i Departamentit për buxhet dhe financa; (2) Drejtor i Departamentit të Prokurimit; (3) Drejtor i Departamentit të Shërbimit dhe të Edukimit të Tatimpaguesve; (4) Udhëheqës i Divizionit Kualiteti i Mbledhjes dhe (5) Udhëheqës i Divizionit të Transferimeve të Çmimeve, ende nuk janë plotësuar me staf. Si rrjedhojë, këto pozita të përcaktuara me strukturën organizative të ATK ende nuk janë funksionale. Për dy pozitat e para kjo kishte ndodhur si rezultat i mosharmonizimit të pozitave ndërmjet strukturës organizative dhe Rregullores për Klasifikimin e Vendeve të Punës dhe për të tri pozitat tjera arsye ishte mungesa e iniciativës së menaxhmentit për plotësimin e këtyre pozitave.

Sipas Auditorit, “mosplotësimi ose vonesat në plotësimin e pozitave të caktuara rrisin rrezikun që organizimi i planifikuar i ATK-së të mos jetë mjaftueshëm funksional e efektiv dhe e gjithë kjo mund të ndikojë në menaxhimin e aktiviteteve dhe në mosarritjen e objektivave të përcaktuara. Drejtori i përgjithshëm duhet t’i ndërmarrë veprime për plotësimin e pozitave menaxhuese me rekrutime të rregullta, në mënyrë që struktura organizative të kompletohet”.

Mospërdorim i sistemit “E-pasuria”

Sipas Auditorit, Rregullorja Nr. 02/2013 për Menaxhimin e Pasurisë Jofinanciare, Neni 6, pika 3 thekson se “Pasuria kapitale duhet të regjistrohet në SIMFK, ndërsa pasuria jokapitale dhe stoqet duhet të regjistrohen në sistemin ‘E-pasuria’. Pavarësisht rekomandimit të dhënë në raportin e viteve paraprake për të përmirësuar menaxhimin e pasurive nën 1,000€ dhe stoqeve, duke i evidentuar në softuerin ‘E-pasuria’, edhe me tutje gjendja ishte e njëjtë. Për stoqet ekziston një regjistër i brendshëm, përderisa pasuritë jokapitale janë evidentuar dhe janë raportuar përmes një sistemi të brendshëm sipas regjioneve, i cili përfshin të gjitha pasuritë e ATK-së (duke përfshirë ato mbi 1,000euro), mirëpo nuk ka një regjistër të veçantë të pasurive nën 1,000euro. Shkak i kësaj ishin komunikimet e dobëta ndërmjet ATK-së dhe Ministrisë së Administratës Publike, respektivish neglizhenca e kësaj të fundit pasi nuk ka mundur të bëjë migrimin e të dhënave të përgatitura nga ATK-ja që nga viti 2017. “Mosmenaxhimi i pasurive jokapitale nën 1000€ përmes sistemit ‘E-pasuria’, si dhe mospasja e një regjistri të veçantë të pasurive nën 1,000€ vështirësojnë menaxhimin efektiv të tyre dhe rrezikojnë saktësinë e informatave. Drejtori i përgjithshëm duhet të sigurojë që janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe të monitorojë nga afër funksionalizimin e sistemit ‘E-pasuria’, në mënyrë që të sigurohet se pasuritë jokapitale dhe stoqet regjistrohen dhe menaxhohen përmes këtij sistemi”, thuhet më tutje në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit./ZERI