'Mungesa e ushqimit në veri', ministri Shala: Propagandë e Serbisë për ta hequr taksën

'Mungesa e ushqimit në veri', ministri Shala: Propagandë e Serbisë për ta hequr taksën

Ekonomia June 25, 2019 - 20:33
Lexo tjera detaje

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ditë më parë ka deklaruar se Beogradi po planifikon tërheqjen e mallrave në mënyrë që të shkaktojë katastrofë humanitare.

Mirëpo, tani kjo po vjen si një inskenim nga ana e Serbisë se kinse në veri të Kosovës po shkaktohet një krizë humanitare nga mungesa e ushqimit dhe barnave.

Mediat serbe kanë raportuar vazhdimisht ditëve të fundit se banorët e katër komunave serbe në veri janë në gjendje të keqe dhe buzë krizës humanitare pasi sipas tyre nëpër markete po mungojnë artikujt themelorë.

Mirëpo një gjë e tillë është mohuar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Shala për lajmi.net është shprehur se është vetëm propagandë dhe nuk ka asgjë të vërtetë në pretendimet se në veri ka mungesë të ushqimit.

“Është e gjitha propagandë dhe nuk ka mungesë të ushqimit në veri. Ky është një plan i Serbisë që ka për synim heqjen e taksës, përndryshe, çdo qytetar i Kosovës ka qasje të barabartë në ushqim dhe gjëra të tjera të nevojshme për jetë”, tha Shala për lajmi.net.

Ai është shprehur se qytetarët e komunave veriore të Kosovës i kanë mundësitë e furnizimit me të gjitha gjërat e nevojshme për të jetuar njëlloj sikur e gjithë pjesa tjetër e Kosovës.

Por, sipas ministrit Shala kjo është pjesë e vazhdimit të propagandës serbe për heqjen e tarifës 100 për qind për mallrat e tyre.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në një konferencë për media të mbajtur sot është shprehur se Kosova ka prova dhe fakte se Serbia është duke e inskenuar një krizë humanitare në veri të Kosovës.

Se kjo është vetëm propagandë e Serbisë e kanë thënë edhe kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri dhe kryetari i KMDLNJ-së Behgjet Shala, duke thënë se kjo është propagandë dhe nuk ka asgjë të vërtetë brenda kësaj.