Kërcënimet e Serbisë për futje të mallrave në Kosovë, Dogana: Nuk ka pasur tentime

Kërcënimet e Serbisë për futje të mallrave në Kosovë, Dogana: Nuk ka pasur tentime

Ekonomia June 26, 2019 - 22:29
Lexo tjera detaje

Ministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq është shprehur se Serbia do të përdorë të gjithë fuqinë e saj për të futur mallra në Kosovë.

Kjo deklaratë e saj vjen në vazhdën e propagandës së inskenimit të një krize humanitare në veri të Kosovës, shkruan lajmi.net.

Bërnabiq gjithashtu është shprehur se shpreson në Bashkësinë Ndërkomëtare t’i kushtojë më shumë vëmendje çështjes dhe të sigurojë heqjen e tarifave dhe rrjedhjen e lirë të mallrave.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci ka mohuar të ketë pasur tentime që të futen mallra serbe në Kosovë në çfarëdo mënyre.

“Jo, nuk ka pasur tentime të futen mallra. Ajo mund të jetë vetëm deklaratë politike”, tha Stavileci.

Stavileci gjithashtu për lajmi.net ka treguar se nuk janë hasur as raste të kontrabandës ku është tentuar të futen mallra serbe në Kosovë.

E sot, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova nuk do të lejojë veprime të paligjshme ndërkufitare përgjatë vijës kufitare me Serbinë.

Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq sot tha se “nuk do të lëmë të vdesin nga uria qytetarët në veri të Kosovës”, duke aluduar kështu në krizën e inskenuar humanitare në veri.

Lajmi.net ka raportuar gjithashtu se ekzistojnë dëshmi të inskenimit të kësaj krize humanitare, e cila është mohuar edhe nga të gjitha institucionet e vendit.

Edhe ministria e Tregtisë dhe ajo e Shëndetësisë kanë mohuar se në veri ka mungesë të ushqimit ose të barnave, duke thënë se të gjithë qytetarët kanë qasje të barabartë.

Në anën tjetër, kryetari i KMDLJ-jë, Behxhet Shala për lajmi.net ka thënë se kjo është propagandë dhe se nuk bëhet fjalë për asnjë lloj krize në veri.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka prova të mjaftueshme për të dëshmuar se kjo është një skenar i Serbisë për ta hequr taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe.