Komuna kërkon nga familja e dëshmorit ta lirojë banesën

Komuna kërkon nga familja e dëshmorit ta lirojë banesën

Ekonomia korrik 10, 2019 - 08:05
Lexoni detajet
Image

Minire Saliuku, nga Gradica e Drenasit, bashkëshorte e dëshmorit Mehmet Saliuku, dhe fëmijët e saj, Shpejtimi e Heroina, do të mundë të nxirren me forcë nga banesa, të cilën Komuna ia kishte dhënë në shfrytëzim para pesë vjetësh. Komuna: Banesat janë dhënë në mënyrë të paligjshme dhe shoqatat e luftës duhet t’i lirojnë banesat. Minirja: Vetëm të vdekur mund të më nxjerrin nga banesa, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ditë të vështira kanë ardhur për familjen e dëshmorit Mehmet Saliuku, nga Gradica e Drenasit. Nga sot (e hënë) gruaja dhe fëmijët e dëshmorit Saliuku mund të nxirren me forcë nga banesa, të cilën Komuna ua kishte dhënë për shfrytëzim para më shumë se pesës vjetësh.

LEXO EDHE: Pushimi i deputetëve s’e bllokon rrëzimin e Qeverisë

Komuna e Drenasit ka vendosur t’ia marrë banesën kësaj familjeje, por edhe 13 të tjerave, duke përfshirë edhe 3 banesa që u janë dhënë shoqatave të luftës, me arsyetimin se Kuvendi i Drenasit në kohën kur me Komunën e Drenasit ka qeverisur Nexhat Demaku i ka dhënë banesat në mënyrë të paligjshme.

Në aktvendimin e Komunës së Drenasit theksohet se familja Saliuku duhet ta lirojë banesën, përndryshe do të nxirret dhunshëm.

Aktvendimi ekzekutohet me asistimin e Policisë

“Urdhërohet Minire Saliuku, nga fshati Gradicë, që në aftin prej 7 ditësh nga dita e marrjes së këtij aktvendimi, të bëjë lirimin e banesës së uzurpuar nr. 38, kati i 6-të në sipërfaqe prej 102.81 metrash katrorë, në Drenas. Në qoftë se në afatin e caktuar nuk bëhet lirimi i banesës, atëherë ky organ do të bëjë lirimin e banesës në mënyrë të dhunshme dhe shpenzimet për ekzekutimin e këtij aktvendimi për lirimin e pronës komunale i ngarkohen uzurpuesit të pronës komunale. Të gjitha shpenzimet, të cilat janë krijuar për ujë, mbeturina dhe energji elektrike i ngarkohen uzurpuesit të pronës komunale, në të kundërtën pagesa e këtyre shpenzimeve do të përcillet sipas procedurës përmbarimore. Në qoftë se në afatin prej 7 ditësh nuk lirohet prona komunale, atëherë me asistimin e Policisë do të ekzekutohet ky aktvendim”, thuhet me tjerash në aktvendimin e Drejtorisë për Planifikim Urban dhe për Mbrojtje të Mjedisit në Drenas.

Në të theksohet se ankesa nuk e ndalon ekzekutimin e aktvendimit. Komuna e Drenasit nëpërmes një komunikate dërguar medieve ka njoftuar se ka dërguar 14 vendime për lirimin e pronave publike komunale, të uzurpuara, siç thuhet, “nga njerëz të papërgjegjshëm për disa vite rresht”.

Siç thuhet në këtë njoftim, edhe shoqatat e dala nga lufta duhet t’i lirojnë banesat, të cilat Kuvendi i Drenasit në kohën kur me Drenasin ka qeverisur Nexhat Demaku banesat i ka dhënë jashtëligjshëm dhe se këto vendime janë duke u hetuar.

Komuna: Vendimet për kthimin e pronës komunale janë të pakthyeshme

“Këto vendime të Komunës së Drenasit për lirimin e pronave të uzurpuara janë marrë mbi bazën e një komisioni profesional, i cili ka verifikuar këto prona të cilat janë të uzurpuara prej shumë vitesh dhe ka rekomanduar të merren masat konform legjislacionit në fuqi për lirimin e tyre. Ndërsa për pronat/banesat që i ka dhënë Kuvendi Komunal vite me parë për shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së është duke u zhvilluar një hetim nga Njësia për Krime Ekonomike dhe Korrupsion te Prokuroria e Shtetit. Arsyeja e hetimit qëndron se ato vendime që janë marrë nga Kuvendi i Komunës nuk i janë nënshtruar procedurës së ligjshmërisë nga ana e MAPL-së, ashtu siç e parasheh ligji. Ju njoftojmë se edhe ndaj pronave të uzurpuara dhe pronave tjera publike të komunës së Drenasit janë duke u ndjekur procedurat hetimore nga ana e Njësisë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion të Prokurorisë së Shtetit. Vendimet e Komunës së Drenasit për lirimin e pronës publike komunale janë të pakthyeshme dhe do të zbatohen në përpikëri sipas ligjit. Po ashtu i garantojmë të gjithë qytetarët e komunës së Drenasit se asnjë veprim i Komunës nuk është marrë dhe nuk do të merret në kundërshtim me ligjin”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Komunës së Drenasit.

Minirja: Vetëm të vdekur mund të më nxjerrin nga banesa

Me një krah letrash në dorë, dokumente, mirënjohje, medalje, falënderime, Minire Saliuku, nga Gradica e Drenasit, nuk ka lënë derë pa trokitur për të treguar se ultimatumi i Komunës së Drenasit që ajo ta lëshojë banesën, të cilën vetë Komuna ia kishte dhënë, jo vetëm që është i padrejtë, por edhe i njëanshëm, i qëllimshëm dhe diskriminues.

Komuna e Drenasit i kishte dalë në ndihmë para më shumë se pesë vjetësh familjes së dëshmorit Mehmet Saliuku për t’ia zgjidhur çështjen e banimit, por 5 vjet pas, ajo është shpallur uzurpatore.

Ajo ka bërë edhe një ankesë nëpërmjet avokatit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës, nga e cila ka kërkuar që ta anulojë aktvendimin e Drejtorisë për Planifikim Urban dhe për Mbrojtje të Ambientit të komunës së Drenasit, me të cilin Minirja është urdhëruar ta lirojë banesën më së largu deri me 8 korrik.

Duke ndjekur procedurat, Minirja e ka dorëzuar ankesën në Komunën e Drenasit, e cila është e detyruar ta procedojë te MMPH-ja, e cila sipas pritjeve të Minirës do ta anulojë këtë aktvendim.

“Familjet e dëshmorëve sot nuk kanë asnjë të drejtë, ato nëpërkëmbën, injorohen, përçmohen, gjaku i derdhur i tyre nuk çmohet. Po edhe gjaku i derdhur i bashkëshortit tim për lirinë e këtij vendi është sikur i të gjithë dëshmorëve të tjerë. Pos burrit, në luftë më është plagosur edhe vajza ime e mitur, Heroina, e cila ende nuk është shëruar dhe vazhdimisht merr trajtim mjekësor. I ka pasur disa operacione dhe ende i vuan pasojat e luftës. Nuk kemi ku të shkojmë, po të na kishte siguruar Komuna ndonjë vendstrehim dhe po tç na thoshte ‘ja dilni këtu’, do të ishte krejt punë tjetër.

Mbase edhe gjaku i burrit tim është sikurse gjaku i vëllait të Ramiz Lladrovcit. Mehmeti nuk ka qenë komandant, por ka qenë luftëtar i zoti. Edhe Mehmeti ka derdhur gjak sikurse Fehmi Lladrovci.

Familja ime, ndonëse familje dëshmori nuk ka gëzuar kurrë asnjë privilegj, bile edhe djalin, Shpejtimin e kam regjistruar në fakultet privat, në AAB, se në këtë të shtetit nuk ma morën”, shprehet ajo me nervozizëm.

Minirja thotë se vetë Komuna e Drenasit ia ka dhënë këtë banesë para 5 vjetësh dhe i kishte falënderuar shumë zyrtarët komunalë që ia kishin zgjidhur çështjen e banimit.

“Më është dukur se bota u bë e imja, sigurova kulm mbi kokë për dy fëmijët. I kam falënderuar këta të Komunës për banesën, por as në ëndërr nuk e kam parë se banesën do të ma marrin përsëri”, thotë Minirja, e cila përsërit se kur ia kanë dhënë banesën e kanë ftuar në Komunë dhe ia kanë dhënë çelësin.

Image