3.1 milionë euro për rregullimin e shtratit të lumit Sitnica
Foto: Laura Hasani

3.1 milionë euro për rregullimin e shtratit të lumit Sitnica

Ekonomia korrik 10, 2019 - 08:10
Lexoni detajet
Image

Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor e Republikës së Kosovës ka njoftuar se Komunës së Mitrovicës Jugore i janë ndarë 7 milionë euro për 5 projekte kapitale, kryesisht në rregullimin e shtretërve të lumenjve të Mitrovicës dhe për hapësira të gjelbëruara, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Mbi 3 milionë euro do të investohen për rregullimin e shtratit të lumit Sitnica në Mitrovicë, një prej projekteve më të mëdha, i cili do të realizohet sivjet. Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor e Republikës së Kosovës ka parashikuar realizimin e disa projekteve, kryesisht në rregullimin e shtretërve të lumenjve dhe për krijimin e zonave të gjelbëruara, të cilat do të realizohen me buxhetin e kësaj Ministrie.

LEXO EDHE: Komuna kërkon nga familja e dëshmorit ta lirojë banesën

Ministri i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor i Republikës së Kosovës, Fatmir Matoshi, ka njoftuar se ia ka ndarë Komunës së Mitrovicës 7 milionë euro për pesë projekte, të cilat do të realizohen në Mitrovicë, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Natyrisht në këto projekte do të kontribuojë edhe Komuna e Mitrovicës, e cila në vazhdimësi ka realizuar projekte për mbrojtje të ambientit dhe për krijimin e zonave të gjelbëruara. Sipas Matoshit në Mitrovicë do të realizohen pesë projekte të mëdha, ndërsa projekti më i madh është ai i rregullimit të shtratit të lumit Sitnica.

“Në Mitrovicë do të realizohen një varg projektesh, që do të mbështeten nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor. Natyrisht se do të kontribuojë edhe Komuna e Mitrovicës, e cila ka investuar shumë për mbrojtje të ambientit dhe për krijimin e zonave të gjelbëruara”, ka thënë Matoshi.

430 mijë euro për krijimin e hapësirave rekreative

ka precizuar se për projektin e rregullimit të shtratit të lumit Sitnica do të investohen 3.1 milionë euro, për rregullimin e shtratit të lumit Ibër janë ndarë 950 mijë euro, për pastrimin e shtratit të lumenjve Trepça dhe Lushta investohen 820 mijë euro, për krijimin e hapësirave gjelbëruese dhe rekreative për fëmijë 430 mijë euro dhe për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza investohet 1.8 milion euro.

“Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor është e përkushtuar për t’i përmirësuar kushtet e jetesës së banorëve të Mitrovicës dhe ky përkushtim do të vazhdojë edhe në vitet në vijim”, ka thënë ministri Matoshi.

Mitrovica ka nevojë sidomos për impiantin e ujërave të zeza, i cili ka qenë synim i secilës qeverisje të deritashme në Mitrovicë, por mungesa e buxhetit të vogël që ka Mitrovica ka bërë që një projekt i tillë të mos realizohet deri me tani. Shtretërit e lumenjve me dekada kanë shërbyer si deponim mbeturinash për qytetarët dhe ka ndodhur që lumenjtë të mbyllen dhe uji të dalë nga shtrati, sidomos gjatë të reshurave.

Komuna e Mitrovicës është qyteti i vetëm në Kosovë, i cili ka katër lumenj: Ibri, Sitnica, Trepça dhe Lushta. Brigjet e këtyre lumenjve, sidomos brigjet e shtratit të lumit Sitnica, janë të mbushura edhe me mbeturina industriale të “Trepçës”, të cilat ishin hedhur pa ndonjë kontroll dhe kanë paraqitur rrezik të madh për shëndetin e qytetarëve.

Komuna e Mitrovicës kishte organizuar një aksion për pastrimin e lumenjve të qytetit, duke angazhuar punëtorë me kontratë në vepër, kryesisht njerëz që mbijetonin nga ndihmat sociale. Komuna u kishte ofruar atyre mundësi të përfitojnë për vete dhe njëkohësisht të kontribuojnë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e ambientit.

Për këtë projekt ishin angazhuar 45 punëtorë të të gjitha komuniteteve, duke përfshirë edhe ata të komunitetit serb, gjashtë prej të cilëve ishin femra. Gjatë dy muajve sa pati zgjatur aksioni i pastrimit, ata kishin nxjerrë nga shtretërit e lumenjve mbi 200 tonë mbeturina të grumbulluara për shumë vjet.

Janë investuar 4.5 milionë euro

Në anën tjetër Komuna e Mitrovicës ka realizuar një projekt të madh në lumin Ibër, ku është ndërtuar liqeni akumulues i Mitrovicës, për të cilin janë investuar 4.5 milionë euro. Liqeni artificial, i cii shtrihet në hapësirën e Suhadollit, është i tipit rrjedhës dhe shkon prej Zhabarit, nëpër Gushavc e deri në Vinarc.

Projekti i ndërtimit të liqenit në Suhadoll është financuar nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor me 4.5 milionë euro.

Liqeni ka gjatësi prej 1.8 kilometrash, gjerësi deri në 150 metra dhe thellësi deri në 3 metra. Liqeni artificial i Mitrovicës shfrytëzohet gjatë verës nga pothuajse gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët kalojnë pushimet.

Është një det i vogël dhe njerëzit që nuk mund t’i përballojnë çmimet e larta në bregdet mund ta shfrytëzojnë liqenin për t’u freskuar. Liqeni i Mitrovicës ka plazhe, pushimore dhe shëtitore përgjatë lumit.

Në Mitrovicë ka përfunduar projekti 7-milionësh i “Aqua Park”-ut, një prej projekteve më të mëdha të këtij lloji në Ballkan. Në kuadër të projektit “Aqua Park” (Parku Ujor) janë disa pishina olimpike dhe gjysmolimpike, të tipit të hapur dhe të mbyllur, si dhe disa terrene për sport e rekreacion përreth tyre. “Parku Ujor” ndodhet në afërsi të liqenit akumulues të Mitrovicës dhe ato bashkë përbëjnë pikë turistike të qytetit të ndarë. Investitor i këtij projekti, që kap vlerën mbi 7 milionë euro, ka qenë SHA ACI, që është themeluar nga “Arjeta Group” dhe “Linprojekt’, të dyja kompani vendore, ndërsa Komuna e Mitrovicës ka mbështetur projektin me ndarjen në shfrytëzim të hapësirës komunale.

Pishina e hapur, ku qytetarët e Mitrovicës do të freskohen gjatë kësaj vere, do ta ketë një sipërfaqe prej rreth 2.000 metrash katrorë, ndërsa lumi do të ketë gjatësi prej 300 metrash.