Ndërtohen 40 shtëpi për familje me gjendje të rëndë ekonomike
Foto: Laura Hasani

Ndërtohen 40 shtëpi për familje me gjendje të rëndë ekonomike

Ekonomia korrik 11, 2019 - 08:27
Lexo Detajet
Image

Projekti, i cili mbështetet financiarisht nga “Qatar Charity”, parasheh ndërtimin e 40 shtëpive për familjet me gjendje të rëndë ekonomike dhe për familje të cilat nuk e kanë zgjidhur çështjen e banimit, një shkollë, një qendër mjekësore familjare, katër lokale afariste dhe një xhami. Fshatin Frashër (ish-Svinjar) e kanë braktisur 134 familje serbe, të cilët i kanë shitur shtëpitë ndonëse Qeveria e Kosovës ka investuar dy herë për ndërtimin dhe për mobilimin e tyre, shkruan gazeta "Zëri".

Frashëri i Mitrovicës, para lufte i banuar me shumicë serbe, së shpejti do të bëhet edhe me një vendbanim të ri (një lagje), pasi Komuna e Mitrovicës dhe “Qatar Charity” kanë arritur marrëveshje për realizimin e një projekti, i cili siguron strehim për familje me gjendje të rëndë ekonomike dhe për familje, të cilat ende nuk e kanë zgjidhur çështjen e banimit.

LEXO EDHE: Tender prej 1.7 milion eurosh për ndërtimin e dy shkollave

Derisa në Frashër po ndërtohet një lagje krejtësisht e re për familjet me problem të banimit, serbët e këtij fshati, saktësisht 134 familje sa kanë jetuar para lufte në këtë fshat, i kanë braktisur shtëpitë që i ka ndërtuar dhe i ka mobiluar Qeveria e Kosovës, ngase mbi gjysma e tyre pasi i kanë plaçkitur ua kanë shitur shqiptarëve. 

Përfaqësuesit e “Qatar Charity” nga Katari kanë takuar kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, me të cilin kanë biseduar për finalizimin e projektit tepër të rëndësishëm për Mitrovicën, posaçërisht për familje me probleme banimi, numri i të cilave në Mitrovicë edhe më tutje është i madh, për ndërtimin e 40 shtëpive. Në takim me zyrtarët komunalë drejtori për projekte i organizatës “Qatar Charity”, Osam Debab, tha se Katari vazhdimisht është interesuar për ta ndihmuar popullin e Kosovës, edhe me ndërtim të shtëpive, por edhe me ndihma të tjera. Ky projekt do të përfshijë një sipërfaqe prej 32.765,66 m², ku parashihet t’i ketë 40 shtëpi, një shkollë, një qendër të mjekësisë familjare, katër lokale afariste, një objekt i destinuar për shfrytëzim nga organizata “Qatar Charity” dhe një xhami.

Komuna ka dhënë pronën

Komuna e Mitrovicës, në cilësinë e bashkëfinancuesit, ka dhënë në shfrytëzim pronën e paluajtshme me qëllim të ndërtimit të shtëpive për arsye humanitare, si dhe do të marrë përsipër rregullimin e tërë infrastrukturës përcjellëse të kësaj lagjeje.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka falënderuar donatorët nga Katari për mbështetjen e tyre, ndërkohë është shprehur shumë i kënaqur me bashkëpunimin e deritashëm të organizatës bamirëse “Qatar Charity”, e cila ka mbështetur Mitrovicën me projekte madhore e në sektorë të ndryshëm, duke kontribuuar kështu në zhvillimin dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. “Donacioni i ofruar nga ‘Qatar Charity’ për ndërtimin e 40 shtëpive në Mitrovicë është një lehtësim i madh për ne si institucione lokale, sepse në këtë mënyrë po ua kthejmë buzëqeshjen shumë familjeve, të cilat deri më tani kanë jetuar në kushte të rënda ekonomike”, ka thënë ndër të tjera kryetari Bahtiri.

E ndërkaq drejtori i projekteve nga organizata “Qatar Charity”, Osam Dabab, theksoi se ndihet tejet i lumtur që organizata e tij po vazhdon t’i ndihmojë familjet në nevojë në komunën e Mitrovicës. “Ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen t’i ndihmojmë qytetarët e Mitrovicës me projektet tona, për të ndihmuar familjet të cilat vërtet kanë nevojë”, tha drejtori për projekte në organizatën “Qatar Charity”, Osam Debab.

Nuk e bën të ditur koston e projektit

Ai nuk ka bërë të ditur koston e projektit. Kjo organizatë nga Katari do ta financojë edhe ndërtimin e xhamisë në Shupkovc të Mitrovicës, ndërtimi i së cilës do të fillojë të premten.

Projekti për ndërtimin e 40 shtëpive për familje me gjendje të rëndë ekonomike dhe për familje që nuk e kanë zgjidhur ende çështjen e banimit do të realizohet në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Komunës së Mitrovicës dhe organizatës “Qatar Charity”.

Para luftës në Frashër të Mitrovicës (ish-Svinjari) kanë jetuar shumë familje serbe, të cilët pas përfundimit të luftës nuk janë kthyer për të jetuar në fshat ndonëse Qeveria e Kosovës dhe organizata të ndryshme kanë ndërtuar të gjitha shtëpitë e tyre, të shkatërruara gjatë luftës, madje Qeveria e Kosovës ka investuar dy herë miliona euro, një herë për t’i ndërtuar shtëpitë e serbëve dhe herën tjetër për t’i riparuar ato, pasi serbët qëllimisht i kishin dëmtuar. Moskthimi i serbëve për të jetuar në shtëpitë e rindërtuara nga Qeveria e Kosovës kryekëput lidhet me politikën e Beogradit. Ishte vetë Qeveria në Beograd dhe politikanët ekstremistë serbë të veriut, të cilët nuk i lejonin serbët e Frashërit të kthehen, sepse pastaj duhej të ktheheshin edhe shqiptarët e dëbuar në lagjet veriore të Mitrovicës. Arsyetimi i përfaqësuesve të serbëve të Frashërit se nuk po kthehen për shkaqe sigurie ishte vetëm një retorikë, të cilën pothuajse të gjithë serbët, duke përfshirë edhe politikanë në veri dhe në Beograd, e përdorin vazhdimisht. Qeveria e Kosovës gjeti mënyra për të ndarë mjete për herë të dytë për t’i riparuar shtëpitë e posandërtuara, pasi ato ishin dëmtuar, për t’i joshur serbët që të kthehen, por megjithatë serbët nuk u kthyen për të jetuar në fshat. Disa familje u kthyen vetëm sa për t’i demoluar shtëpitë e reja të ndërtuara dhe për t’i vjedhur të gjitha mobilet dhe orenditë, të cilat ishin siguruar me mjetet e Qeverisë së Kosovës. Pasi i dëmtuan rëndë serbët filluan t’ua shesin shtëpitë dhe pronat e tyre shqiptarëve./ZERI