Bijeliq: “Trepça” s’është jona prej 2001-s

Bijeliq: “Trepça” s’është jona prej 2001-s

Ekonomia August 14, 2019 - 08:01
Lexoni detajet
Image

Ish-drejtori i “Trepçës” në veri, Novak Bijeliq, ka deklaruar se Serbia si shtet nuk ka kurrfarë kompetencash e as interes nga ajo që sot quhet “Trepça”, pasi nga 14 miniera, 8 flotacione, dy metalurgji dhe mbi 20 fabrika tani punojnë vetëm dy miniera, shkruan sot Gazeta 'Zëri'. 

Pothuajse në çdo rast që u jepet zyrtarët më të lartë të shtetit të Serbisë dërgojnë mesazhe të forta se “Trepça” është vija e kuqe, nga e cila nuk heqin dorë ose sistemi energjetik në Kosovë nga Ujmani (Gazivoda) deri te ‘Trepça” paraqet digën e mbrojtjes se ekzistimit të serbëve në krahinë.

LEXO EDHE: Një javë para shpërndarjes së Kuvendit, opozita druan nga lojërat e PDK-së

Por drejtori i dikurshëm i “Trepçës” nga vitit 1995 deri më 2001-n, Novak Bijeliq, thotë se “Trepça” nga janari i vitit 2001 nuk është në dorë të Serbisë, shkruan më tutje "Zëri". 

“Serbia si shtet nuk ka kurrfarë kompetencash e as interes nga ajo që sot quhet ‘Trepça’. Nga 14 miniera, 8 flotacione, 2 metalurgji dhe mbi 20 fabrika sot punojnë vetëm dy miniera: ‘Crnac’ dhe ‘Belo Berdo’, në të cilat në kohën sa unë kam qenë drejtor kanë punuar 350 njerëz. Të gjitha taksat dhe tatimet paguhen në llogari të Kosovës, ndërsa i vetmi interes është që ata njerëz i marrin pagat. Ndonëse do të duhej diçka të eksportohet, koncentrati, kërkohet leja e institucioneve të Kosovës”, ka sqaruar Bijeliq, përcjell “Kossev”.

Ai ka shtuar se një pjesë e xehes ndodhet në Serbi, duke pasur parasysh se tunelet e minierave fillojnë nga Leposaviqi deri në Brus nën pothuajse gjithë territorin e Kopaonikut.

Bijeliq mendon se gjendje më e mirë nuk është as në jug, me të cilën menaxhojnë shqiptarët.

16 mijë të punësuar

“As ‘Trepça’ në jug nuk qëndron hiç më mirë, punojnë disa miniera dhe flotacione, por asnjë metalurgji e fabrikë. Me fjalë të tjera, prodhohet dhe eksportohet vetëm koncentrati, në vend të prodhimeve të përpunuara. Nga sistemi prej 58 ndërmarrjeve nuk ka mbetur asgjë, përveç disa miniera dhe flotacione, nga kompania që ka punësuar 16 mijë njerëz dhe nga e cila direkt ose indirekt kanë mbijetuar rreth 300 mijë njerëz , nuk ka mbetur pothuajse asgjë”, ka thënë Bijeliq.

Në anën tjetër termet në veri të Kosovës dhe në Serbi kishte sjellë miratimi i Ligjit për “Trepçën” në fund të vitit 2016 nga ana e Kuvendit të Kosovës, me të cilin janë krijuar kushte që ndërmarrja shoqërore të bëhet ndërmarrje në pronësi të shtetit.

Ndërkaq në marsin e këtij viti është ndryshuar Statuti i “Trepçës” dhe në këtë mënyrë Qeveria e Kosovës është pronare e 80 për qind të aksioneve, ndërsa 20 për qind të aksioneve e kanë punëtorët.

Në regjistrin e ndërmarrjeve në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik ekzistojnë edhe më tutje dy kompani, njëra shoqërore (‘Trepça’ në veri) me kapital prej 67 milionë eurosh dhe tjetra (“Trepça” SHA) ndërmarrje shtetërore (SHA) me të punësuarit, me kapitalin themelues prej 10.000 eurosh.

Njëkohësisht KXMK “Trepça ad” në Zveçan është e regjistruar edhe në regjistrat e Agjencisë për Ekonomi si shoqëri aksionare, ndërsa në Fondin për Zhvillim ka më së shumti aksione, rreth 55 për qind.

1000 të punësuar në veri

Mirëpo në raportin vjetor të punës së “Trepçës” në veri thuhet se kompania në veri vepron në kuadër të ndërmarrjes “Trepça” nën menaxhimin administrativ të AKP-së.

Lubodrag Saviq, profesor në Fakultetin Ekonomik në Beograd, siç përcjell “Kosseve”, ka thënë se “Trepça” nuk është as përafërsisht atje ku ishte në vitet e ’80-ta.

“Në veprimtarinë e kësaj ndërmarrjeje mbretëron pasiguria, sepse pushteti në Kosovës ka sjell ligjin me të cilin ata janë pronarë. Po të vlejnë rregullat kjo nuk do të mundë të ndodhte, sepse investimet më të mëdha vijnë nga ana serbe. Borxhet që janë më të mëdha se pasuria e ndërmarrjes të shumtën janë ndaj bankave në Serbi, Fondi për Zhvillim etj. Ata sjellin ligje, ne nuk i pranojmë dhe gjithsecili punon sipas të vetes. Minierat në veri nuk mund të funksionojnë pa përpunimin në jug e anasjelltas dhe në këtë mënyrë të gjithë humbin”, ka sqaruar Saviq, duke shtuar se “Trepça” në veri nuk mund të mbijetojë pa ndihmën e qeverisë së Serbisë.

“Në vitin e kaluar ‘Trepça’ në veri ka pasur 38.5 milionë dinarë të hyra dhe fitim prej 43 mijë dinarësh. 558 punëtorë kanë pranuar marrëveshjen për pensionim të parakohshëm, kështu që viti ka përfunduar me 2.166 punëtorë. ‘Trepça’ ka hyrë në kuadër të programit të qeverisë së Serbisë si ndërmarrje, e cila nuk realizon të ardhura, kështu që nëpërmes Shërbimit Nacional për Punësim punëtorëve u paguhen paga, si dhe në bazë të të njëjtin program edhe tatimet, edhe kontributet. Nga gjithsej 38.5 milionë dinarë (rreth 350 mijë euro) të të ardhurave të kompanisë, 14.4 milionë dinarë (rreth 130 mijë euro) janë të ardhura, kryesisht nga veprimtaritë terciale dhe shërbimet. Në raportin vjetor thuhet se ‘Trepça’ është subjekt i qëndrueshëm financiarisht, duke iu falënderuar programit të Serbisë, e cila paguan sigurimet shëndetësore dhe pensionale për gjysmën e të punësuarve, derisa 1000 punëtorë janë të punësuar sipas sistemit të rotacionit”, ka thënë mes tjera Lubodrag Saviq, profesor në Fakultetin Ekonomik në Beograd.